MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

A po shkon secili në shtëpinë e tij?

17.12.2020 - 12:58

Në sondazhin e Piepolit, duket në pamjen e parë një paradoks. Të dhënat e publikuara prej tij shfaqin dicka që nuk karakterizon historinë e këtyre tridhjetë viteve të fundit. Jemi mësuar që zakonisht pas dy mandateve qeverisëse, forca e kësaj të fundit përfaqsuar nga partia apo koalicioni përkatës dobësohet. E pastaj shikojmë praktikisht një rregull të pashkruar, e cila presupozon në radhë të parë rrotacionin e pushtetit. Në të gjitha sondazhet e bëra para procesit zgjedhor pavarësisht sesi është gjykuar përkatësia e autorëve të tij nga publiku i gjërë apo militantët e të dy kampeve, përfundimet kanë qënë të njëjta. Aq e qartë ka qënë kjo rregull e pashkruar, sa në vitin 2013, opozita e bashkuar megjithë mosbesimin e krijuar në vite, ja la Komisionin qëndror partisë në pushtet dhe megjithatë fitoi në mënyrë bindëse.

Sondazhi i Piepolit duket se thyen për herë të parë këtë rregull. Kemi përsëri distancën e PS nga PD që është krijuar nga viti 2017. Ndërkohë sondazhi tregon akoma se dy partitë e mëdha janë rritur gati nga 6 përqind krahasuar me katër vite më parë. Nëse shikon LSI, ajo është zvogëluar me 10-12 përqind, masë kjo që është ndarë në mënyrë të barabartë në dy partitë e mëdha.

Sondazhi në të gjitha rastet është fotografim i një realiteti të castit. Dhe fotografia nuk është pikturë sado e përsosur të jetë. Nisur nga kjo është e nevojshme analiza, që ndryshe nga sondazhi mbështetet normalisht në epistemologji, apo thënë në formë të divulguar, në historinë që ka krijuar këtë tabllo.

Pyetja e parë që vjen duke shikuar sondazhin e Piepolit është kjo.

 Zvogëlim i LSI-së, apo po shkon secili në shtëpinë e tij?

Nëse i beson sondazhit të mësipërm, përgjigja është e thjeshtë. Fakti që LSI, ka humbur 10 -12 përqind dhe kjo përqindje e humbur është ndarë në mënyrë të barabartë te dy partitë e mëdha të tregon qartë se po ndodh pikërisht procesi i kthimit në shtëpinë e vjetër të pjesës më të madhe të LSI. Shtëpi e cila nuk është e saja dhe janë dy partitë e mëdha që fitojnë kësaj radhe, pra jo vetëm Rama por edhe Basha….

Për të kuptuar arsyen e këtij kthimi, duhet ti referohemi fillimisht vitit 2009. Në këtë periudhë, LSI ka pasur 83 mijë vota. Në 2017, ajo shkoi në 225 mijë. Pra u rrit gati në 300 përqind. Në kurriz të kujt u rrit kjo masë votuesish? Në radhë të parë në atë të PD, nëse shikon shifrat e kësaj të fundit në vitin 2017. Ajo ka humbur nga viti 2009 kohë kur ndërtoi aleancën me LSI deri në 2017, gati 160 mijë vota. Një pjesë të tyre në zgjedhjet lokale të 2011, kur i dhuroi një pjesë të qyteteve, aleates së saj. Një pjesë tjetër i humbi në zgjedhjet e 2013, kur LSI u bashkua me PS dhe mori me vete edhe një pjesë të administratës së PD, e cila donte të ndjehesh e mbrojtur nga ndërrimi i pushtetit.

Një pjesë tjetër në vitin 2017, pasojë e qëndrimit të dyzuar të PD, e cila fillimisht kërkoi kthimin në shtëpi të pjesës që kishte humbur dhe në mes të betejës e ndërroi këtë parullë. E keqja u thellua dhe nga zgjedhja prej socialistëve e Metës në krye të shtetit, cka bëri që parulla e Bashës të binte akoma më shumë në boshllëk. Me këtë manovër të socialistëve u kuptua thjesht se nga do anonte fitorja.

