MENU
klinika

Debati në Komisionin e Ligjeve

Maxhoranca sfidon ‘5 qershorin’, shtyn votimin e ligjit në Kuvend!

25.11.2020 - 10:17

Komisioni i Ligjeve ka shtyrë dje miratimin ndryshimeve të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” si pjesë e paketës së Reformës Zgjedhore që u dakordësua në Këshillin Politik më 5 qershor.

Komisioni i Ligjeve
Ligji, që është reflektim i ndryshimeve që janë miratuar në Kodin Zgjedhor, u konsiderua si i tepërt njëzëri nga të gjithë deputetët në Komisionin e Ligjeve, por edhe nga përfaqësuesit e Ministrisë dhe Prokurorisë. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, e cilësoi ligjin si propozim i tepërt dhe që nuk merr parasysh ruajtjen e sekretit hetimor. Ndërsa deputetja Vasilika Hysi ngriti shqetësimin e cenimit të Reformës në Drejtësi me anë të këtij ligji. Sakaq, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe prokurorisë e konsideruan si të panevojshëm këtë ndryshim ligjor dhe se ka rrezik që ta cenojë pavarësinë e prokurorit në hetimin e çështjeve.

DEBATI NË KOMISION

Adnor Shameti: Kemi të bëjmë me shtesën e një neni të ri që mbulon fushën e marrëdhënieve të prokurorisë me KQZ-në. Ky nen synon të plotësojë mungesën e informacionit për veprat penale në fushën e zgjedhjeve, pasi evidentohet që çështjet penale zgjaten në vite dhe publikut nuk i bëhet me dije veprimtaria e institucioneve për hetimin. Projektligji synon të rregullojë këtë marrëdhënie në kuadër të së drejtës së informimit të publikut. Sipas projektligjit, çështja e hetimit të veprave penale në fushën e zgjedhjeve evidentohet si një kompetencë e posaçme për drejtuesin e prokurorisë nëpërmjet shtesës që i bëhet ligjit, duke rritur mekanizmin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies. Unë iu kërkoj kolegëve që në frymën e marrëveshjes së 5 qershorit, pasi ky ndryshim është pjesë paketës, ta kalojmë edhe këtë ndryshim.

Besmir Beja: Sikurse e kemi thënë edhe në dokumentin që i kemi çuar Kuvendit, ky propozim është i panevojshëm dhe bie ndesh me frymën e ligjeve të Reformës në Drejtësi. Ne kemi arsyetuar që cenon çdo garanci që Reforma në Drejtësi, ligji dhe Kushtetuta ka garantuar. Ligji i jep atribute drejtuesit të prokurorisë, të cilat në fakt i ka vetëm prokurori i çështjes.

Kujtim Luli: Edhe Prokuroria e Përgjithshme i ka sjellë me shkrim opinionet e saj në lidhje me këtë projektligj. Ne kemi arsyetuar që nuk është i nevojshëm ky propozim për ndryshim. Ndërhyrjet, duke shtuar edhe KQZ-në si institucion në marrëdhënie me Prokurorinë, i kemi konsideruar si të pabazuara as në frymën e Kushtetutës. Propozimi ligjor cenon edhe pavarësinë e prokurorit të çështjes. Ne mendojmë që marrëdhëniet me KQZ-në janë me marrëveshje dypalëshe që përgjithësisht janë realizuar.

Ulsi Manja: Edhe kur janë bërë ndryshimet e Kodit Zgjedhor, do duhej të ishte marrë mendimi i Prokurorisë së Përgjithshme për ato ndryshime, sepse në nenin 167/ 1 të Kodit të ri Zgjedhor është parashikuar ekzaktësisht ajo që planifikohet në këtë ligj. Pra, në Kodin Zgjedhor është parashikuar detyrimi i Prokurorisë dhe SPAK-ut për të komunikuar me KQZnë që kanë të bëjnë me çështjet zgjedhore.

Vasilika Hysi: Ky ndryshim vjen si produkt i marrëveshjes së 5 qershorit. Thelbi i Reformës në Drejtësi të mos preket. Në këtë kuadër, mendimet e dhëna për këtë projektligj nuk na lënë shumë hapësirë për vlerësimin pozitiv të tij, që mesa di unë, në paketën e 5 qershorit është bërë nga opozita jashtëparlamentare, e cila asnjëherë nuk e ka njohur Reformën në Drejtësi dhe aq më tepër organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Unë do të sugjeroja që të jemi të kujdesshëm që me nisma të tilla të mos bëjmë thelbin e Reformës në Drejtësi.

Ulsi Manja: Sipas rregullores, ne nuk do ta votojmë këtë nismë duke qenë se nismëtari, Alket Hyseni, nuk është i pranishëm për arsye objektive, pasi ai mund ta tërheqë nismën dhe ne nuk kemi çfarë të votojmë. Këto propozime janë të tepërta, nuk marrin parasysh ruajtjen e sekretit hetimor.