MENU
klinika

Vakumi midis shpirtit dhe saktësisë

Moderniteti? Kuptohet vetëm duke studiuar budallallëkun!

04.11.2020 - 14:53

      “Flisni si libri, jetoni ashtu siç lexoni”

 

Një aleancë e saktësisë dhe papërcaktueshmërisë, kështu e shihte njeriun Robert Musil, pa dyshim, nisur nga këndvështrimi i tij. Robert Musil është ai intelektual i shkëlqyer, ai “gjallërues”, që aplikoi artin e arsyetimit më të mprehtë, të spekulimeve maniake, në çështje që konsiderohen të paforma, të errëta ose të heshtura të ndjenjës dhe ndjeshmërisë. “Njeriu pa cilësi”, një roman i papërfunduar, një vepër madhore e shekullit tonë, siguron më së miri këtë marramendje të lindur nga një reflektim i padepërtueshëm. Ka shkruar gjithashtu “Pështjellimet e Tërlesit” (1906), dy koleksione tregimesh, “Dasma” në 1911 dhe “Tri gratë” në 1924, etj./Konica.al

Lindur në Austri në vitin 1880, Robert Musil shumë shpejt e braktisi karrierën në ushtri, për t’iu përkushtuar tërësisht letërsisë. Vdiq papritur në 1942, duke lënë të papërfunduar kryeveprën “Njeriu pa cilësi”.

Këtu janë rrënojat e një bote të mbytur. Rrënoja ngarkuar me një thesar të admirueshëm domethëniesh dhe poezish; inventari i një epoke, i një vendi dhe i disa mentaliteteve, historia e një politike. E tillë na shfaqet në pasuritë e saj të panumërta vepra pas vdekjes – dhe e papërfunduar – e shkrimtarit austriak Robert Musil. Një panoramë shumëplanëshe, tipare të shumta gdhendur me një daltë të pagabueshme, vepër nga e cila lehtë mund të nxirret një vëllim maksimash të moralizmit therës, por edhe një antologji e fragmenteve të një poezie me fuqi të padiskutueshme. Një libër me bollëk barok, por edhe me ironi mizore dhe mendjemprehtë.

Shkrimtari austriak, në prag të Luftës së Dytë Botërore, mendoi se, për të kapur dhe kuptuar më mirë epokën dhe bashkëkohësit e tij, nuk ishte lufta, politika apo ekonomia, por më tepër duhej studiuar budallallëku. Budallallëku është mungesë e njohurive, pra në kuptimin e parë është injorancë, por edhe mosdija që na rrethon, që më vonë Barthes do ta quante budallallëkun e kulturës masive, mandej budallallëk praktik, në kuptimin e të vepruarit në kohë të gabuar, në mënyrë të gabuar. Këto tre përkufizime tregojnë qartazi, se marrëzia mbulon realitete më të brishta dhe më të hijezuara nga sa mund të mendohet. Romancieri austriak zë një vend të veçantë në panteonin e shkrimtarëve të mëdhenj të shekullit XX. Ndodh që një epokë e shkëlqyer, që ka nisur rrokopujën drejt fundit të reflektojë perëndimin e saj, duke e shndërruar fjalë për fjalë atë në figurën më autentike të gjithë gjendjes njerëzore. Epoka e perëndimit të perandorisë habsburge dhe të Austrisë së vjetër, në dekadat e para të shekullit XX, ishte pikërisht një nga këto epoka. Autori që më shumë se kushdo, edhe për cilësinë e të shkruait, identifikoi tiparin paradigmatik ishte qartazi Robert Musil, i cili arriti të bashkojë në punën e tij dy aspektet themelore të kulturës së madhe austriake: shpirtin dhe saktësinë.

“Shpirti” te Musi identifikohet me gërmimin psikologjik dhe aftësinë për të përdorur mjetet e letërsisë (fjalën, shenjën, parabolën) për të zbritur deri në skutat më të errëta të egos, që në atë periudhë, dhe në të njëjtin vend, po eksploroheshin njëherazi edhe nga psikanaliza e Frojdit. Nga ana tjetër, “saktësia” mund të gjurmohet në qartësinë absolute të diktimit, në një prozë të pastërtisë që shkëlqen si diamant, edhe nëse ndonjëherë e veshur me ironi, në saktësinë matematikore me të cilën rivendoset perëndimi, rënia dhe ndjenja e fundit./Konica.al

Robert Musil u përball me perëndimin e civilizimit austriak, duke filluar me kryeveprën “Pështjellimet e Tërlesit”, për ta përmbledhur së fundmi në “Njeriu pa cilësi”, një vepër monumentale. “Njeriu pa cilësi” – “një vargmal gjigant mjegulle dhe kristali, një pavion i pafund me pasqyra rrethore dhe shtrembëruese”, ku mund të ndjesh në çdo faqe “bisturinë e ftohtë të një gjallëruesi shumë rigoroz”, –  sipas përkufizimit të Italo Alighiero Chiusano, është më tepër një enciklopedi e modernizmit, që është edhe roman, edhe ese, një afresk i një epoke dhe një reflektim mbi gjërat e fundit. Mund të përkufizohet gjithashtu si një kadastër e pafund e fragmentare, e cila në pretendimin për të përshkruar tërësinë, domethënë kuptimin e përgjithshëm të ekzistencës, përfundon duke nënvizuar mungesën e saj.

Por, kush është njeriu pa cilësi? Dhe mbi të gjitha: pse është “pa” cilësi? Mbase, se cilësitë ekzistojnë ende si pjesë e së tërës, veçse nuk ka më një, një të tërë, të aftë për t’i përmbledhur ato. Këtë arsyetim, Musil e kishte shprehur edhe në kapitullin e katërt të tezës tij, mbi teoritë e matematikanit të madh Ernst Mach (“koncepti i funksionit” krahasuar me “konceptin e shkakësisë”) dhe në një pasazh të famshëm nga “Pështjellimet e Tërlesit”, duke folur për numrin imagjinar “i”, që i përgjigjet rrënjës katrore të minus një, për të treguar jo vetëm një njësi llogaritëse, por edhe një shenjë konvencionale për diçka që nuk ekziston (asnjë numër në katror, nuk jep si rezultat minus një). Ulrich-u magjepsës dhe i pakapshëm, njeriu pa cilësi, mishëron llojin e përsosur psikologjik të perëndimit austriak: ai posedon shumë cilësi, por nuk mund t’i drejtojë drejt një qëllimi të saktë, sepse e ashtuquajtura “e vërtetë” tashmë është e privuar nga koordinatat dhe nuk lejon një zhvillim koherent dhe linear të personalitetit. Kësisoj, Ulrich është një individ prej mishi e gjaku, mendime dhe impulse, por njëherazi është joreal, si numri imagjinar “i”: një shenjues pa koncept, një jetë e privuar nga Jeta.

Të shumta janë vlerësimet për veprën, dikush shkoi deri atje sa e krahasoi “Njeriun pa cilësi” me “Komedinë Hyjnore”, megjithatë jo pa arsye të vlefshme. Gjithsesi, vlen të nënvizojmë një ndryshim thelbësor: në labirintin e pakufishëm të Musilit, që është edhe labirinti ynë, ekziston vetëm një purgator abstrakt dhe pa rrugëdalje. Dhe kjo, nuk na lejon të shohim as ngushëllim, as shpëtim./Konica.al

Gjuha e dashurisë është një gjuhë e fshehtë dhe shprehja e saj më e lartë është një përqafim i heshtur.