Një 70-vjeçar që para 20 vitesh ka vrarë gruan dhe vajzën e tij 13 vjeçe në Tepelenë, ka marrë dje letër nga “Forca e Ligjit”, për të deklaruar pasurinë.
Bëhet fjalë për Selam Qëndron, i cili në shkurt të këtij viti, rrëfeu vetë ngjarjen uke u shprehur se krimin e kishte kryer pasi kishte gjetur gruan me komshiun në shtëpi.
Ai ishte dënuar me 25 vjet burg për krimin e dyfishtë, për të cilin kishte qëndruar edhe 3 muaj në koma, për shkak të shokut që kishte pësuar. Nga ana tjetër, “Forca e Ligjit” u ka dorëzuar formularët edhe 4 personave të tjerë, 2 të dënuar për vrasje, një për vjedhje dhe një tjetër për pengmarrje.
Policia tha dje se në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: Bledar Hasani, banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Vjedhja”; Selam Qëndro, banues në Tepelenë, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”; Memo Lila, banues në Tepelenë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; Sadik Hazizi, banues në Tepelenë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; Gentian Çani, banues në Gjirokastër, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.
VRASJA PER XHELOZI
Selam Qëndro, nga Tepelena, ka treguar momente tronditëse nga skena e krimit të datës 4 prill të vitit 2000, kur ai vrau gruan e vajzën. Ai ka rrëfyer se punonte bari në mal dhe kur është kthyer në shtëpi gjeti gruan në krevat me komshiun. Në këtë moment, ai ka humbur kontrollin dhe në përleshje e sipër me burrin, me të cilin gjeti gruan, qëllon me armë. Në vendngjarje ndodhej dhe vajza 13-vjeçare, e cila në tentative për të shpëtuar nënën nga kthetrat e të atit gjen vdekjen. Komshiu largohet menjëherë duke shpëtuar nga vrasja. “Unë kthehesha nga bagëtitë pasi punoja bari. Kur u ktheva në shtëpi, gjeta gruan me komshiun në krevatin tim, ai doli menjëherë nga shtëpia. Ishte shumë e rëndë dhe nuk u përmbajta, mirë ishte që të mos veproja kështu dhe bëj thirrje që askush të mos veprojë kështu në një rast të tillë. Armën e kisha në shtëpi dhe e kisha me leje, e dinte Policia. Kisha qenë në Gjirokastër një ditë më parë dhe unë kuptoja që ata donin të më eliminonin”, rrëfeu 70-vjeçari.