MENU
klinika

Botërori 2022

Grupi eliminator, historiku i përballjeve me rivalët

08.12.2020 - 12:42

Shqipëria mësoi rivalët e grupit eliminator për Botërorin 2022, teksa do të përballet me Anglinë, Hungarinë, Poloninë, Andorrën dhe San Marinon. Me të gjithë kundërshtarët Kombëtarja shqiptare është përballur në periudha të ndryshme.

Kundër Anglisë, Shqipëria është ndeshur vetëm në dy fushata kualifikuese Botërori, ku nuk ka asnjë fitore për kuqezinjtë në 4 ndeshje, por edhe golavarazhi është i frikshëm 12 gola të pësuar vetëm një të shënuar. Me Poloninë janë zhvilluar 11 ndeshje, i kemi mundur vetëm një herë: 2-0 në miqësoren e vitit 1953.

Të tjerat humbje dhe tre barazime, edhe pse ende djeg goli i shënuar nga Bonjek në maj 1985, me sulmuesin e Juventusit që mbërriti i fundit në Shqipëri për shkak të finales së Kupës së Kampioneve dhe shënoi golin vendimtar të takimit. Në takimin e 1984-s në Poloni, Shqipëria barazonte 2-2.

Kundër Hungarisë statistikat janë akoma më negative për Kombëtaren shqiptare, teksa kemi pësuar humbjen më të thellë në histori: 12-0 në një miqësore të zhvilluar më 1950. Shqipëria nuk i ka shënuar asnjë gol Hungarisë në 6 ndeshje, ku ka vetëm 1 barazim 0-0 në Kupën Ballkanike të vitit 1948.

Ndaj rivalëve të tjerë, Shqipëria ka bilanc pozitiv. Ndaj Andorrës kemi 3 fitore, 1 barazim dhe një humbje. Pikërisht disfata e vetme ndaj Andorrës sollin shkarkimin e trajnerit Demollari në vitin 2002. Me San Marinon janë vetëm dy miqësore, të dyja të fituara nga 3-0.

Objektivi mbetet që Kombëtarja të mos diskutojë sukseset si në transfertë, ashtu edhe brenda ndaj Andorrës dhe San Marinos dhe të tentojë jo vetëm t’i shënojë Hungarisë, por pse jo t’i marrë fitore, çka mund të sillte edhe vendin e tretë në grup, që duket synimi më real.