Për të mos i lodhur lexuesit në batërdinë e shifrave po i mbyllim ato në këtë formë. Nëse diferenca PS plus LSI nga PD në vitin 2009 ishte gati 100 mijë vota, në vitin 2017 ishte shndrruar në 500 mijë të tilla. Këtu mund të nxjerrim konkluzionin e parë. Ja cdo të thotë të kërkosh miell hua nga kundërshtari yt politik për të mbajtur pushtetin. Berisha bëri natyrisht një gabim fatal në 2009, kur kërkoi ta mbante atë nëpërmjet aleancës me LSI. Pasojat mund ti shohë ai dhe të tjerët rrotull tij sot. Natyrisht mund të thotë se nuk kishte asnjë mundësi të mbante pushtetin në formë tjetër për arsyen e thjeshtë se e majta kishte gjithnjë epërsi votash dhe mënyra e vetme ishte të shkaktonte përcarje aty. Po kjo tezë që mund të rezultojë e saktë në taktikë, është e ndryshme nga ajo që të kërkosh që një pjesë të saj ta futësh në shtëpinë tënde. Kush ka qejf krahasimet të kujtojë, se cfarë ndodh kur sharton një dardhë me një mollë.

Procesi i shtimit të votave të LSI nuk erdhi vetëm nga strategjia e PD së, por dhe nga një faktor tjetër. Një pjesë e PS pas fitores, u rregjistrua artificialisht në LSI me qëllim të përfitonte edhe ajo në mënyrë indirekte beneficiet e pushtetit duke qëndruar në radhët e dyta, por gjithnjë brënda shtëpisë së fituesit.

Kur grinden të mëdhenjtë, natyrisht fitojnë më të vegjlit. Këtë e kuptoi qartë Rama dhe ishte ai që coi deri në fund lëvizjen e mbetur në mes të rrugës në zgjedhjet e vitit 2017 nga Basha. Pra thjesht mori parullën e këtij të fundit dhe tha. “Secili në shtëpinë e tij” por kësaj radhe me një motiv të ndryshëm.

Në momentin që flasim, PS ka rreth 300 mijë vota diferencë nga PD e vitit 2017. Kjo diferencë e krijuar  nga rrjedhjet e kësaj të dytës përgjatë viteve që analizuam më sipër, të lejon të të mendohesh ti lësh ujërat të rrjedhin qetë duke i besuar pamundësisë për ta humbur këtë diferencë me kundërshtarin politik, apo ta ndryshosh skenën me lëvizje taktike apo vendime strategjike.

Një pjesë e analistëve, mendojnë se Rama ka krijuar epërsi me ndryshimin e Kodit zgjedhor dhe ndoshta edhe për këtë arsye sondazhi i Piepolit thekson pikërisht këtë ndryshim. Po a është kështu?  Kur kundërshtarët e tij politikë, theksojnë se me ndryshimet e Kodit zgjedhor ai kërkon të manipulojë zgjedhjet më shumë belbëzojnë se bërtasin. Skema e Ramës bazuar në parullën e mësipërme, rrezikon të krijojë situatat e vitit 2005, apo të bjerë përsëri variantin e vitit 2009. Pra një LSI me më pak përqindje se sa tani dhe një PD që mund të rikthejë një pjesë të votave sa nga LSI aq edhe nga PS. Në këtë sens edhe nëse Rama ka ndryshuar Kodin zgjedhor për të realizuar idenë e tij ajo mbart edhe për të rrezikun që përmëndëm. Atëhere nga buron kjo siguri nëse besojmë kundërshtarët e tij, se ai vetë e ndryshoi Kodin?

Mund të mendosh edhe kështu pra se ai ka ndryshuar Kodin. Por duhet të thëmi ndërkaq se një aleancë dhe dalje me një sigël të vetme PD-LSI, do të krijonte një telash më të madh për vetë PD dhe kjo jo për arsyet që komentuan një pjesë e analistëve të majtë.  Një listë e vetme do ti shkaktonte kokëcarje të tmerrshme PD që duhet të gjente strehë të sigurtë për kandidatë e LSI që kësaj radhe ishin shumë shumë më tepër nga viti 2009. Të bëje këtë veprim do të thotë të vazhdoje apo të bije në të njëjtin gabim si ai i filluar prej Berishës në 2009 dhe akoma më keq. Sepse perifrazuar Bashën ishte të bëje dy herë të njëjtin gabim, cka do të thotë se nuk të ka gënjyer njeri. Dhe nëse në listën e njësuar pra bashkë me PD të fusje edhe aleatët e tjerë vec LSI, psh PDIU që është shtuar me një manovër analoge si ajo e LSI jo 300 por 500 përqind, kjo do të ishte e barabartë me vetvrasje politike për PD dhe kryetarin e saj. A ka menduar realisht këtë Rama me ndryshimin e Kodit, pra të krijojë kaosin e treguar e të fusë brënda tij Bashën?

