MENU
klinika

"Nëse nuk caktohet një datë brenda muajit për..."

Analiza/ Pse vijojnë vështirësitë për procesin e negociatave të BE me Shqipërinë?

04.12.2020 - 09:59

Nga Goran Buldioski & Vessela Tcherneva

Më 16 nëntor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, u nderua me Çmimin për të Drejtat e Njeriut të fondacionit “Friedrich Ebert”, i cili iu dha personalisht nga Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mas. Zaev u përlot ndërkohë që udhëheqësit evropianë, duke filluar nga Aleksis Cipras tek Ursula von der Lejen, e përgëzuan për suksesin e tij.

Por festa nuk zgjati shumë. Pak më vonë atë mbrëmje, dhe për habinë e të gjithëve, qeveria bullgare njoftoi se do të vendoste veton kundër çeljes së bisedimeve të anëtarësimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.

Sofja ka kërkuar disa ndryshime në kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut. Ajo dëshiron që Shkupi të njohë rrënjët bullgare të gjuhës maqedonase; të deklarojë se përdorimi i termit “Maqedonia e Veriut” i referohet territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut; të heqë dorë nga çdo pretendim mbi pakicën maqedonase në Bullgari; dhe t’i japë fund retorikës së vet anti-bullgare.

Kërkesat e Bullgarisë ishin një befasi e pakëndshme, si për shkak se ato e thyen tabunë e përfshirjes së mosmarrëveshjeve historike në negociatat e zgjerimit, ashtu edhe sepse ato erdhën pas një fushate 2-vjeçare të Sofjes, për përshpejtimin e procesi të integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Për më tepër, sipas ligjit ndërkombëtar pretendimet gjuhësore dhe historike të Bullgarisë janë të paligjshme, pasi ato përbëjnë një ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut, si dhe vënë në pikëpyetje të drejtën e saj për vetëvendosje.

Sa i përket paprekshmërisë së kufijve, qeveria e Maqedonisë së Veriut e ndryshoi kushtetutën më 2 dhjetor 2018, duke deklaruar se “Republika respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të vendeve fqinje”.

Vetoja ishte një kthesë veçanërisht e papritur për Bullgarinë, duke pasur parasysh që kur kishte presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në vitin 2018, ajo punoi shumë për ta rigjallëruar procesin e zgjerimit të Unionit.

Në një farë mase, politikanët bullgarë ndiheshin komodë në mjedisin e krijuar nga një skepticizëm në rritje mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian, midis qeverive të BE-së dhe votuesve. Disa nga vështirësitë e vazhdueshme në procesin e negociatave – përfshirë veton franceze në tetor 2019 dhe kundërshtimet aktuale të Holandës për anëtarësimin e mundshëm të Shqipërisë – vijnë pikërisht për shkak të asaj ndjenje negative që gjallon në shoqëritë perëndimore.

Si kryesuesja e radhës e presidencës së Këshillit të BE, Gjermania duhet të caktojë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare midis Bashkimit Evropian, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut para fundit të dhjetorit, në mënyrë që procesi i zgjerimit të mos vazhdojë të zvarritet për disa vjet.

Presidencave pasuese të Portugalisë dhe Sllovenisë do t’u mungojë energjia dhe ndikimi politik për të investuar në zgjerimin e unionit. Dhe është shumë e paqartë (madje edhe për vetë Parisin), se çfarë do të bëjë presidenca franceze në fillim të vitit 2022, kur aty do te mbahen zgjedhjet presidenciale.

Suksesi thelbësor i Bashkimit Evropian ka qenë i bazuar tek kufizimi i ndërvarësisë tradicionale midis politikës së brendshme dhe asaj të jashtme. Sigurisht, brenda procesit të zgjerimit ka pasur shumë mosmarrëveshje dypalëshe. Sllovenia e kushtëzoi hyrjen e Kroacisë në BE, me zgjidhjen e një mosmarrëveshje mbi peshkimin dhe një territor bregdetar.

Qipro është ende një vend i ndarë. Ndërkohë, Spanja dhe Britania vazhduan të diskutojnë mbi statusin e Gjibraltarit, edhe kur të dyja ishin anëtare të BE-së. Por këto çështje, nuk e bllokuan në asnjë rast procesin e zgjerimit.

Megjithatë tani duket se çdo vend evropian, i vogël apo i madh, do të përdorë lirisht mjetet e politikës së jashtme për përfitime politike afatshkurtra. Në një shkallë më të gjerë po e shfaqin këtë qasje Polonia dhe Hungaria, të cilat aktualisht po e bllokojnë buxhetin shumëvjeçar të BE-së dhe fondin e rimëkëmbjes nga Covid-19.

