Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të ketë për vitin 2021 një buxhet 12.8 miliardë lekë, 20% më të lartë se viti 2020. Ministri Bledi Çuçi bëri publike sot në Kuvend disa nga prioritetet e këtij buxheti sipas programeve përkatës.
Kryefjala është fondi shtesë prej 1 miliard lekësh për të zbatuar skemën e naftës pa taksa për punimet në bujqësi.
“Përmbushim në këtë mënyrë një zotim tonin, si dhe ndihmojmë rreth 70 mijë fermerë në të gjithë vendin për të ulur koston e prodhimit. Përjashtimi nga barra fiskale i naftës së përdorur për punime bujqësore është një hap i guximshëm, por i domosdoshëm për t’i dhënë sektorit bujqësor një tjetër mbështetje në mënyrë që të rrisim prodhimin, të rrisim mekanizimin e aktivitetit bujqësor, konkurrueshmërinë e produkteve bujqësore dhe të formalizojmë më tej sektorin. Nafta pa taksa për fermerët është një ndër objektivat strategjikë të buxhetit të vitit 2021, të cilin ne do ta realizojmë përmes fondit që kemi në dispozicion dhe me një skemë funksionale”, tha ministri Çuçi.
Një tjetër objektiv strategjik i buxhetit të vitit të ardhshëm është gjithashtu implementimi i reformës në Shërbimin Veterinar. Parashikohet që gradualisht të punësohen mbi 400 veterinerë në këtë shërbim tejet të rëndësishëm për sigurinë e produkteve me origjinë shtazore. Krahas disa investimeve të rëndësishme në infrastrukturën e ujitje-kullimit, gjatë vitit 2021 do të hapen kantieret për rindërtimin e 3 porteve të peshkimit në Durrës, Vlorë dhe Shëngjin me financim nga kredia italiane prej 25 milionë euro.
Lidhur me skemat mbështetëse për subvencione direkte për fermerët, buxheti ka një rritje me 29% krahasuar me vitin 2020 dhe shkon në 5.2 miliardë lekë bashkë me fondin për naftën e përjashtuar nga barra fiskale. Ministri Çuçi tha se edhe gjatë vitit 2021 do të vijojë të subvencionohen sektorë prioritarë si blegtoria, prodhimi në serra, bletaria apo çertifikimi i standardeve të prodhimit në ferma. Po kështu gjatë vitit të ardhshëm do të ketë një thirrje tjetër të programit IPARD II, bashkëfinancim i Bashkimit Europian dhe Qeverisë Shqiptare.