MENU
klinika

Kolonjarja fisnike

Gruaja e parë shqiptare që punoi në administratë

10.12.2020 - 16:02

        Filloi punë në administratën shqiptare, në moshë shumë të re./Konica.al

Sipas të dhënave historike, Leman Ypi-Leskoviku lindi në Turqi, por ishte me origjinë nga Leskoviku i Kolonjës. Ajo është shkolluar në Liceun Francez të Selanikut dhe është diplomuar me medalje të artë.

E shoqja e Asllan Ypit, në vitet 1935- 1936 ka punuar si sekretare e kryeministrit Mehdi Frashëri.

Daktilografiste dhe stenografiste shumë e mirë, Leman Leskoviku fliste disa gjuhë të huaja.

Ndërkohë, bëhet me dije se fotografia është një ndër të vetmet që iu mor nga shtëpia ku ajo banonte, në kohën kur i shoqi, Asllan Ypi, iu arrestua.

***

Si e kujton mbesa e saj, Lea Ypi

Gjyshja ime Leman Ypi (1918-2006) në 13 vjeç ishte e vetmja vajzë në Liceun Francez të Selanikut.

Cigaren e parë e tymosi kur ishte 15 vjeç.

Kur u bë 20 qe e para femër në administratën shqiptare.

22, këshilltare e Kryeministrit.

28, bashkëshorte e një të burgosuri politik dhe për 15 vjet sa ishte i burgosur i shoqi ajo rriti e vetme djalin e tyre.

30, u internua.

32, nisi të punojë në kampet e punës në internim.

40, shumë prej fisit ë saj u dënuan me vdekje, u vetëvranë, të tjerë që mbijetuan përfunduan në çmendina, në ekzil ose në burg.

60, pothuajse vdiq.

87 humbi birin e vetëm.

Gjyshja më mësoi se dinjiteti s’ka lidhje me paratë, favoret, titujt.

Më mësoi si të jem modeste, si të bëj çfarë është e dobishme dhe jo të pres të shpërblehem.

Ajo më mësoi mua të mos mposhtem edhe kur më duket se kam humbur gjithçka.

Kur e pyeta nëse ishte Zoti që e kishte ndihmuar në udhën e saj, m’u përgjigj se nuk e dinte çfarë ishte Zoti, por kishte besim në ndërgjegjen e saj.

Gjyshja ime ishte tepër krenare dhe gjithmonë e qetë.

Ajo më mësoi gjuhën frënge.

Kur më vinin miq, bënte shaka dhe na mësonte Valz.

Ajo rrinte gjithmonë zgjuar, kur unë isha e sëmurë ose kur punoja deri vonë.

Gatuante Kekun më të mirë në botë.

E donte një Whiskey të mirë.

Sa herë jam në ankth pyes veten se çfarë do bënte apo do thoshte gjyshja ime në ato rrethana.

Sa herë ndjehem e lumtur, më pushton dëshira lumturinë ta ndaj me gjyshen time.