MENU
klinika

Shuhet artisti i apasionuar...

Muharrem Fejzo humb betejën me covid-19

22.11.2020 - 13:00

       Regjisori i njohur Muharrem Fejzo është shuar në moshën 87-vjeçare, nga covid-19. Lajmin e trishtë e ka dhënë i biri, Joe Artid Fejzo, me anë të një postimi në rrjetet sociale.

“Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e stë dhashë dot një got uje, nuk mertiton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”, shkruan ai.

Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë, në vitin 1933.

Fejzo bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Gjithashtu, ai kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, Muharrem Fejzo kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë, drejtoi i Shtëpinë e Kulturës në qytetin e Kukësit.

Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent-regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti guerril” (1969) të Hysen Hakanit.

Në vitin 1972, Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot, si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.

Gjatë karrierës regjisoriale, Muharrem Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve, mund të përmenden: “Operacioni zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit, “Muri i gjallë”,  Fejzo e realizoi në vitin 1989.