Bullgaria ka ndjekur rrugën e dikurshme të Greqisë, e cila vendosi për 28 vjet veton ndaj negociatave të pranimit të Maqedonisë në BE, për shkak të mosmarrëveshjes mbi çështjen e emrit të vendit. Si Bullgaria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut, mbajnë një farë përgjegjësie për mosmarrëveshjet e tyre.

Ato nuk e zbatuan asnjëherë marrëveshjen e miqësisë që nënshkruan në vitin 2017, përtej krijimit të një komisioni mbi rishikimin e teksteve të historisë, që u shndërrua në një sebep për prishjen e marrëdhënies midis tyre. Të gjithë hapat e tjerë të marrëveshjes ekzistojnë vetëm në letër: rruga që kalon midis Sofjes dhe Shkupit, duket si një relike e shekullit XIX, dhe ato janë dy kryeqytetet e vetme në Evropë pa asnjë lidhje hekurudhore midis tyre.

Vetoja e Bullgarisë pasqyron asimetrinë e fuqisë midis vendeve anëtare të BE-së, dhe vendeve kandidate. Ironia është se në këtë rast, kjo mungesë ekuilibri ka ndihmuar në përforcimin e llojit të urrejtjes midis kombeve, të cile4s integrimi evropian ka synuar t’i japë fund që në fillimet e veta.

Nuk është e vështirë të imagjinohet se si Hungaria mund ta përdorë këtë qasje, për të shtyrë përpara pretendimet e veta ndaj rajonit serb të Vojvodinës, apo Kroacia mund ta bëjë këtë për shkak të pikëpamjeve të saj mbi historinë e Bosnjës dhe Serbisë.

Ka shumë shembuj të mirë nga e kaluara dhe e tashmja e Evropës, se përse mosmarrëveshjet historike janë çështje dypalëshe, dhe jo pjesë e kritereve të pranimit në Union. Sigurisht, sfidat e brendshme politike nuk duhen nënvlerësuar. Qeveria bullgare dhe ajo Maqedonisë së Veriut, janë që të dyja në pozita të dobëta.

Qeveria bullgare mund të dëshirojë të angazhohet në politika të tilla simbolike, për të mbuluar hapat e gabuar në trajtimin e krizës së koronavirusit. Gjithësesi, është e vështirë të shpjegohet kreshendoja e fundit politike në Bullgari, mbi çështjen e pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Sipas një sondazhi të fundit, më shumë se 80 për qind e bullgarëve nuk e mbështesin anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut, nëse kjo e fundit nuk do të përmbushë kushtet që i ka vendosur Sofja për mosmarrëveshjet historike midis tyre.

Në vitin 2019, vetëm 15 për qind e bullgarëve kishin një qëndrim negativ ndaj njohjes së historisë moderne të Maqedonisë së Veriut. Duke pasur parasysh këtë paqëndrueshmëri të qëndrimeve publike, kryeministri bullgar Borisov mund të punojë për ta kaluar në parlament buxhetin e vitit 2021, përpara se ta çojë Bullgarinë në zgjedhje pranverën e vitit të ardhshëm, duke i dhënë fund edhe vetos ndaj Shkupit.

Cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve të ardhshme, ai ka ende kohë për të treguar frymën e unitetit evropian, që do të vlerësonin homologët e tij në Partinë Popullore Evropiane.

Nga ana e tij, Zaev është përpjekur që të zbusë ndjenjën anti-bullgare në rritje në vendin e tij, pavarësisht nga kostoja e lartë politike që mund t’i sjellë kjo gjë. BE-ja duhet ta mbështesë Zaevin në këtë qasje, pasi dështimi i tij do të dëmtojë perspektivat e politikanëve pro-evropianë në Maqedoninë e Veriut dhe të gjithë rajonin.

Për më tepër, kjo do t’u dërgonte një sinjal të fuqishëm krerëve të vendeve të tjera kandidate për anëtarësim, se sjellja konstruktive dhe kompromisi, nuk e garantojnë anëtarësimin në BE. Siç e ka dëshmuar historia, lënia pas dore e krizave të vogla në Ballkan, nuk ka qenë kurrë një politikë e mirë e jashtme e BE-së ndaj fqinjëve.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë mundësi të ripërtërijnë edhe më shumë marrëveshjen e tyre ekzistuese dypalëshe, e cila do të lejojë nisjen e negociatave të anëtarësimit para fundit të këtij viti.

Por palët do të duhet që të bien dakord mbi synimet që kanë, dhe të kërkojnë një mbështetje dhe inkurajim nga presidenca gjermane dhe diplomatët evropianë. Edhe nëse Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria arrijnë ta kapërcejnë ngërçin mes tyre, ato do të kenë ende shumë punë për të bërë në ndërtimin e një marrëdhënieje dypalëshe, e cila të jetë rezistente ndaj ndryshimeve të paparashikueshme në politikat e brendshme. / “European Council on Foreign Relations”