MENU
klinika

Instinkti i një lideri

Pas Napoleonit, Franca njohu vetëm një “të ngjashëm”…

06.11.2020 - 14:47

        Për Francën, viti 2020 është vit përkujtimor i gjeneralit De Gol: i 80-vjetorit të “Fjalimit të 18 qershorit 1940”, i 50-vjetorit të vdekjes dhe kremtimit të 130-vjetorit të lindjes. Rebel, i guximshëm dhe i mbarsur me një “ide të caktuar të Francës”, gjenerali de Gol është zëri i çlirimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, i moskuptimit në Algjeri, por edhe kujtimi i një presidenti të dorëhequr në vitin 1969. Gjenerali de Gol (1890-1970) është sot e kësaj dite gjigandi i fundit në historinë e Francës. Të gjitha veprimet, të mira apo të këqija, udhëhiqeshin nga dashuria për vendin e tij. Nuk ka francez që të mos e njohë gjeneralin, atë, kokëfortin, që nuk pranoi t’i nënshtrohej humbjes, por edhe politikanin vizionar, çlirimtar, paqebërës, ndërtues, themeluesin e Republikës së Pestë, burrështetasin, bartësin e  një “ideje të caktuar të Francës” –  e lirë, krenare dhe e pavarur./Konica.al

“Sharl de Gol është një totem, një hero i hijeve dhe shkëlqimeve, bartës i vlerave pozitive. Çdo çast i jetës së tij, secili nga reagimet e tij, demonstron se është e pamundur të ndikosh në rrjedhën e historisë, pa një mprehtësi, energji, këmbëngulje, madje edhe kokëfortësi jashtë norme”.

“Zbulova ngadalë se gjiganti nuk kishte armaturë, se ndryshe nga një statujë graniti, ai ishte i shoqëruar nga ndjeshmëria dhe pasioni…”, – shprehet Jean-Pierre Cottet.

Gjenerali de Gol vijon të jetë një figurë komplekse, shumëplanëshe, nga e cila nuk është e lehtë të nxirren përfundime. Nëse gjesti i Francës së Lirë nuk ngre shumë kritika, krejt e kundërta ndodh me rikthimin e tij në pushtet pas vitit 1958. Çështja algjeriane dhe ndryshimet e qëndrimit të gjeneralit (disa aludojnë për mohime, madje edhe tradhti) zbulon ekuivoket e një njeriu, rrënjët e të cilit, lidhen si me të djathtën nacionaliste, ashtu edhe me krishtërimin shoqëror. Kreu i shtetit, Sharl de Gol vendosi atë që ai e konsideronte në interesin e Francës, para respektimit të disa besnikërive apo vlerave, edhe pse dikush mund ta cilësonte veprimin si cinizëm. Njeriu i vitit 1958, a do të kishte qenë ndryshe nga ai i qershorit 1940? Kjo, sigurisht, nuk mund të shpërfillë veprimin e rebelit të 18 qershorit, i cili në atë kohë refuzoi t’u nënshtrohej autoriteteve ushtarake dhe politike të vendit të tij, pavarësisht përgjegjësive që kishte si oficer. Me mënyrën e një profeti, ndonjëherë i keqkuptuar nga bashkëkohësit, ai zgjodhi një rrugëtim të vetmuar dhe origjinal të ushtrimit të pushtetit. De Gole mbetet figura më e rëndësishme politike e Francës nga koha e Napoleonit. Mbi 3 600 lokalitete franceze kanë një hapësirë publike kushtuar atij. Nëse de Gol bëri më shumë se kushdo tjetër për të krijuar Francën që njohim sot, shumë nga problemet me të cilat përballet sistemi i kanë rrënjët në trashëgiminë e tij. Personaliteti i tij nuk e mbajti larg de Golin nga përparimi i shpejtë në Ushtrinë Franceze. Madhështia e dukshme dhe etika fanatike e punës llogariteshin më shumë, së bashku me rekordin e tij të patëmetë në Luftën e Parë Botërore (ai i udhëhoqi ushtarët me guxim në luftime, u plagos dhe u përpoq shumë herë të arratisej, ndërsa ishte rob lufte në Gjermani). Arroganca që e karakterizonte e shpuri në grindje të pafundme me eprorët, përfshi me njeriun që për një kohë veproi si mentori i tij: Marshalli Filip Petë, më vonë kreu i regjimit të Vishisë./Konica.al

