MENU
klinika

Tjetër ftesë nga Specialja

Ish-komandanti i UÇK-së Rexhep Selimi niset drejt Hagës

05.11.2020 - 09:13

Ish-komandanti i UÇK-së Rexhep Selimi, njëherësh kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes pritet të niset pas pak minutash drejt Hagës. Ka qenë vetë Selimi që dje ka njoftuar se është thirrur nga Dhomat e Specializuara, dhe sot në orën 09.00 pritet të niset drejt Holandës.

“Të nderuar miq, bashkëluftëtarë, qytetarë e bashkëkombas të mi! Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua.

Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash.

Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka.

Mirë u takofshim në fitoren e Ushtrisë Çlitimtare të Kosovës! Kam ditur e do të di gjithmonë ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme”, shkroi dje Selimi.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm ai dhe disa deputetë të Vetëvendosjes kanë kryer homazhe në varrin e aktivistit Astrit Dehari, dhe pas pak minutash pritet të niset drejt Hagës. Kujtojmë se, dje forcat e EULEX për orë të tëra kanë bastisur shtëpinë e ish-kryeparlamentarit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe në fund e kanë arrestuara atë dhe e kanë çuar në Dhomat e Specializuara.