Ndoshta, por vetë besoj se nëse nuk ka ndonjë arësye më të thellë që qëndron prapa, thjesht mendoj se Basha ka psherëtirë i lehtësuar në mos ka falenderuar në heshtje ndryshimin e Kodit nga kundërshtari, politik që e ka shpëtuar nga kaosi. Megjithatë duhet ritheksuar se ndryshimi i Kodit duket në pamje të parë praktikisht i barabartë me rrëmujë dhe kaos edhe për vetë PS. Të ndarë në dy fronte PD dhe LSI nëse do të bëjnë aleancë, mund të shkojnë në variantin e 2009. A mos e teprojmë në analizë sepse ndarja në dy fronte të shpie edhe në humbje deputetësh sic i ndodhi PS dhe LSI në këtë vit. Ku megjithse ishin në numër votash më shumë, përsëri deputetët e të dyve ishin të barabartë me ata të PD. Analiza e plotë të thotë të mirat e të këqijat e ndryshimit të Kodit zgjedhor. Por rreziqet duken të njëjta për të dy palët. Rama mund të shkojë në skenarin e 2009, cka do ta rrezikonte, por nga ana tjetër ky skenar do të thoshte se opozita mund të humbte një pjesë deputetësh edhe nëse siguronte vota më shumë se kundërshtari….

Nga buron siguria e socilalistëve që zgjodhën variantin e ndryshimit të Kodit? Sondazhi i Piepolit të paktën tani për tani tregon se partitë e mëdha nuk kanë luajtur nga pozicionet e tyre. PD është rritur dhe LSI është ulur. Por ulja e saj ka shkuar në një rritje me proporcion të barabartë te PD dhe tek PS.

Vazhdimi i kësaj situate fotografuar nga Piepoli do të shpinte në një variant të ngjajshëm me të 2009.

Për entuziastët e të djathtës, mund të kujtoje 2013 kur ndodhi bashkimi i PS me LSI dhe fitorja e tyre ishte e plotë. Në favor të kësaj teze do të shkonte fakti se edhe Rama tani si Berisha atëhere vjen pas 7 viteve qeverisje. Akoma më shumë, teza përforcohet nga një fakt tjetër. Në sondazhin e Piepolit pavarësisht diferencës që kishin palët ndaj njëra tjetrës, në thuajse 12 fusha të ndryshme të qeverisjes nga reforma në drejtësi e deri te korrupsioni apo ekonomia, pakënaqësia e publikut ishte në kuota mbi 50 përqind. Faktet e mësipërme të thonë se jemi thuajse përfundimisht në skenarin e 2009 për shkak edhe të ndryshimit të Kodit dhe pothuajse edhe në skenarin e 2013- tës. Po sic thamë sipër sondazhi i Pieepolit është fotografi dhe kjo e fundit ndryshon nga piktura. Cilët janë arsyet që megjithse skenarët ngjajnë me 2009-tën dhe 2013-tën, përsëri PS mban një avantazh të ndjeshëm ndaj PD dhe LSI?

       Beteja për qëndrën e Shqipërisë dhe sondazhi i Piepolit

Në sondazhin e Piepolit të bënte përshtypje një fakt. Diferenca e PS ndaj PD ishte më e thellë në Qarkun e Tiranës. Ky faktor është i rëndësishëm së pari për arsyen e thjeshtë. Këtu banon shumica e popullsisë dhe në zgjedhjet e ardhshme numuri i deputetëve kap shifrën e gati 25 përqind të parlamentit. Duhet të shtosh këtu dhe faktorët standart, se Tirana është qëndra më e madhe financiare, ekonomike. Analiza poshtë bëhet edhe për të gjykuar skenarët e treguar më sipër për vitet 2009 dhe 2013. E gjitha sa u tha të shpie ndërmënd qeverisësit e saj Bashën e atëhershëm dhe Veliajn e tanishëm.

