MENU
klinika

Deri 15 vjet për kolaudimet false të pallateve

Drafti i kodit të ri penal: Burg sipas llojit të drogës

02.12.2020 - 16:57

Në rast miratimi, Kodi Penal që po hartohet, pritet t’i japë fund dënimeve të njëjta për persona të akuzuar për çështje droge, pavarësisht llojit apo sasisë së lëndës narkotike.

Në draftin e siguruar nga A2, parashikohen dënime të diferencuara në varësi të llojit të drogës, kanabis, heroinë, kokainë, apo drogë sintetike. Kështu, teksa aktualisht Kodi Penal ka dënimin me 5 vite burg si minimalin, në Kodin e ri parashikohet 2 vjet burg për kanabisin, 4 për heroinën dhe nga 5 vite për kokainën dhe drogat sintetike.

Njëkohësisht, përsonat përdorues të kanabisit, nuk ndiqen penalisht nëse mbajnë më pak se 10 gramë me vete. Nga risitë e Kodit Penal në projekt është dekriminalizimi i disa veprave që me kodin aktual konsiderohen penale, si rasti i “ngacmimit seksual” dhe “prostitucionit”.

Për dhunën në familje, kodi i ri parashikon nisjen e hetimit edhe kryesisht, pra pa pasur nevojë që viktima të ankohet në organet shtetërore. Tjetër e re në kodin penale në hartim e sipër janë parashikimet e konfiskimit të pasurive të siguruara nga vepra penale.

Mes këtyre veprave radhiten “vjedhjet e bankave”, “korrupsionit” e “kontrabandës”. Ashpërsim i dënimit nga 1 aktualisht në 2 vite burg parashikohet për moslëshimin e kuponit tatimor.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019, ka diktuar shtimin e një neni në kodin penal, atë të “Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve”. Për rastet kur shembja e ndërtimeve mund të sjellë pasoja në jetë njerëzore për përgjegjësit parashikohen dënime nga 7 në 15 vite burg.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN