Problemet e mëdha që ka para vetes Kosova, sidomos përplasjet e brendshme, që shpesh herë e kanë burimin jashtë saj, gjendja e paqartë e sigurisë dhe enigma e të ardhmes, jo vetëm të afërt, por edhe përtej saj, duket sikur kanë lënë në harresë një ndër çështjet më të rëndësishme të saj, Asosacionin e komunave me shumicë serbe, që tashmë po shtrohet me zë disi të ulët, por që do të mund të ishte ndër më rënduesit e saj.
Edhe tani, politika e shkallës së lartë serbe, ndërsa përbetohet se nuk do e njohë kurrë Kosovën si shtet të pavarur, vëmendjen e saj e ka pikërisht tek kjo krijesë, e cila e bën të pranishme në Kosovë edhe pa qenë ushtarakisht aty, e bën të ndjeshme, në heshtjen e dukshme të saj; krijon tamponin për të depërtuar edhe më lirisht se deri tani, ndërkohë krijon hapësirën e ardhshme të destabilizimit.
Është i njohur fakti se të gjitha qeveritë që kanë kaluar nëpër Kosovë, pavarësisht se kush ka qeverisur, ndërsa kanë të rrepta me vendasit e kahershëm, kanë qenë tejet liberalë me pakicën serbe, e cila ka bërë çfarë ka dashur, është sjellur si shtet brenda shtetit, si qendër e trafikut, depërtimit të kontrabandës, por edhe të krimit.
Asnjëra qeveri, duke hapur dyert, nuk e ka menduar se kjo qasje serbe, në dukje e parrezikshme, është si ajo gozhda e Nastradinit, e varur në mur, por që përditë ngulet më thellë.
Megjithëse ka një vendim refuzues të Gjykatës Kushteteuese ndaj projekteve dhe vendimeve të qeverive të Kosovës, prania e këtij plani është në tryezat e perëndimit, çka u shtrua edhe në ditët e fundit si një domosdoshmëri për të ecur “ përpara” marëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës.
Çfarë do të ndodhë dhe çfarë po përgatitet në skutat e diplomacisë serbe?
Historikisht, sa herë që shteti serb ka dashur të bëjë një lëvizje të re politike, shoqëruar me dhunë dhe përgjakje, çdo gjë ka nisur nga fjalët e përhapura, fillimisht nga një pjesë e klerit të lidhur fort me pushtetin, pastaj nga njerëz të lidhur drejtpërsëdrejti me qeverinë serbe, edhe është demantuar fillimisht prej saj, ndërkohë që ka përgatitur skenarin e një “incidenti” apo zgjidhje të mundshme.
Kjo po ndodh edhe tani në Kosovë.
Ka disa ditë që përfaqësues të lartë të klerit ortodoks serb e, pas tyre, njerëz të politikës, po sjellin dëshmi se nëse nuk do të ketë një ditë të përcaktuar qartë, kur duhet të përmbyllet, sipas tyre, koncensioni politik i Asosacionit, krijimit të një strukture të veçantë për komunat me shumicë serbe, atëherë do të ketë trazira, do të shpallet Autonomia e serbëve në Kosovë, do të ngrihen strukturat e saj dhe, e gjithë kjo do të ketë si paraprirje dhunë të dyanshme: nga protestuesit serbë dhe, përballë tyre, Policia e Kosovës. Zgjedhjet e fundit komunale në Mitrovicën e Veriut, që kishin një rezultat të pritshëm për shkak të shpërnguljes me dhunë të banorëve shqiptarë nga shtëpitë dhe pronat e tyre, kanë forcuar megollamaninë serbe dhe mllefin për të përmbysur gjërat, sa më shpejt të jetë e mundur, e këtë kohë politike, kur partitë ende nuk e dinë se çfarë kahesh do të marrin zhvillimet, ata e shohin si një dhuratë që u bën miopia politike shqiptare.