Analiza duket se është e detyruar jo aq për shkak të një rregulli të pashkruar që nga koha kur Rama u bë kryebashkiak i Tiranës se një figurë e tillë është pasqyra e qeverisë qëndrore apo një nga shkaqet e rëndësishme që vendosin në zgjedhjet e ardhshme.

Basha nuk ka shumë për të thënë për mënyrën si e arriti këtë post. E po ashtu edhe për mënyrën si e qeverisi Tiranën megjithë përkrahjen pa rezerva të kryeministrit të kohës. Vetë besoj se ishte një nga shkaqet e rëndësishme që shpunë në humbjen e Tiranës si qark pastaj edhe vëndit nga PD. Po të marrim parasysh edhe eksperiencat e mëparshme të tij qeverisëse, situata flet akoma më pak në favor të tij. Veliajn e kam parë nga larg dhe me mosbesim thjesht edhe për mungesën e një ekperience qeverisëse. E jo shumë për ndërtesat e larta që duket kanë mbirë në Tiranë në kohën e qeverisjes së tij. Në këtë pikë bashkohem me kritikët e tij megjithse e di mirë se në këto lloj projektesh nuk mund të jetë dora e tij e karakterit vendimtar. Kjo si në shumë projekte të karakterit madhor për Tiranën si pasqyrë e Shqipërisë.

Problemi i parë nga një kënd tjetër duket po aq i lidhur me cfarë thashë më lart. Tirana e Hoxhës që kishte rreth 200 mijë banorë vuante nga mungesa e ujit dhe ajo e energjisë, Si do të veprohej me këto dy aspekte themelore për jetën e njerëzve. I gjëndur në Mynih në 2017 për të ndihmuar një të afërmin tim për tu strehuar meë thanë se kisha fat pasi disa muaj më vonë në qytet mundësia e strehimit apo ndërtimeve të reja ishte e vështirë. Kjo pasi ky qytet megjithse u shpall si qyteti më i mirë në botë për të jetuar, i kishte zvogëluar në zero rezervat e furnizimit me ujë dhe energji për të ardhurit pas periudhës së përmëndur.

Nisur edhe nga kjo sa u përshkrua për Mynihun, mendova thjesht se Tirana që sot është ndoshta mbi njëmilion banorë apo pesëfishin e njerëzve të 1990 dhe shumë tepër e uritur për ujë dhe energji se atë kohë do të reflektonte probleme të mëdha dhe ndërtimet e reja mund ta thyenin përfundimisht. Duket se situata u kalua. Kryebashkiaku i ri pa asnjë eksperiencë qeverisëse me tendencën edhe të dekurajimit, dhjetëfishoi taksat për ta dhe u preokupua për faktorët e mësipërm për ujë dhe drita. Në thelb nëse kritikat sipër në lidhje me ndërtimet e larta mund të jenë cështje shijeje individuale, pyetja shtrohet drejpërdrejt kështu; A është përkeqsuar apo përmirësuar situata në dy elementët jetësorë të mësipërm? Nëse po kjo dhe kjo rezulton e vërtetë ( Veliaj e ka përmirësuar dhe jo keqsuar situatën në këta sektorë) kjo e nderon punën e tij apo ndryshe është një nga faktorët që shpjegon diferencën e tij edhe nga vetë PS në rang vëndi. Ka një specifikë tjetër që ka lidhje të drejpërdrejtë me përqindjet e sondazhit. Reforma territoriale e shumëfishon punën dhe detyrat e kryebashkiakut, pasi e lidh atë jo vetëm me periferinë por dhe fshatrat. Duket se në këtë pikë ai është shëmbull edhe për analogët e tij në të gjithë vëndin. Analiza për Veliajn dhe Bashën ka rëndësi dhe bëhet këtu së pari për të reflektuar mbi sondazhin e Piepolit. Nga ana tjetër duket domethënës krahasimi i kryebashkiakut të tanishëm me paraardhësin e tij, që tani kërkon postin e kryeministrit. Përfundimi në thelb është një shënjë jo të mirë dhe që të thekson akoma më shumë, se skenari i vitit 2013 nisur nga qëndra më e rëndësishme e vëndit është i vështirë për tu marrë në konsideratë seriozisht. Tirana e Veliajt është një element i rëndësishëm që e thekson këtë përfundim.

