MENU
klinika

Margaret Atwood

Liria e të qenit grua

25.11.2020 - 16:56

       Lindur në Otawa në vitin 1939, shkrimtarja 80-vjeçare Margaret Atwood jeton në Toronto, tashmë pa shoqërinë e bashkëshortit, romancierit Graeme Gibson, i cili ndërroi jetë së fundmi. E ëma ishte nutricioniste, kurse i ati entomolog. Angazhimet e këtij të fundit bënë që prej fëmijërisë së hershme të ndiqte më nga afër pemët e larta të pyjeve kanadeze, sesa mësuesit e shkollave të vendit të saj. U arsimua në shtëpi dhe hyri në shkollë publike vetëm kur ishte 11-vjeçe./Konica.al

Autore e më shumë se pesëdhjetë titujve, përfshirë poezi, romane dhe ese letrare, Atwood dha mësim në disa universitete, punoi në një shtëpi botuese, por, para se të arrinte suksesin letrar, punoi edhe kamariere në një restorant. Ambientaliste dhe aktiviste e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të grave, Atwood kujdeset shumë për “natyrën e saj kanadeze”, sikundër ka qenë një nga personalitetet protagoniste të rilindjes së madhe artistike të vendit të saj, që filloi në vitet gjashtëdhjetë, nga ku vlen të përmendim ndër të tjerë: Leonard Cohen, Alice Munro, Northrop Frye etj.

Që në romanin e saj të parë: “Gruaja për t’u ngrënë” (1976) del një nga temat e forta të poetikës së Atwood: lidhja midis trupores dhe letërsisë, natyrës primitive dhe gjeografisë së shpirtit. Tragjedia e palëvizshmërisë së gruas kanadeze rikthehet në veprat e saj. Një grua e detyruar nga kodet shoqërore patriarkale, rritur në një vend të kolonizuar nga ana kulturore nga SHBA-ja, që nuk ka liri zgjedhje identiteti. Në këtë kontekst të asfiksuar, Atwood vë në kontrast një grua-nënë, e cila zgjedh një lindje natyrore, të çliruar nga kushtëzimi mashkullor, matricë e një rrëfimi të ri, të një historie të re. Një grua që duket se ngrihet dhe merr formë nga një përvojë e natyrshme që jeton brenda autores dhe brenda shkrimeve të saj, që ushqehet me peisazhe të pacenuara dhe heshtje të pafundme, ato të tokës së saj.

Një nga meritat e studiueses dhe eseistes Atwood është pikërisht fakti që i ka dhënë forcë dhe dukshmëri origjinalitetit të një studimi, që synon të çlirojë literaturën e tokës së saj nga ndikimet e forta dhe të shkelura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.

Tashmë me Amerikën kemi një marrëdhënie impakti. Ne jemi si Davidi dhe Golia. Ne jemi Davidi dhe arma jonë është letërsia”./Konica.al

Në esenë e vitit 1972 “Mbijetesa”, ajo eksploron territorin e panjohur letrar të vendit të saj. “Titulli nuk është i rastësishëm. E jona është një letërsi mbijetese. Rrëfimi, dhe me këtë term nënkuptoj edhe poezinë, shpreh luftën e grupeve të vogla të burrave të kërcënuar dhe të mposhtur nga natyra”.

Padyshim, fama e saj padyshim shpërtheu pas suksesit televiziv që pati seriali, fitues i disa çmimeve, frymëzuar nga romani “Rrëfenja e shërbëtores”, botuar në vitin 1985. Një distopi e vendosur në republikën e Gileadit, një botë ku zbatohen në letër parimet e Biblës dhe ku grave u caktohet detyra ekskluzive e lindjes së fëmijëve. Gratë e Gileadit janë të privuara nga çfarëdolloj lirie: liria për të punuar, fituar, menaxhuar paratë, menduar në mënyrë të pavarur, por edhe mundësia e pirjes së alkoolit dhe kafesë. Një roman ku fantazia pjellore distopiane e autores integron tema që kanë lidhje të forta me tendencat e vëzhgueshme në botën e sotme perëndimore. Midis shqetësimeve të mëdha të demokracive perëndimore, autorja vëren se niveli i lindjeve po bie. Zgjidhjet mund të jenë të ndryshme dhe nuk është e sigurt që demokracitë në rënie, shenjuar nga frika, individualizmi, mosinteresimi për çështjet publike dhe votimi, dinë të miratojnë zgjidhjet më të mira, duke respektuar të drejtat e të gjithëve./Konica.al

Ka shumë mënyra për të inkurajuar gratë të kenë fëmijë: stimuj ekonomikë, standarde më të larta jetese, admirim shoqëror dhe vlerësim moral. Ose mund t’i detyroni të kenë më shumë fëmijë, duke ua bërë të pamundur të bëjnë ndryshe. Ekzistojnë katër zgjedhje të mundshme. E katërta është më ekonomike”.

Intelektuale e guximshme dhe kundër rrymës, gjatë fushatës mediatike, si pasojë e fenomenit #metoo, Atwood u kritikua në rrjetet sociale dhe u akuzua si një “feministe e keqe”, sepse foli kundër drejtësisë së kufizuar të një profesori universiteti akuzuar për ngacmim seksual.

E padëmtuar nga makina e përbaltjes, ajo nuk u thye, madje nga maja e ndershmërisë së saj intelektuale deklaroi: “Në një epokë ekstremesh, fitojnë ekstremistët. Ideologjia e tyre shndërrohet në fe, kushdo që nuk i përsërit pikëpamjet e tyre si një marionetë konsiderohet një e pavlerë, një heretike ose një tradhtare dhe të moderuarit asgjësohen”.

Literatura kanadeze i detyrohet mjaft prozatores së guximshme, por edhe lëvizjes mjedisore dhe lëvizjeve për të drejtat e grave. Qartësia e kthjellët intelektuale dhe pozicionet e saj të shprehura me shumë njerëzi dhe ëmbëlsi, njëherazi me të njëjtën dëshirë për të hedhur dritë edhe në skutat më të paarritshme dhe të errëta të jetës sonë bashkëkohore, padyshim që e bëjnë atë jo vetëm një studiuese të madhe, intelektuale dhe tregimtare, por një zë autoritar orakull i ditëve tona./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN