MENU
klinika

Aktorja e puthjes së parë...

Feston ditëlindjen, Tinka!

17.12.2020 - 17:38

     “Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia”…

Mjeshtre e portreteve gdhendur në kujtesën e popullit, ajo iu përkushtua si skenës edhe ekranit të madh. Me të njëjtën ndjeshmëri të lartë artistike, ndërgjegje dhe mjeshtëri profesionale, Tinka Kurti u bë simboli i gruas, nënës e bashkëshortes – model i zhvillimit të shoqërisë shqiptare të pasluftës. 

Aktorja “Artiste e Popullit” u lind më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë, Bosnjë Hercegovinë, me babain shqiptar dhe nënën hungareze. Është më e madhja nga katër fëmijët. Familja e saj u shpërngul në Shkodër, kur ajo ishte ende e vogël. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit në moshë të re dhe tashmë jeton prej vitesh në Tiranë.

Vetëm 14 vjeç, u ngjit për herë të parë në skenë. Në moshën 16-vjeçare ka interpretuar në “Dasma shkodrane”. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Rastësisht ka përfunduar në Lice, pasi mësimet i nisi në Politeknikun e Tiranës, por edhe ëndrra për aktore iu ndërpre në mes, pasi vetëm pas tre muajsh do të përjashtohej nga Liceu, me pretendimin se manifestonte shfaqje liberale dhe kurrë nuk e mori diplomën e aktrimit, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe shumë e kulturuar. Talenti, dhuntia e aktrimit që dominoi te Tinka, e konvertoi në një nga artistet më të mira të Shqipërisë tonë të vogël.

Guximtare, e qeshur, me një personalitet për t’u admiruar, Tinka mbetet një nga artistet më të dashura për publikun. Me një gjuhë të thjeshtë e të moderuar gjithashtu, miqësia me të vjen natyrshëm. Pasioni dhe dashuria për skenën ka bërë që artistja të vazhdojë të dominojë skenën shqiptare me role të shumta.

Rolet

Edhe pse arkivi i saj vazhdon të pasurohet, por sërisht bëjmë gabim në numërim sepse rolet e saj janë me ‘”emra”, me karaktere e personalitete dhe jo vetëm numra. Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 340 role. Shumica janë në dramë, por edhe në filma. Janë më shumë se 60 vite të jetës së saj, që ia ka kushtuar skenës, pra e gjithë jeta. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste, si në: “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka jonë” – ku luan në fillim Filen e pastaj, Loken, “Fisheku në pajë”, apo “Fejesa e Çehovit”. Si rrallëkush, Kurti rikonfirmon talentin e saj edhe në kinema, duke interpretuar mbi rreth 35 role edhe në filma artistikë.

Hapi i parë do të hidhej me filmin e parë të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958 dhe pas kësaj, jeta artistike e Tinkës do t’i kushtohej skenës dhe filmit. Ajo kujtohet si aktorja që realizoi puthjen e parë për filmin shqiptar. Tinka ishte e para që theu “tabunë e vrazhdë” të filmave shqiptarë të kohës në filmin “Tana”, ku nën një pemë i dha puthjen partnerit të saj në skenë, aktorit të madh Naim Frashëri

Për këtë pjesë, Tinka është shprehur: “Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla, që tashmë janë të zakonshme. Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje, ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën, më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime, me Naim Frashërin?” Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës time si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, por se isha një aktore e vërtetë, që shkela çdo bestytni për të realizuar rolin. Dhe këtë, nuk e bënte çdo femër aktore.”

Tinka shprehet gjithashtu për rolet: “Shumë nga artistët e tjerë, shprehen se nuk mund t’i ndajnë rolet. Për mua, nuk është kështu. Në një jetë kaq të gjatë ka role të mëdha dhe të vogla, kryesore dhe episodike. Unë kam pasur fatin, të kem tërë kohën role parësore në skenë dhe filma, por veçoj rolin e Lokes te “Toka Jonë”, nënë Pashakoja te “Yjet e netëve të gjata”, rolin e nënës në “Gjaku i Arbrit” dhe kështu, do të përmendja një varg rolesh deri tek ky i fundit, në “Streha e të harruarve” shkruar nga Rruzhdi Pulaha etj.”

Rruga e saj artistike fiksoi në historinë e kinematografisë shqiptare rolet e spikatura dhe të paharruar si: Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata”, Nëna tek “Çifti i lumtur”, Sinjorina Mançini tek “Vajzat me kordele te kuqe”, Gjyshja tek “Zemra e nënës”, në dramën “Fejesa e Çehovit”, me rolin e Files në “Fisheku në pajë” etj. Pasioni dhe dashuria për skenën e detyronte që brenda vitit të mund të realizonte 4 role. Ajo është aktive edhe në ditët e sotme.

