Policia shpall në kërkim ndërkombëtar 2 persona, të dyshuar si autorë të ekzekutimit të efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt në Shkodër, Xhulio Prela.
Identiteti i të shpallurve në kërkim nuk dihet ende dhe as ndonjë informacion të saktë se për çfarë ata akuzohen apo çfarë roli kanë pasur në ekzekutimin e 26 vjeçarit. Xhulio Prela u qëllua me armë zjarri mëngjesin e 5 dhjetorit, teksa udhëtonte me makinën e tij në superstradën Lezhë-Milot.
Dinamika e ngjarjes:
Mëngjesin e 5 dhjetorit, rreth orës 02.00, Xhulio po kthehej nga Lezha drejt Tiranës. Efektivi i FNSH në autostradën Lezhë-Milot, është përballur me një person i cili i ka bërë shenjë me elektrik dore që të ndalonte. Nuk dihet deri tani nëse ky person ishte i njohur për 26 vjeçarin, por nga burimet thuhet se Xhulio ka ndaluar dhe ka debatuar me këtë person.
Këtë e kanë konfirmuar dhe hetuesit, të cilët në vendngjarje kanë parë se xhami i shoferit ishte i ulur, çka tregon se viktima ka ndaluar dhe ka folur me personin që i ka bërë shenjë. Teksa debatonte me këtë person, pranë makinës me të cilën Xhulio Prela udhëtonte është afruar një mjet tjetër.
Sapo është afruar pranë makinës ku ndodhej Xhulio, nga mjeti tjetër është hapur zjarr me një pistoletë TT. Aty efektivi i FNSH ka tentuar të largohet por në lëvizje e sipër një nga tre plumbat e shkrepur e ka marrë në zemër, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas disa metrash makina me të cilën ai udhëtonte ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Personat që e kanë ndaluar Xhulio Prelën në mes të rrugës dyshohet se nuk kanë qenë të rastësishëm, por atentati i tij ka qenë i mirëmenduar sepse autorët kanë studiuar çdo lëvizje të tij. Xhulio Prela ishte pjesë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt të Shkodrës, por ndërkohë vazhdonte dhe studimet në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, në vitin e 3-të.