350 punonjës të dy uzinave metalurgjike Elbasan janë përfitues direktë të ndryshimeve në Ligjin “Për taksat kombëtare” pak ditë më parë.
Qeveria shqiptare zeroi rentën minerare për tre vite, duke i ardhur në ndihmë industrisë minerare. Në shkallë vendi përfitues janë disa mijëra punëtorë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla dhe ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj së bashku ishin pranë uzinave të përpunimit të kromit ALB Chrom ku diskutuan me administratorët e kompanive lidhur me impaktin e këtyre lehtësirave. Balla vuri në dukje periudhën e para pak viteve, ku në sektorin minerar nuk kishte asnjë interes për të investuar.
“Falenderoj sipërmarrësit për këto investime shumë të rëndësishme, investime shumë moderne që i japin zgjidhje edhe shqetësimit tonë për emetimet në mjedis. E dyta, lidhet me masën që qeveria i propozoi Kuvendit dhe ky i fundit e miratoi, për një periudhë 3 vjeçare, biznesi që lidhet me idustrinë e përpunimit të minerareve, nuk do të rente minerare. Është një mbështetje financiare e nevojshme dhe e dosmosdoshme. Kjo mbështetje ka efekt në dy dimensione: E para lidhet me pagat e punonjësve dhe e dyta lidhet me investimet në sektor. Deri në vitin 2014 në Shqipëri nuk ja vlente të investoje ne sektorin e përpunimit minerar. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë. Shqipëria nuk ishte konkuruese në këtë sektor me aktorët e mëdhenj botëror, ndër të cilat Kina është lojëtari kryesor. Ndërhyrja e parë e Qeverisë Rama ishte në vitin 2014 dhe ndërhyrja e dytë për këto tre vite krijon hapësirat për të investuar dhe për ta çuar përpara”, deklaroi Balla.
Ndërsa ministrja Denaj në fjalën e saj tha se nisma ishte në vazhdën e një tjetër të ngjashmeje e ndërmarrë në vitin 2014 kur u ulën masat për Renta minerare.
“Sot e zerojmë atë për tre vitet e ardhshme, për të gjithë industrinë nxjerrëse dhe përpunuese në vend, të cilët pastaj eksportojnë këto produkte dhe të tjera, për të rritur vlerën e këtyre produkteve, por njëkohësisht për industrinë, edhe për të nxitur investimet në këtë sektor. Nisma erdhi si një nevojë për të mbështetur sektorin përpunues dhe prodhues në vend për punonjësit, pasi në një vit të vështirë si ky i goditur si nga tërmeti dhe nga pandemia, shumë ndërmarrje u ndihmuan ose në mënyrë të drejtpërdrejt, por edhe nëpërmjet skemave. Kjo është një skemë, e cila nxit mbajtjen në punë të punonjësve për këto sektorë, por mbi të gjitha shtron perspektivën në 3 vitet e ardhshme që të rriten investimet dhe të rritet punësimi. Pra, realizojmë kalimin dhe tejkalimin e kësaj situate të vështirë për këtë vit, por në një perspektivë afatmesme, pra 3 vjet, edhe nxitjen e investimeve, edhe rritjen e punësimit. Duke e parë nga afër dhe duke biseduar me përfaqësues të biznesit ne konfirmojmë këtë objektiv që kishim dhe presim që këtë ta realizoni nëpërmjet shifrave konkrete” theksoi Denaj.
Industria minerare përfaqëson ndër vite një nga sektoret me kontribut të qënësishëm ne terma të rritjes ekonomike dhe të punësimit në vend. Produktet e industrisë minerare përbëjnë gjithashtu një ndër kategoritë kryesore të eksporteve vendase, e cila ndër vite ka kontribuar pozitivisht në përmirësimin e bilancit tregtar vendas.