Mediat që i bëjnë jehonë këtij versioni, duke sjellë “të dhëna” shtesë, kanë bërë thirrje që banorët e veriut të Kosovës, sidomos në Mitrovicën e Veriut, por edhe nga komuna të tjera, të mos largohen nga vendi i tyre, por, fuqimisht, të jenë të gatshëm për të bërë përballjen e tyre e forcat e ndërhyrjes së policisë kosovare, e cila, si vihet në dukje jo rastësisht, ka edhe mbështetjen e strukturave të posaçme ndërkombëtare.
Krijimi i një qendre autonome për serbët në Kosovë ka nisur të lulëzojë si mendim pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004, kur, pas dhunës së ushtruar ndaj fëmijve shqiptarë që, të ndjekur nga huliganët serbë u mbytën në lumin e Ibrit, kishte një revoltë të pa llogaritur shqiptare dhe përplasje të ndjeshme edhe me forcat ndërkombëtare.
Edhe atëherë ishte thënë në mjaft media serbe, por edhe nga peshkopë serbë se, muaji mars do të ishte një muaj përleshjesh dhe se “banditët” shqiptarë po përgatiten të djegin kishat dhe manastiret serbe, përgjithsisht vendet që ata i quajnë të shenjta dhe të paprekshme. Shumicën e të cilave e dogjën vetë.
Në vitin 2004, kur zemërimi nga zvarritjet ndërkombëtare për statusin e një shteti të ri po shkonin përtej limitit të pritjes, skanimi serb përllogariti gjithçka dhe, duke përfituar nga veprimet e dënueshme të rebelimit shqiptar, i vunë flakën, më shumë vetë ata se të tjerët, disa nga ndërtesave fetare , duke hedhur akuzën mbi revoltën shqiptare.
Tani, sipas një skenari që kundërshtohet nga një pjesë e udhëheqjes serbe dhe mbështetet nga pjesa tjetër, jo vetëm më radikale, por edhe me duart e zëna herë pas here në skenën politike të Kosovës, pakica serbe në Kosovë, sipas modelit boshnjak, po përgatitet të shpallë autonominë , sidomos autonominë e veriut të serbëve të Kosovës, si një fillesë për të krijuar një strukturë të veçantë, dominuese dhe radikale.
Që në vitin 2004 shteti serb ka ngritur strukturat e veçanta, më të specilizuara për Kosovën. Në të janë përfshirë akademikë të njohur, politologë, klerikë nacionalistë të rrymës së ashpër, ushtarakë që kanë pasur të kaluar në Kosovë, dhe, për fat të keq edhe shqiptarë të serbizuar.
Përmes këtij mekanizmi të fuqishëm tashmë janë bërë të gjitha detajimet e posaçme për zhbërjen e shtetit të Kosovës, afrimin e një lëvizje nacionaliste serbe në drejtimin e pakicës serbe në Kosovë, depërtimin financiar dhe ekonomik përmes firmave të tyre dhe lidhje të dyanshme, rrëzimin e miteve dhe të vërtetave historike, deri në rrënimin e mitit dhe të vërtetës së një figure madhore kombëtare si ajo e Adem Jasharit apo të Adem Demaçit, çka dha frutet e saj në ditëlargimin nga jeta të Demaçit, deri në lëvizjet politike, sociale dhe nacionale të serbëve në Kosovë.
Pjesë e këtyre studimeve është edhe lëvizja e tashme, e bërë një pikun e bisedimeve Kosovë – Serbi, kur shumë gjëra janë ende nën mjegullën e enigmës dhe kur spekullimet janë më të shumta se të vërtetat e thjeshta.
Është periudha kur secila palë në këto bisedime kërkon të tërheqë litarin nga ana e vet, të përfitojë deri në momentin e fundit dhe, nëse pala serbe po i zhvillon të gjitha bisedimet mbi bazën e një platforme të ngritur mbi mendimin akademik, shqiptarët, si palë fituese e një lufte dhe bashkëfenduese e afërt e mendimit politik euroatllantik, është ende e ngritur mbi folklorizmin, inatet dhe ndasitë, të cilat, nëse do të bjerë qoftë edhe një hektar tokë, si ndodhi në demarkacionin me shtetin malazez, nuk do të ketë fitues dhe as të mundur. Të mundur do të jemi të gjithë.