I ashtuquajturi “Fjalimi i 18 Qershorit” më vonë u prarua në legjendë, në çastin kur francezët morën zemër dhe filluan të bashkoheshin kundër pushtuesit. Në të vërtetë, të paktë ishin francezët që e dëgjuan, pasi në atë çast dëshpërimi pjesa dërrmuese mbështetën Petënin. Mirëpo, këmbëngulja e de Golit bëri që shumë shpejt personeli francez jashtë Francës të grumbullohej rreth tij, po kështu edhe disa koloni franceze. Sidoqoftë, nga 1944, de Gol gati po e çmendte Çërçillin, pasi ai kishte mbështetjen e mjaftueshme të pavarur në Francë dhe kolonitë e saj. Edhe pse udhëheqësit britanikë, amerikanë dhe sovjetikë kishin rënë dakord të njoftonin kapitullimin gjerman në 8 maj 1945, sërish i druheshin faktit se udhëheqësi i Francës së Lirë do t’i paraprinte për disa orë. Nga të gjithë aleatët e Uinston Çërçillit, Gjenerali de Gol ishte ndoshta ai që ai e konsideroi më të paparashikueshmin. Kur u kthye në Francë me ushtritë Aleate, në qershor të 1944, ai pati mbështetjen e mbarë popullit, që e kishte kuptuar se udhëheqja e tij garantonte rivendosjen e shpejtë të autoritetit civil francez. Biografi Julian Jackson citon, se, përmes “shfaqjeve të tij instinktive” dy muaj më vonë, ai e shndërroi çlirimin e Parisit në një demonstrim madhështor të krenarisë dhe ringjalljes kombëtare, duke organizuar një marshim masiv në Shamps Elize, ku mbajti një nga fjalimet e mëdha të shekullit të 20-të: “Paris. Parisi i indinjuar. Parisi i thyer. Parisi i martirizuar. Por Parisi u çlirua! I çliruar nga vetvetja, i çliruar nga populli i tij, me ndihmën e ushtrive të Francës, me ndihmën dhe mbështetjen e të gjithë Francës”. Vetë de Goli, autoritar si kurrë më parë, u përpoq t’i shmangte grindjet e brendshme politike dhe u përqendrua në politikën e jashtme. Punoi për të rivendosur ndikimin francez në Afrikë, mbikëqyri zhvillimin e armatimeve bërthamore në Francë dhe tërhoqi forcat franceze nga komanda e NATO-s, të gjitha në ndjekje të ruajtjes së statusit të superfuqisë së Francës. Siç shkruante edhe vetë në kujtimet e tij: “Franca nuk mund të jetë Francë pa madhështi”.

“De Gaulle gjithmonë mendonte në termat e kombit, kurrë në aspektin e ideologjisë”, – citon Julian Jackson.

Më 9 nëntor të këtij viti, mbushen plot 50 vjet nga dita kur Sharl de Gol u shemb para tryezës në shtëpinë e tij në Colombey-les-Deux-Eglises, teksa punonte në hedhjen e kujtimeve. Gjenerali de Gol është një monument kombëtar, pa të cilin do të ishte e pamundur të imagjinohej Franca dhe historia e saj. Ndërsa sot të gjitha forcat politike përkulen para statujës së tij, 50 vjet pas vdekjes së tij, çfarë na lidh akoma me personazhin? Si u ndërtua legjenda e tij? Si ta përkufizojmë golizimin? Sepse është po aq e vështirë të karakterizosh golizmin dhe vlerat e tij, pasi vetë njeriu është kompleks. Ekzistenca e tij i bën jehonë trashëgimisë së një France politike thellësisht të ndarë, për sa i përket sistemit politik. Nëse ekziston një legjendë, a mund të jetë fakti që gjenerali arriti të mishërojë, përmes përvojave të tij, paradokset e historisë franceze i vetëm dhe në një pikë të caktuar të historisë? Tek ai është njeriu, por ekziston edhe miti. De Gol donte të ishte i pandashëm nga imazhi i udhëheqësit të një France, që ai e konceptoi si një lloj entiteti fetar dhe donte ta mbronte përpos të gjitha mohimeve që duket, se i sollën rrethanat historike. Kaloi nëpër ngjarje të shumta historike, që e vendosën në pozicione të ndryshme politike. Fjalët-kyçe që ende na lejojnë të kuptojmë idetë e personalitetit de Golit: rendi, shteti, Franca, ligji, republika, ndjenja e unitetit të kombit. Drejtimi i fushatës “Colombey”, ku gjenerali donte të tërhiqej, një vend që mishëron njëfarë solemniteti të brendshëm për vlerat goliste. Një shkrimtar që shkruan legjendën e vet, veçanërisht përmes “Kujtime lufte”.

“De Goli pikturon një kanavacë, ku drita që ne pandehnim se ndriçon pikturën, vjen nga vetë piktura”.

Gjenerali ishte gjithashtu një bibliofil. Njeriut të veprimit i pëlqente të përhumbej në libra, të gjente në njëfarë vetmie, “mikun” e tij prej shumë kohësh. Leximet e kujdesshme të poezisë, romaneve klasike dhe bashkëkohore e ushqyen më së shumti. Ndër autorët e preferuar ishin: Corneille, Romain Gary, Le Clezio dhe François Mauriac.

Më 12 nëntor 1970, gjenerali u varros në varrezat  “Colombey-les-Deux-Églises”, pranë vajzës, Anne. Që prej atëherë, fshati është shndërruar në destinacionin e shumë vizitorëve, të cilët mund të shohin shtëpinë, të meditojnë në varreza, të vizitojnë Memorialin, rrëzë një Kryqi monumental të Lorenës./Konica.al

 

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pse gjithë ai interesim i madh për Shqipërinë?

A i vlerësonte Napoleoni shqiptarët?