MENU
klinika

Koncerti i Krishtlindjes

Artistja e re shqiptare koncert në Parlmentin italian

21.12.2020 - 10:36

       Ajo është Giulia Deda, violinçelistja e cila, së bashku me artistë të talentuar të Orkestrës së Harqeve të Konservatorit “Santa Cecilia” në Romë, interpretoi në koncertin tradicional të Krishtlindjeve, që çdo vit, mbahet në Sallën e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian.

18-vjeçarja shqiptare, bijë e një familje emigrantësh shqiptarë, që në vogëli ka shkëlqyer për talentin, duke u bërë fituese e disa çmimeve kombëtare për talentet e reja. Ajo ka lindur në Romë dhe prej moshës 7-vjeçare, studion muzikë, pasion i trashëguar nga nëna, flautiste në profesion.

Në sallën e parlamentit italian, violinçelistja shqiptare interpretoi si soliste, pjesën muzikore “C’era una volta in America” të kompozitorit të madh italian Enio Morricone, i cili u nda nga jeta vetëm pak kohë më parë.

Koncerti tradicional i Krishtlindjeve, këtë vit qe i pazakontë në Parlamentin Italian, pa spektatorë e deputetë në sallë dhe u transmetua live nga Televizioni Publik Italian, RAI.

Artistja shqiptare është pjesë e orkestrës së harqeve të Akademisë “Santa Cecilia” të Romës, drejtuar nga Claudio Ferrara.

Në këtë koncert, artistët interpretuan pjesë të kompozitorëve të mëdhenj, si: Vivalidi, Bethoven, Mozart një homazh për 100-vjetorin e lindjes së regjisorit italian, Federico Fellini dhe të kompozitorit, Enio Morrione.

Në çeljen e koncertit, aktori italian Luca Argentero, interpretoi një mesazh që ish-Presidenti italian Carlo Azeglio Ciampi, i ka kushtuar të rinjve, ndërsa Drejtoresha e orkestrës së kësaj akademie, Beatrice Venezi, në fjalën e saj përshëndetëse u shpreh, se, “Italia është një vend i traditës, i krijimtarisë, i risisë e teknikës, një pasuri ndaj të cilit duhet kushtuar vëmendje, duhet njohur e ruajtur. Italia, – tha ajo – është një gjuhë që këndon.”

Artistët e rinj, mes të cilëve edhe violinçelistja shqiptare u shprehën të nderuar që u përzgjodhën të jenë pjesë e këtij eventi artistik e në një moment kaq të vështirë që po kalon Italia.