MENU
klinika

VIDEO

Tri ditë Shqipni

28.11.2020 - 21:02

Flamuri kombëtar është vendosur kudo, rrugët janë stërmbushur me njerëz, furrat dhe mishtoret janë hapur pa pagesë që qytetarët të shërbehen me bukë e mish, kurse kënga e vallja ka jehuar nga agimi në mbrëmje.

Kështu kujtohet kremtimi i Ditës së Flamurit – 28 Nëntori, në vitin 1941, kur Kosova ishte e bashkuar me Shqipërinë dhe prishtinasit ishin vetëm banorë të një qyteti të Shqipërisë, ndërsa kryeqytet kishin Tiranën.

Banorët e Kosovës që janë gjallë sot, e në atë kohë ishin nxënës të Shqipërisë etnike, mbajnë mend edhe pikat kufitare të Shqipërisë që përfshinin tokat e çliruara me katër prefektura: Prizreni, Peja, Prishtina dhe Dibra. Por, meqë aq shpejt kishte kaluar kjo periudhë, nga pleqtë ishte konsideruar si “Tri ditë Shqipni”.

Ibrahim Stublla (1932), 83-vjeçari, tashmë i ndjerë, në një intervistë dhënë për “Zërin” kohë më parë pat rrëfyer se ishte vetëm tetë vjeç e gjysmë kur mori pjesë në festimin për herë të parë të Ditës së Flamurit në këtë qytet, por që po kremtohej dhe në gjithë Kosovën në vitin 1941. Shqipëria, në kujtimet e tij të këtij viti kishte 74 mijë kilometra dhe Podujeva qyteti ku ka lindur ai ishte një nga qytetet e Shqipërisë. Shtatëdhjetekatër vjet pas, ai rrëfen për “Zërin” sesi u shpërnda lajmi se më 28 Nëntor duhet të festohet Dita e Çlirimit.

Ndryshimi që shqiptarët e përjetuan për herë të parë

“Populli nuk mbahet mend të ketë pasur gëzim më të madh. Më 28 Nëntor 1941 ishte festa e parë që u bë në rrethin e Llapit, njerëzit u mblodhën në atë shesh që kishte qyteti në atë kohë, vinin nga të katër anët, zbrisnin me kuaj nga fshatrat, u bë si dasmë me një fjalë, thernin bagëti, hanin populli bukë e mish dhe ne fëmijët këndonim këngë me motive kombëtare. Të gjitha furrat e mishtoret kanë qenë të hapura që të marrë populli ushqim për kremtim”, kujtonte plaku Stublla, e që më vonë u bë një nga mësuesit e parë të kësaj komune.

Në rrëfimin e tij na vijnë pamjet dhe faktet nga ajo dite; në ballkonin e një ndërtese u shfaqen dy vajza që recituan vjersha për 28 Nëntorin dhe hoxhën e qytetit që bënte amin. Edhe imamët (feja) në atë kohë ishte bashkë me elitën intelektuale. Falë inteligjencës shqiptare për herë të parë më 1941 populli shqiptar përjetoi një festë të madhe kombëtare. Liria e plotë e shqiptarëve kishte xhandarmërinë e tyre, shkollat, administratën…,kurse vulat mbanin emrin Shqipëri. Flamurin kombëtar për herë të parë, ai e ka parë si fëmijë tetë vjeç e gjysmë, që u vendos në shkollë nga një oficer gjerman, i shoqëruar nga dy banorë shqiptarë.

“Filloi zgjimi kombëtar, e pamë flamurin, këngë shqiptare me motive patriotike këndoheshin… Kemi përjetuar liri të plotë, gëzim, shkollim, djem e vajza bashkë shkonim, u bë një ndryshim që kurrë shqiptarët s’e kanë përjetuar gjatë historisë së mëparshme”, ka rrëfyer ai.

Çlirimi solli dhe abetaren e parë shqipe në duar të nxënësve. Ndërsa suksesin në përfundim të mësimit e kanë marrë me vulë të Shqipërisë etnike, kurse mëngjes për mëngjes këndohej himni i flamurit kombëtar.

“Në prill të vitit 1941 hynë gjermanët dhe në fund të 1944-ës Gjermania u tërhoq dhe kufiri me Shqipërinë etnike u hoq duke u vendosur kufij politikë. Kur hynë këta (ish-Jugosllavia) i sollën festat e veta dhe ne humbëm festat tona”. Kur gjermanët u tërhoqën dhe kufijtë etnikë u ndryshuan, ai thotë se “u përfshinë nga mjerimi”. “Flamuri u hoq dhe askund nuk guxonim ta vendosnim, kurse historia nacionale ishte rreptësishtë e ndaluar”. Pastaj filluan persekutimet. “I merrnin inteligjencën më të shkolluar e i vrisnin pa iu bërë gjyq…”, thuhet në deklaratën e Stubllës./Zëri