Profesori i Komunikimit Artan Fuga, në një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24”, duke folur për protestën për vrasjen nga policia të Klodian Rashës, tha se demonstrata nuk ka vetëm një shkak, por disa arsye.
“Unë dua të shprehem profesionalisht për këtë protestë. Unë them se asnjëherë nuk ka vetëm një shkak. Edhe nëse ka shtysë politike, nëse qytetaria vendosë të mos e ndjekë politikën, nuk e ndjek atë. Prsh politika thërret qytetarët e pjesëmarrja nuk është as 50 për qind. Nëse qytetari nuk i përgjigjet politikës, atëherë njeriu nuk vjen në demonstratë. Secili ka legjitimitetin për t’u shprehur”, tha Fuga.
Artan Fuga theksoi se nuk ka asgjë të keqe që opozitës i intereson të përkrahë kauzën për vrasjen e të riut.
“Opozitës politike i intereson të përkrahë protestën, aq më tepër që kauza është vrasja e të riut nga polici. Opozita do donte që ta kishte lëvizje si tharmë për mobilizim të forcave opozitare si dhe të diskretitimit të maxhorancës. Nga ana tjetër, mendoj se qeveria do të lëshojë sa më pak.
“Nuk ka njeri pro dhunës, por kur dhuna është atje, duhet parë çështja. Çdo akt dhune është një gjuhë. Kur të rinjtë nuk artikulojnë pakënaqësinë, nuk kanë zë në institucione, kur nuk kanë punë, kur kanë shumë kritika e dëgjohen shumë pak, atëherë lind edhe kjo gjuhë. Rinia është përpjekje pqër të thënë jemi edhe ne.
Kësaj rinie i duhet përgjigjur me dhënien e shanseve të barabarta, me politika për rininë krejt të tjera me këta që janë. Problemi të mos politizohet. Jemi komb që ka pësuar frakturë brezash. Të rinjtë nuk e gjejnë veten në institucione dhe struken në rrjetet sociale”, deklaroi Fuga.
Po ashtu, Fuga tha se policia mbron jetën e qytetarëve, por duhet të shikojë brenda vetes, për reformim të saj.
“Kam vërejtje edhe për maxhorancën, por kam edhe kritikë për opozitën, që duhet që të thotë reformat më konkretisht. Nuk mund të mbyllet çështja, duke thënë se ka shkuar tek familja. Nuk mund të mbyllet çështja publike me gjëra private. Po të isha unë, do të shpallje një ditë zie kombëtare. Policia e Shtetit mbron jetën e qytetarëve, por duhet që të shohë brenda vetes, për t’u reformuar”, përmbylli Fuga.