MENU
klinika

Formula 1

Mbeten edhe 3 gara, për çfarë garohet në Lindjen e Mesme?

25.11.2020 - 13:14

Lewis Hamilton dhe Mercedes tashmë kanë mbyllur gjithçka sa u përket titujve për pilotë dhe konstruktorë. Kur mbeten edhe 3 gara në Formula 1, çfarë objektivash kanë pilotët dhe skuderitë e tjera? Ferrari duhet të konfirmojë progresin e treguar në Stamboll në mënyrë që të ndjekë vendin e tretë për konstruktorë.

Kur mbeten edhe 3 gara nga fundi, kokëkuqja ndodhet në vendin e gjashtë me 130 pikë. Në vendin e tretë ndodhet Racing Point me 154 pikë, në të katërtin McLaren me 149 pikë dhe në të pestin Renault me 136 pikë.

Pra, vetëm 24 pikë e ndajnë Ferrarin nga vendi i tretë. Dhe Vettel e Leclerc këtë do të bëjnë, të marrin sa më shumë pikë, në mënyrë që të rregullojnë sadopak imazhin e Ferrarit në fundin e këtij sezoni të dobët.

Po pilotët vetë çfarë objektivash kanë? Çdo garë vlen shumë. Edhe Hamilton, pavarësisht se ka fituar titullin, sërish do të kërkojë të triumfojë. Por gara e vërtetë duket se është për vendin e dytë dhe të katërt.

Max Verstappen me Red Bull Honda synon për vendin e dytë, që mbahet nga Valtteri Bottas. Njëzet e shtatë pikë ndajnë Verstappen nga Bottas në klasifikimin e përgjithshëm. Do të jetë shumë e vështirë, pasi holandezi ka treguar se jep gjithçka në pistë për të fituar.

Në vendin e katërt është Sergio Perez me 100 pikë, ndjekur nga Leclerc me 97 dhe Ricciardo me 96 pikë. Totalisht e hapur gara për vendin e katërt. Do të garohet dy herë në Bahrein radhazi duke nisur nga kjo fundjavë dhe mbyllet më 13 dhjetor në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN