MENU
klinika

Historia e një jete

Alphonse Mucha, piktori i një dive si Sarah Bernhardt

04.12.2020 - 16:34

       Artist virtuoz dhe piktor monumental, artist i mirënjohur parizian dhe patriot i vendosur çek, Alphonse Mucha duket se ka jetuar njëqind jetë në një të vetme, përfshirë edhe atë të stilistit të “Art Nouveau”. U desh vetëm një poster, për ta shndërruar atë në artistin parizian në modë në fund të shekullit XIX.

Po çfarë posteri! Thjesht duke vizatuar “hyjnoren” Sarah Bernhardt në tiparet e Gismondës, rolin do luante në shfaqjen eponime të Victorien Sardou. A mund ta paramendonte Alphonse Mucha, se po i jepte jetë një stili që do të mbante emrin e tij? Mucha, një djalosh 17-vjeçar çek i larguar nga vendlindja kishte fituar njëlloj fame si ilustrator në Paris. Natën e Krishtlindjeve 1894, ndërsa korrigjonte sprovat në një shtypshkronjë, mësoi se aktorja po kërkonte një poster të ri për “Gismonda” para Vitit të Ri. Kështu që dërguan Mucha-n në Teatrin e Rilindjes. Rezultati nuk i entuziazmoi shumë makinistët, por entuziazmoi divën, e cila nënshkroi aty për aty një kontratë gjashtëvjeçare me artistin, duke i besuar gjithçka: krijimin e posterave, dekoreve dhe kostumeve të saj. /Konica.al

Çfarë kishte kjo litografi që mundi të rrëzonte nga froni Toulouse-Lautrec apo Jules Chéret, mjeshtrat e padiskutueshëm të posterit? Një format i ri, pothuajse në madhësi natyrale, një grua me një siluetë eterike, një kurorë zambakësh, zbukuruar me një mozaik të praruar, në gjysmëudhë midis shenjtorit bizantin dhe muzës së Luleve, mbi të gjitha, tej ngjyrave të zakonshme të shndritshme, një paletë e blusë pastel me butësi të patjetërsueshme. Të tjerë postera do të pasonin: “Zonja me kamelia”, “Lorenzaçio”, “Hamleti”, “Medea”… dhe karriera e Mucha-s kishte nisur. Gjithsesi, moraviani i ri kishte pasur një jetë edhe para Sarah Bernhardt. 19-vjeçar, ishte si ndihmës piktor në Vjenë në një biznes të dekoreve teatrore. Më pas, punoi tre vjet për Kont Khuen-Belassi, duke zbukuruar muret e kështjellës në Emmahof apo ato të pallatit në Bolzano. Mbaroi Akademinë e Arteve të Mynihut, ndërsa në vitin 1887 shkoi në Paris, ku u regjistrua në Akademinë “Julian”. Në Paris frekuentoi Bonard dhe Seruzier, u end pa u lodhur rrugëve të kryeqytetit, kalimtarëve të ndryshëm dhe vendeve, duke kërkuar detaje arkitektonike, skenat më të vogla të bulevardeve, duke mbushur fletoret që do të ishin një burim i pakonkurueshëm për frymëzimin e tij në të ardhmen. Parisi do të jetë rezervuari i ilustrimeve, që do të ujisë krijimtarinë e Mucha-s, por edhe një katalizator për ide të reja, estetike dhe intelektuale. Seruzieri ishte i etur për teozofinë dhe anonte nga simbolika, të tjerët përhapnin bindjet e Uilliam Morris, nxitës i lëvizjes “Arts” dhe “Crafts”. Mucha ilustrator u ndikua nga Gustave Dore dhe Puvis de Chavannes. Kishte një kërshëri admiruese për artin japonez, i përfaqësuar nga Samuel Bing, si dhe për pararafaelitët anglezë, frekuentoi qarqet spiritualiste me August Strindberg. Mucha, i tërhequr nga ezoterizmi, u bashkua me një rrymë shpirtërore pro humanizmit dhe fut në Masonerinë në 1898.

Një njeri i dashuruar me modernizmin, ai praktikoi me këmbëngulje fotografinë, takoi vëllezërit Lymjerë dhe u lidh me Rodinin. Pol Gogini, “zemëraku i egër”, do ishte shoku i tij më i ngushtë për vite me radhë. Atmosfera e botës së artit është një vorbull, ku ndërthuren rrymat nga më të ndryshme. Moucha do të shquhej si një nga aktorët kryesorë në “Art Nouveau”. Nga takimi magjik me Sarën e madhe, krijimtaria e tij do ishte frytdhënëse. Ai është kudo: krijues posterash për të gjitha llojet e markave, letër cigare “Job”, biskota “Lefèvre-Utile”, shampanjë “Ruinart”, “Bières de la Meuse”, etj. Firmën e tij do e gjejmë në kalendarë, meny, madje edhe në panele dekorative përdorur si letër-muri. Jeta e përditshme “është” Mucha. Po çfarë është ajo që e bën stilin e Mucha-s kaq unik dhe kaq të njohur? Imazhi i një gruaje, fytyra dhe flokët e dendura të së cilës duket se mbushen me gëzim të pashtershëm, një lianë magjepsëse, por një vajzë e mirë. E gjitha në vorbulla dhe aureola, mbuluar me lule dhe fruta, ajo është një virgjëreshë bizantine, një kurtizane japoneze, një princeshë sllave. Të dukshme janë huazimet nga fjalori folklorik, veçanërisht ato me origjinë çeke, sepse megjithëse Mucha është parisien, nuk e harroi asnjëherë, me shpirt, tokën amtare. Do të rikthehej në vendlindje, pasi qeveria austriake i besoi dekorimin e pavijonit të Bosnjës dhe Hercegovinës në Ekspozitën Universale të vitit 1900. Artisti e bëri atë një manifest të aspiratave sllave.

Duke udhëtuar në Ballkan për të pasuruar qëllimin, atë e godet ambicia: t’ia kushtonte pjesën tjetër të krijimtarisë atdheut të vet. Do të jetë “Epopeja sllave”, një cikël prej njëzet pikturash monumentale, kur fillon jeta tjetër e Alphonse Mucha, e cila do të zgjasë gati tridhjetë vjet. Dekori i “Obecní dům”, Shtëpia Bashkiake e Pragës, për të cilën ai ndërthuri mobiljet e “Art Nouveau” dhe muralet që i thurnin lavde heroizmit çek, është provë e sagës që ilustron njëmijë vjet histori sllave, e përfunduar në 1926. Në 1918, ai projektoi kartëmonedhat dhe pullat e para të Republikës së re çeke, kurse në 1931 Katedralja Saint-Guy i porositi dy dritare, që përfaqësonin shenjtorët Cyrille dhe Methode. Po ky aderim i flaktë i emancipimit të popujve, do çonte në arrestimin e tij nga Gestapo, sapo trupat gjermane të hynin në Pragë në 1939. I thyer nga burgosja, njeriu që besoi në bashkimin e forcave, Arsyes dhe Dashurisë, vdiq disa muaj më vonë./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Degas: realiteti i tmerrshëm

“Piktori i balerinave” që shkroi sonete


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit