MENU
klinika

Në shtetet kryesore

Zgjedhjet në SHBA: Çfarë sfidash ligjore po planifikon Trump?

09.11.2020 - 09:47

Demokrati Joe Biden është shpallur president por Presidenti ende në detyrë, Donald Trump është duke planifikuar sfida ligjore për rezultatet në disa shtete kryesore.

Avokati i tij Rudy Giuliani tha se do të ishte e gabuar që Trump të pranonte humbjen sepse: “Ka prova të forta se këto ishin zgjedhje që në të paktën tre ose katër shtete, dhe ndoshta 10, ishin vjedhur”.

Fushata Trump ende nuk ka siguruar këtë “provë të fortë” por thotë se ka në plan të paraqesë padi në disa shtete kryesore sot.

Ja çfarë dimë deri më tani.

Pensilvani

Giuliani thotë se padi të mëtejshme do të ngrihen lidhur me vëzhguesit e sondazheve në shtet. Vëzhguesit e sondazheve janë njerëz që vëzhgojnë numërimin e votave, me qëllim që të sigurojnë transparencë. Ata lejohen në shumicën e shteteve për sa kohë që janë regjistruar para ditës së zgjedhjeve.

Në disa zona këtë vit, ka pasur kufizime të vendosura para ditës së zgjedhjeve, pjesërisht për shkak të koronavirusit. Fushata Trump ka ngritur një padi federale duke akuzuar zyrtarët e zgjedhjeve për shkeljen e urdhrit të gjyqtarit.

Giuliani tha: “Edhe kur u mor një urdhër gjykate për të lejuar inspektorët Republikanë të afroheshin gjashtë metra më afër, ata i zhvendosën njerëzit duke numëruar fletët e votimit gjashtë metra më larg.” Por zyrtarët e zgjedhjeve këmbëngulin se ata u sollën siç duhet.

Miçigan

Trump fitoi shtetin në 2016 me diferencë të vogël pak më shumë se 10,700 vota dhe Biden u parashikua fitues në 2020.

Më 4 nëntor, fushata Trump ngriti një proces gjyqësor për akuzat për mungesë aksesi për të vëzhguar procesin.

Një gjykatës hodhi poshtë procesin gjyqësor, duke thënë se nuk kishte prova të mjaftueshme që procedurat e mbikëqyrjes nuk u ndoqën.

Wisconsin

Fushata e presidentit ka thënë se do të kërkojë një rinumërim në Wisconsn “bazuar në anomalitë e zbuluara” në ditën e zgjedhjeve, megjithëse kjo nuk do të kërkonte një proces gjyqësor.

Është e paqartë se kur do të ndodhë ky rinumërim, pasi zakonisht këto nuk ndodhin derisa zyrtarët të përfundojnë shqyrtimin e votave.

Afati i fundit i shtetit për këtë pjesë të procesit është 17 nëntori.

Profesori i Shkollës së Drejtësisë në Universitetin Columbia Richard Briffault thotë se një rinumërim në Wisconsin  në 2016, “ndryshoi rezultatin me rreth njëqind vota”.

Xhorxhia

Një proces gjyqësor u ngrit në Chatham County të Xhorxhias për të ndalur numërimin, duke pretenduar probleme me numërimin e votave.

Kryetari i Republikanëve të Xhorxhias, David Shafer shkroi në Twitter se vëzhguesit  panë një grua “të përziente mbi 50 fletë votimi në grumbullin e fletëvotimeve të panumëruara ende”.

Më 5 nëntor, një gjykatës hodhi poshtë këtë proces gjyqësor, duke thënë se nuk kishte “asnjë provë” për përzierjen e parregullt të votave.

Arizona

Fushata Trump ngriti një padi në Arizona të shtunën, duke pretenduar se disa vota ligjore u refuzuan.

Rasti citon deklaratat e disa vëzhguesve të sondazheve dhe dy votuesve të cilët pretendojnë se kishin probleme me makineritë e votimit.

Procesi gjyqësor është duke u shqyrtuar, por Sekretari i Shtetit i Arizonës tha se ishte përpjekje e kotë e tyre për trazira.

A mund të arrijë në Gjykatën e Lartë?

Të mërkurën, Trump pretendoi mashtrim në votim – pa siguruar prova – dhe tha: “Ne do të shkojmë në Gjykatën e Lartë të SHBA”.

Nëse rezultati i zgjedhjeve sfidohet, së pari do të kërkonte që ekipet ligjore ta hedhin çështjen në gjykatat e shtetit.

Gjykatësit e shtetit do të duhet të pranojnë çështjen dhe të urdhërojnë një rinumërim.

Pastaj mund të kërkohet nga Gjykata e Lartë që të vlerësojë.

Përkthyer dhe përshtatur nga: BBC/ F.H, konica.al