  Sa është i mundur realisht skenari i viteve 2009 apo i 2013 ?  

Në një plan të parë gjykimi, duket se skenari i vitit 2009 është llogjikisht i mundur. Kjo në aspektin formal nëse i referohesh jo vetëm ndryshimit të Kodit zgjedhor. Në një aleancë PS me LSI zgjedhjet janë të mbyllura që sot dhe analiza ka vlerë në rastin e aleancës PD plus LSI. Rama i ka theksuar arsyet e tij, Meta jo. Pavarësisht arsyeve mund të thuash se zgjedhja e Ramës është e llogaritur saktë dhe me qitje të largët. Do të ishte demotivuese për shumë faktorë zgjedhja e aleancës me LSI dhe besoj nuk do të zgjonte ndonjë optimizëm të madh edhe në komunitetin ndërkombëtar. Një opozitë e demotivuar, por edhe e pashpresë mund të binte elementë destabiliteti në prag jo vetëm të bisedimeve me Europën që pret një gjallërim të jetës politike, por dhe një opozitë me shpresë. Një faktor tjetër është ekonomia që vec të tjerash do të vuajë për një kohë të gjatë pasojat e tërmetit dhe pandemisë. Pasoja këto që zor se mund të mbyllen pa një opozitë normale dhe të komunitetit ndërkombëtar që i mban sytë tek stabiliteti i vëndit.

Në një plan të thjeshtë pragmatik, opozita ndoshta duhet ti jetë falenderuese Ramës që jo vetëm nuk bëri asnjë përpjekje për aleancë me LSI, cka do tja siguronte mandatin e tretë automatikisht. 500 mijë votat më shumë të PS me LSI ndaj PD, e bënin thjeshtësisht të qartë përfundimin e mësipërm.

Ndërkaq duket e habitshme që kjo dhuratë me apo pa vullnetin e tij, duket së pari nga sondazhi i Piepolit që nuk ka ngjallur optimizëm te opozita. Përjashto këtu disa zëra që pa u hyrë analizave apo hynë në kategorinë e besimit qorrazi që rregulla e pashkruar nuk lë vënd për dyshime, pra se nuk ka mandat të tretë. Opozita është e paqartë se cfarë të bëjë ndaj lëvizjes së Ramës në lidhje me një mardhënie me LSI.

Ka faktorë të tjerë që duket se nuk flasin në favor të saj. Normalisht në fund të mandatit të dytë mund të ndodhin ndarje nga partia qeverisëse dhe e kundërta në kampin opozitar. Po për habi ndodh e kundërta. Kemi formimin e disa partive që në thelb janë djathtas apo rrjedhin drejpërdrejt prej saj.

Nëse në planin vëzhgues kjo do të shpjegonte sondazhin e Piepolit, në atë të analizës normale kjo situatë do të përbënte vërtet paradoks. Ndërsa PS pas ndarjes me LSI, është hedhur e gjitha në fushatë për zgjedhjet e ardhme, PD qëndron e tulatur për të mos thënë e paralizuar. Cila është arsyeja e qëndrimit të Ramës për mos aleancë me LSI apo e qëndrimit të cuditshëm të PD kjo i përket një analize të ardhme. Gjithsesi mund të nxjerrësh dy konkluzione të para. Sondazhi i Piepolit megjithse aty këtu pohohet se anon majtas, do marrë si serioz apo si shënjë serioze që fotografon castin. Së dyti një mosangazhim i qartë i opozitës, ndarja dhe jo bashkimi më i fuqishëm i segmenteve opozitare si dhe sjellja akoma e paqartë të paktën deri tani e PD dhe jo vetëm me LSI, por edhe me aleatët e vegjël tradicionalë të saj, tregon se nuk jemi as në situatën e vitit 2009 dhe as në atë të 2013. Pavarësisht se elementët formalë e mundësojnë këtë gjë apo të paktën për atë të vitit 2009.