Pikërisht në këtë kohë, jo rastësisht, struktura të veçanta serbe, që nga njerëzit e shërbimit të saj sekret dhe deri tek peshkopët radikale, ngrejnë çështjen e autonomisë për serbët, sidomos në Veriun e Kosovës.
Edhe mund ta provojnë në një ditë jo të largët, provat i kanë dhënë disa herë që janë të aftë të ngritin pluhur edhe mbi tryezën e bisedimeve, megjithëse këtë herë mund të ketë edhe skena të ashpra dhune.
Dërgimi në Gjykatën Speciale në Hagë, në fakt pjesë e Kushtetutës së Kosovës, i një pjese të Trupës Drejtuese të UÇK-së, sipas aktakuzës që vetë prokuroria serbe në shumicën dërmuese e përgatiti, ka forcuar pjesërisht pozitën e politikës serbe në bisedimet e ardhshme, por edhe këmbënguljen e saj për të ngulur këtë “gozhdë” në trupin e Kosovës. Përfaqësuesi i BE për Kosovën, duket shumë më aafër llogoreve serbe se sa pozicionit shqiptar.
Përballë tyre, politikës serbe dhe mbështetësve të saj të njohur tashmë, do të jetë shteti i Kosovës dhe liderët e saj, që, kësaj here, janë të ndarë pikë e pesë, duke mos ditur nëse do të ketë një president të ri apo zgjedhje të reja politike.
Asnjëri prej tyre, kushdo qoftë në qeverisje, nuk e ka të drejtën që të lejojë, qoftë edhe në formë mashtrimi apo provokimi, një strukturë që i bie ndesh Kushtetutës së Kosovës.
Shteti dhe qeveria e Kosovës, si duket, ende nuk i kanë marrë seriozisht paralajmërimet për një lëvizje radikale serbe dhe nuk duket se janë përgatitur për përballimin e një ngjarje të tillë, të hidhur dhe që nuk do të mund të kalojë pa pasoja.
Serbët, nëse e kanë vërtet jo vetëm të menduar, por edhe të planifikuar, një lëvizje të tillë , qoftë autonomiste, qoftë diçka tjetër, kanë bërë llogari të prapshta dhe nuk i kanë menduar saktësisht të gjitha pasojat.
Nuk mund të ketë autonomi, as politike, as territoriale, as financiare dhe as shtetërore për një pakicë serbe që, e ndarë në zona të ndryshme banimi, me një pjesëmarrje më pak se 5 përqind të popullsisë, që nga shteti i Kosovës ka marrë mbi 150 milionë euro donacione, e që është përsëri synuese për shkatërrimin e vlerave të krijuara, kur, për më tepër, as disa kilometra larg tyre, në një konfiguracion kompekt, në Kosovën Lindore, jeton një popullsi hegjemone shqiptare, të cilës nuk i lejohet as flamuri i tyre kombëtar dhe po detyrohen përdhunshëm të largohen nga vendlindja.
Provokimi serb mund të jetë i planifikuar jo shumë larg Kosovës, por e vërteta do të jetë aty.
Do të jetë edhe një provë qëndrueshmërie e strukturave drejtuse të Kosovës si dhe prova e fundit në bisedimet e vështira për të ardhmen mes dy vendeve.
Kur një shtet, edhe sot e kësaj dite, e trajton kufirin e Kosovës me shtetet fqinj , njëjtë si në ditët e Milleshiviccit, ai nuk ka mësuar asgjë, por edhe prej tij duhet pritur çdo gjë.
E keqja nuk është një ves që harrohet. Sidomos tek serbët nacionalistë./ Dita