MENU
klinika

15 kryesorët

Futbollistët që u tërhoqën nga futbolli aktiv më 2020

30.12.2020 - 14:05

Përveç situatës aspak të qetë sa i përket pandemisë, viti 2020 do të mbetet gjatë në memorien e futbolldashësve edhe si viti i pensionimeve të mëdha. Shumë futbollistë vendosën që të varnin këpucët mbi gozhdë, duke hequr dorë nga eksperienca në fushën e blertë.

Iker Casillas mund të konsiderohet edhe si pensionimi më i bujshëm i këtij viti, kjo e ndikuar edhe nga gjendja shëndetësore e portierit spanjoll. Kampioni i Botës dhe Europës, si dhe i shumë trofeve të tjerë madhor vendosi të hiqte dorë në moshën 39-vjeçare.

Porto ishte skuadra e tij e fundit, por më parë u aktivizua me Real Madrid, aty ku ra në sy për nuhatjen dhe grintën, duke qenë protagonist edhe në fitimin e 18 trofeve.

Të njëjtin vendim mori edhe shoku i tij te kombëtarja spanjolle David Villa. 39-vjeçari u tërhoq pas eksperiencës së suksesshme me Vissel Kobe në Japoni. Në karrierën e tij ai u aktivizua me shumë skuadra, mes të cilëve Valencia dhe Barcelona, ku fitoi 15 tituj.

Një tjetër kampion që vendosi t’i jap fund karrierës futbollistike ishte mesfushori ikonë i Romës, Daniele de Rossi. Italiani vendosi të tërhiqet në moshën 37-vjeçare kur ishte pjesë e Boca Juniors.

Javier Mascherano është një tjetër futbollist që i dha fund karrierës futbollistike në këtë vit 2020. Mesfushori u tërhoq në moshën 36-vjeçare, ku aktivizohej me Estudiantes.

Vincent Kompany është një tjetër emër që do i mungojë fushave të blerta, por jo trajnimit. Belgu u tërhoq në moshën 34-vjeçare duke u fokusuar totalisht te drejtimi nga stoli i ekipit belg të Anderlecht.

Këta janë disa nga emrat e tjerë që u tërhoqën gjatë këtij viti: Aritz Aduriz, Mario Gomez, Fernando Gago, Gabi, Pablo Zabaleta, Alexandr Hleb, Claudio Pizarro, Giampaolo Pazzini, Stephan Lichtsteiner dhe Alessandro Matri.