MENU
klinika

Largohet Londo

Altin Basha merr Teatrin Eksperimental

04.12.2020 - 16:00

        Drejtori i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Kiço Londo, është liruar nga detyra. Pas përfundimit të mandatit, me një vendim të firmosur nga Këshilli i Ministrave, vendin e tij e zë regjisori, Altin Basha


Prej gjashtë vitesh, Londo ka drejtuar Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Por, pas vendimit të Këshillit të Ministrave i publikuar në fletoren zyrtare dhe i frmosur dhe nga zëvendësministri Erion Braçe, vendin e tij e zë regjisori Altin Basha.

 

Mandati si drejtues i Teatrin Eksperimental Londos i ka përfunduar në vitin 2018. Ndërsa, në garën që ministria e Kulturës kishte çelur gjatë muajit tetor (https://kultura.gov.al/shpallje-per-konkurim-per-pozicion-pune/) kanë dorëzuar dosjet, vetëm Altin Basha dhe Kiço Londo.

Kush është Altin Basha?

Ka studiuar regji teatri, në vitet 1990-1994, në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe në vitin 1994-1995, ka thelluar studimet mbi teatrin në BADA- British American Drama Academy në Londër.

Në vitin 2001, ai është specializuar në Salsburg për menaxhim arti, media dhe kulturë.

Më 1998, nis punën si pedagog i mjeshtërisë së aktorit pranë Akademisë së Arteve. Si një nga themeluesit e skenës së pavarur shqiptare, vë në skenë me kompaninë “Oaz”, pjesët: “Nata e Dymbëdhjetë” nga Shekspir më 1999; “Vita Brevis” në vitin 2000; “Dashuri në furgon” në vitin 2001; “Keq e më keq” nga S.Becket në vitin 2001; “Monologët e Vaginës” nga Eve Ensler, në vitin 2002;”Çifti i shqyer” nga Dario Fo, në vitin 2003.

Gjithashtu ka vënë në skenë vepra në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë dhe të Kosovës, ku përmenden “Allegreto Albania” nga S.Çapliku në vitin 2008 dhe “Amadeus” nga P.Shaffer në vitin 2011 në Tiranë dhe “Pallati i Ëndrrave” nga I.Kadare në vitin 2002 dhe “Nata e Helverit” nga I.Villqis në vitin 2011 në Prishtinë. Ai ka marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme teatrore ku përmendet në vitin 1998 në S.T.U Summer Theatre University, Sofie; në vitin 1999 dhe 2001 në International Festival of Experimental Theatre, Kairo; në vitin 2002 në Festivali Solisti del Teatro, Roma; në vitin 2010 në New Plays from Europe-Theatre Bienale-Weisbaden. Që prej vitit 2004 ka qënë regjisor i spektaklit “Portokalli” në Top-Channel.

Për punën e spikatur si regjisor teatri është lauruar edhe me çmime: 3 herë fitues i Çmimit KULT, si regjisor i vitit, “Regjia më e mirë” në festivalin e fundit mbarëkombëtar të teatrit, si dhe disa çmime të tjera në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni në disa festivale. Mban titullin “Mjeshtër i madh” dhe titullin “Profesor”.