MENU
klinika

Ahmetaj: Do tu japim lekët ta ndërtojnë vetë!

“Mbi 200 shtëpi e pamundur të ndërtohen si pasojë e terrenit”

10.11.2020 - 12:14

Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj i pranishëm në komisionin e Ekonomisë për të prezantuar Buxhetin 2021 për rindërtimin ka folur me shifra për ecurinë e punimeve të këtij procesi aktualisht.

Ministri tha se brenda këtij viti do të përfundojnë rreth 900 banesa individuale.

“FSHZH do të ndërtojë 2500 banesa individuale, vetëm Kamzë me 260 shtëpi nuk ka pasur prokurim me sukses, për shkak të çmimit të ngushtë dhe ka sjellë probleme për kompanitë. Kamza është anuluar 2 herë presim tenderin tjetër. 500 banesa do i kemi gati brenda 31 dhjetorit në Shijak, Durrës Manzë. Në Tiranë pritet të përfundojnë 300- 400 banesa në fund dhjetorit”, u shpreh Ahmetaj.

Ndërkohë Ahmetaj ka njoftuar se gjatë procesit janë hasur disa vështirësi dhe për këtë arsye janë 260 shtëpi individuale që nuk mund të ndërtohen për shkak të terrenit malor.

“Vitin tjetër marrim 28 miliardë lekë, dhe është vazhdimi i të gjithë programeve të nisura këtë vit. Një ndryshim mund ta bëjmë me vendim ka vështirësi në vendet malore për banesat individuale për të ndërtuar modelin, dhe për ato shtëpi që nuk ndërtohen dot nga kompanitë nëpërmjet bashkive atyre familjeve tu japim shumën totale në dorë dhe të ndërtojnë vetë ata ose të blejnë shtëpi diku tjetër, dhe janë rreth 260 shtëpi që për shkak të gjeologjisë janë të pamundura për tu ndërtuara si modele”, tha ministri.

Nga ana tjetër Ahmetaj tha se janë mbi 1300 familje që vijojnë të jetojnë nëpër çadra, ndërsa ka prezantuar në zëra buxhetor që kanë marrë programet e rindërtimit.

“1324 familje në çadra për shkak se nuk kanë dashur të largohen nga toka dhe nga bagëtia. Nuk po them që rindërtimi është perfekt por është punuar. Nuk po them që kemi proces perfekt, dhe për çdo ankesë të qytetarëve është rikthyer procesi. Grantet e rikonstruksioni, banesat individuale, objektet arsimore dhe infrastruktura publike. Buxheti i këtij viti kemi 34 miliardë lekë, 31 janë të buxhetit si dhe 3 miliardë lekë janë nga donacionet që vijnë nga sipërmarrës, dhe shtete të huaja si Serbia që i kanë derdhur direkt në buxhet. Sot janë alokuar në projektet 32 miliardë lekë nga 34 miliardë lekë. Për objekte arsimore 7.49 mld lekë, për banesa 10 mld lekë, për grantet e rikonstruksionit 9.8 mld, dhe për infrastrukturë 2.48 mld lekë”, pohoi Ahmetaj.

Ministri foli edhe për donatorët teksa theksoi edhe një herë se çdo projekt i financuar nga të huajt ndiqet nga vetë ata.

“Deri më tani nga grantet janë miratuar 277 milionë euro, kemi 18 marrëveshje me vlerë 260 milionë euro asnjë nga këto marrëveshje nuk ndiqet nga qeveria jonë, por nga vetë donatorët dhe kemi 3 marrëveshje në negocim. Kemi tre kredi në proces, 60 mln për ujësjellësit, Italia 30 milionë euro për Durrësin, 30 milionë për portet dhe 30 milionë euro për OSHEE”, deklaroi ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"T'iu tregojmë të gjithëve çfarë duan të dinë"

Buxheti i rindërtimit, zgjatje e buxhetit të shtetit