MENU
klinika

Europa League

Ndalet Milan, Arsenal triumfon në Norvegji

26.11.2020 - 20:59

Kanë përfunduar gjysmat e ndeshjeve të mbrëmjes së sotme në Europa League. Milan nuk arrin të mposhtë Lille, që fitoi 3-0 në “San Siro” 3 javë më parë. Kuqezinjtë u ndalën 1-1 në Francë. Ndërsa Arsenal fiton 3-0 në Norvegji me Molde.

Pjesa e parë e takimit në Francë u mbyll me rezultatin 0-0, ndërsa “Djalli” realizoi menjëherë sapo zbriti në tapetin e blertë në pjesën e dytë. Castillejo dërgoi topin në rrjetë pas një pasimi të Rebic. Ky i fundit e gjeti mjaft mirë brenda zone për 0-1.

Lille mori më pas dominimin e ndeshjes dhe barazoi rezultatin në minutën e 65′. Bamba finalizoi mjaft mirë një aksion perfekt të vendasve për 1-1. Takimi u mbyll po me këtë rezultat, ndërsa pozitat e Milanit komplikohen pak në grup.

Sparta Prague fitoi sërish ndaj Celtic me rezultatin 4-1, ashtu si në ndeshjen e kaluar. Lille mban vendin e parë me 8 pikë, Milani me 7 në vendin e dytë, ndërsa Sparta me 6 pikë. Celtic mbetet në fund me 1 pikë, pasi ka marrë vetëm 1 pikë ndaj Lille.

Arsenal ka siguruar kualifikimin në raundin pasardhës të Europa League pas fitores bindëse 3-0 kundër Molde-s në javën e katërt të fazës me grupe të Europa League. Topçinjtë e kanë siguruar fitoren në pjesën e dytë falë golave të Nicolas Pepe (50′), Nelson (55′) dhe Balogun (83′).

Buzëqesh edhe Leicester. Dhelprat janë kualifikuar gjithashtu në raundin pasardhës të Europa League pas barazimit të çmendur 3-3 në fushën e Braga-s. Heroi i skuadrës së Brendan Rodgers ka qenë Vardy, që ka shënuar golin e barazimit 3-3 në minutën e 95-të.