Filmografia & Teatri

2016 “Yjet e së ardhmes”, film artistik prodhim i multimediastudio “Nositi” Film & Tv Production

“Vizita e damës plakë” me regji të Kiço Londos, roli i damës plakë Kler

2012 “Në kërkim të kujt” – serial
2009 “Familjet ” – serial
2009 “Filumena Marturano”- Teatër
2008 “Ne dhe Lenini”
2008 “Mira”
2006 “Kosova: Desperate Search – Etjet e Kosovës”
1998 “Dasma e Sakos”
1998 “Nata”
1994 “Zëmra e nënës”
1992 “Vdekja e kalit”
1991 “Unë e dua Erën” – Doktoresha Keti
1990 “Balada e Kurbinit” – Nëna e Dardit
1989 “Edhe ashtu edhe kështu” – Tezja e Almës

1988 “Flutura në kabinën time”
1987 “Telefoni i një mëngjesi” – Nëna e Neritanit
1987 “Në emër të lirisë”
1985 “Hije që mbeten pas” – Nëna e Agronit
1982 “Besa e kuqe” – Dila
1982 “Qortimet e vjeshtës” – Nëna e Kujtimit
1981 “Si gjithë të tjerët” – Drejtoresha e shtëpisë së femijës
1980 “Mëngjeze të reja”
1980 “Nusja”

1978 “Gjeneral gramafoni” – Nëna e Halit Beratit
1978 “Vajzat me kordele të kuqe” – Sinjorina Mançini

1976 “Emblema e dikurshme”
1975 “Çifti i lumtur” – Nëna
1975 “Lumë drite”
1975 “Në fillim të verës” – Nëna e Verës
1973 “Operacioni Zjarri”
1972 “Yjet e netëve të gjata” – Nënë Pashako
1970 “Guximtarët”
1958 “Tana”

Çmime dhe Vlerësime

Aktorja e njohur Tinka Kurti është padyshim një nga emrat më të vlerësuar të teatrit dhe kinemasë shqiptare. Gjatë karrierës së saj të suksesshme ndër vite, ka marrë një varg çmimesh të ndryshme, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe ato të teatrit, të cilat kulmojnë me çmimet e karrierës në të dyja fushat. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme si:

“Artiste e Popullit” në një moshë fare të re

Medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.

Titulli “Nderi i Kombit” akorduar nga Presidenti i Republikës.

“Medalja Presidenciale e Meritave” nga Presidenti i Kosovës

Presidenti i Republikës i akordoi dt. 22/02/2017, nr. dekreti 10031 zonjës Tinka Kurti Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Me vlerësim të merituar shtetëror për interpretimet e saj të përkryera e mallëngjyese, duke u shndërruar prej disa dekadash me radhë në njërën prej aktoreve më të adhuruara e mbresëlënëse të filmit shqiptar që nga filmi i parë ‘Tana” e deri në qindra role të paharrueshme nëpër skenat tona teatrore”.

Qyteti i Roskovecit e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Për kontributin e shquar në fushën e kinematografisë dhe teatrit, për rolin e madh që ka luajtur në emancipimin e shoqërisë shqiptare, për lidhjet e ngushta shpirtërore dhe historike me qytetin e Roskovecit ku ka kaluar disa vite të fëminisë si dhe për dashurinë që ruan për këtë qytet dhe bashkëqytetarët e tij.”

Pranë vendit ku ka banuar në Roskovec është vendosur një pllakë përkujtimore me mbishkrimin “Këtu ka banuar për disa vite artistja e popullit Tinka Kurti.”

Dy kinema, një në Tiranë dhe një në Durrës mbajnë emrin e saj.

Gjithashtu, emrin e Tinka Kurtit mban edhe një shkollë e mesme në fshatin Lekbibaj në Shqipëri, që është çelur nga Luigj Gurakuqi.

Gjithashtu aktorja është nderuar në vitin 2003 edhe me një film dokumentar me regji të Esat Telitit, të titulluar thjesht “Tinka”, kushtuar jetës së saj.

Tinka Kurti është edhe një veprimtare e shquar shoqërore, e cila përgjatë 10 vjetëve ka dhënë kontribute të shquara në Fondacionin Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”

 “Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e vdekur. Për këtë arsye, dua të vazhdoj të punoj.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Aktorja e madhe tregon njohjen me shkrimtarin

Tinka Kurti: Si më zgjodhi Dritëroi, të luaja Nënë Pashakon

Rrëfehet Vladimir Prifti

Si shpëtoi nga gremina Ndriçim Xhepa

Tradita 71-vjeçare

Kur lindte Teatri Migjeni…


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen