MENU
klinika

Tre skenarët dhe pasojat për Evropën

Çfarë është në lojë për Shtetet e Bashkuara, dhe gjithë botën?

05.11.2020 - 17:30

Në praktikë, ndërsa SHBA-ja duket e ndarë mbi çdo çështje, shumica e amerikanëve bien dakord se “vendi i tyre i madh” kërcënohet nga “fashizmi”, dhe se në këto zgjedhje është në rrezik vetë demokracia. Nga “zgjedhjet e vjedhura” të vitit 2000 e në vazhdim, çdo president është konsideruar i paligjshëm nga një përqindje në rritje e mbështetësve të partisë kundërshtare, nga Xhorxh W.Bush tek Donald Trump dhe Barak Obama.

Zgjedhjet e sotme nuk do të jenë përjashtim, edhe nëse kandidati demokrat Xho Bajden do të fitonte me një shumicë të konsiderueshme (sikurse pritet nga shumica e sondazheve). Ndërsa gati të gjitha sondazhet nxjerrin fitues Bajdenin, unë jam i kujdesshëm për shkak të asaj që ndodhi në vitin 2016, dhe nuk e përjashtoj as një fitore të mundshme të Trump. Ja cilët janë 3 skenarët e mundshëm.

Skenari i parë

Trump humbet zgjedhjet por refuzon të pranojë humbjen dhe të largohet nga Shtëpia e Bardhë. Edhe pse është skenari më pak i mundshëm, ai është ende i mundur, sepse Trump ka folur disa herë mbi të. Bazuar në sjelljen e tij gjatë 4 viteve të fundit, mund të presim që Partia Republikane të rreshtohet krah tij, ose të paktën të mos përpiqet t`a pengojë atë. Shumëçka do të varet nga reagimi i opinionit publik, në media dhe në rrugë, dhe nëse do të ketë përpjekje për të vendosur ushtrinë përkrah presidentit të zgjedhur mbi atë që është ende në detyrë. Por edhe nëse fiton Bajden, presidenca e tij do të jetë një lloj Obama 3, e konsumuar kryesisht nga një Senat rebel i dominuar nga Partia Republikane dhe e kundërshtuar nga shumica e shteteve të kontrolluara nga republikanët.

Nga ana tjetër, Bajden si president do t’i jepte fund sulmeve ndaj demokracisë liberale amerikane, dhe do të rikthente financimin, mbështetjen dhe besimin ndaj agjencive kryesore federale Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit (EPA) dhe FBI. Zëvendëspresidentja e tij, ish-prokurorja Kamala Harris, do të fokusohet tek reforma në drejtësi, e cila mund të ketë pasoja politike afatgjata.

Skenari i dytë

Trump e humbet sërish votën e popullit, por fiton zgjedhjet falë sistemit zgjedhor. Edhe pse pa dëshirë, dhe ndoshta pas disa apelimeve në gjykatë, Bajden dhe Partia Demokratike do të pranojnë humbjen. Në atë pikë ata do të kritikohen ashpër nga krahu i majtë i partisë, që do t’i akuzojë ata se janë shumë afër oligarkëve të Wall Street-it.

Ndërsa ka të ngjarë të ketë protestat në qytetet kryesore, dhe pa dyshim që do të ketë vandalizëm dhe episode të dhunshme, nga ana tjetër nuk ka gjasa që të ketë ndonjë rezistencë të armatosur.

Vetë Trump do ta shohë rizgjedhjen e tij si një formë hakmarrjeje ndaj fushatës së tij autoritare dhe raciste, dhe do t’i përdorë protestat për të filluar një ofensivë ndaj zërave kundër dhe protestave politike, me mbështetjen e shumicës së republikanëve që me ngurrim ose entuziazëm, do t`a pranojnë hegjemoninë e Trump për vitet që vijnë. Në thelb, Trump do të vazhdojë të qeverisë kryesisht si më parë, ndoshta me më pak përmbajtje, dhe madje edhe më pak kundërshtime.

Skenari i tretë

Në skenarin e tretë Bajden fiton presidencën me një shumicë dërrmuese. Ashtu si në vitin 2008, e majta do të kontrollonte presidencën, Senatin dhe Kongresin. Por këtë herë presidenti nuk do të ishte një rishtar, por një politikan me përvojë,që nuk do t’i harxhonte 2 vitet e para në detyrë duke u përpjekur ta kuptonte sistemin, apo se si t’i bindte republikanët të bashkëpunonin.

Bajden do të sillte një numër ndryshimesh të rëndësishme në muajt e parë të presidencës së tij. Ai do të riparonte disa nga dëmet e shkaktuara nga Trump, për shembull duke i dhënë fund hyrjes së myslimanëve nga disa vende, duke miratuar politika afatshkurtra që synojnë vënien nën kontroll të pandemisë së Covid-19 dhe shpejtimin e rimëkëmbjes

Cilat do jenë pasojat për Evropën?

Pavarësisht artikujve sipërfaqësorë rreth “mbështetjes në rritje ndaj Trumpit në Evropë”, Trump është shumë jopopullor në kontinent, si midis politikanëve ashtu edhe votuesve. Një nga mbështetësit e qartë të Trump është kryeministri hungarez Viktor Orbán, por më shumë sesa një lidhje e vërtetë ideologjike, simpatia e Orban nxitet nga interesi i tij personal.

Nëse Trump mbron udhëheqësit autoritarë nga kritikat dhe sanksionet, Bajden e ka bërë të qartë se SHBA do të mbrojë në mënyre aktive dhe promovojë demokracinë dhe të drejtat njeriut në të gjithë botën. Ndaj, një fitore e Bajden do të jetë goditje e rëndë për partitë e ekstremit të djathtë që për momentin nuk janë në pushtet, nga Front Kombëtar i Marin Lë Pen të LEGA e Mateo Salvinit.

Në aspektet më thelbësore, marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të ndryshojnë aq drastikisht sa duket se mendojnë disa. Sigurisht, Bajden nuk do të marrë haptazi sulmet kundër BE-së apo NATO-s, por ai nuk do të bëjë më shumë sesa të rikthejë garancinë e mbështetjes së Uashingtonit.

Cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit, Evropa duhet të nxjerrë një mësim të rëndësishëm: kontinenti duhet të fillojë të ecë me këmbët e veta, pa u mbështetur nga pikëpamja politike dhe ushtarake tek Shtetet e Bashkuara.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN