MENU
klinika

"Kryeministri ofroi vetëm një pagë dhe..."

Përfundon takimi i Ramës me naftëtarët, pa marrëveshje!

09.11.2020 - 20:20

Ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama me 8 përfaqësuesit e naftëtarëve të Ballshit, pas 2 orësh bisedime në bashkinë e Fierit.

Nuk ka patur një marrëveshje mes naftëtarëve dhe kryyeministrit për pagat e prapambetura, pasi qeveria u premtoi naftëtarëve vetëm 1 pagë dhe vënien në punë të rafinerisë.

Për këtë ka folur edhe kryetari i sindikatës Sokol Dautaj, i cili u shpreh se vendimi tashmë i takon punëtorëve, të cilët mund të vendosin të rikthehen në grevë.

“Me zotin Rama kërkesa e parë është ajo e pagave të prapambetura. Nuk është arritur marrëveshja. Asnjë nga palët nuk ka rënë dakord. Është rënë dakord në muajt në vazhdim të marrim nga një pagë të plotë. Nuk kemi dalë të kënaqur.

Rama na premtoi risjelljen në rafineri të një kompanie serioze dhe dhënia e një page. Gjithçka do të diskutohet me kolegët.
Ne kemi një pikë të panegociueshme, pagat tona. Shteti nuk i merr përsipër me 15% të pagave por rivënien në punë të rafinerisë dhe të japë një pagë. Ne diskutuam një projekt që ata kanë. Nesër nëse punëtorët duan mund të futen sërish në grevë.

Kryeministri Edi Rama foli për media pas takimit me naftëtarët e Ballshit, të cilët ndërprenë dje grevën e gjatë të urisë, duke pranuar të ulen në bisedime.

Pas takimit, kreu i qeverisë tha se është vendosur që qeveria t’i mbështesë naftëtarët financiarisht, por jo me pagën e tyre të punës.

“Patëm një bashkëbisedim të hapur. Më vjen mirë që i krijuan këto kushte, pasi në kushtet e grevës nuk mund të bisedohej. Janë gjithë ato familje që kalojnë një moment aspak të lehtë. Faktikisht kemi ndarë kohën, në sensin që çfarë janë çështje që lidhen me marrëdhënien private, janë çështje që nuk i takojnë qeverisë, por çështja e këtyre njerëzve sot është një çështje që na takon ne, që ta adresojmë së bashku me ta, me mirëkuptimin e tyre, pasi rruga e thjeshtë ligjore do të ishte që të drejtoheshin në zyrat e punës për të marrë asistencën. Në këtë rast bëhet fjalë për një grup njerëzish që kanë një eksperiencë dhe një formim profesional në një fushë që ne nuk kemi absolutisht luksin ta zhbëjmë.

Për këtë arsye ne i kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare në kohë për gjithë punëtorë, nuk mund të jetë paga e punës së tyre, sepse faktikisht rafineria është e fikur. Nuk është çështja jonë paga e prapambetur, ajo është një çështje që ka të bëjë me marrëdhënien e tyre me kompaninë. Vendimi gjyqësor për të cilin ata flasin lidhet me detyrimet e kompanisë, jo me të qeverisë. Qeveria nuk merr përsipër të zgjidhë ato çështje, që i zgjidhin kompanitë. Nuk i takon qeverisë të adresojë atë vendimi gjyqi. Ne nuk jemi dorëzuar lidhur me të ardhmen e kësaj rafinerie, sepse të gjitha analizat tona tregojnë se rafineria nuk është për skrap sot”, tha Rama.