MENU
klinika

"Objektivi kryesor ka qenë…"

Guvernatori Sejko bën bilancin e një viti: Ja efektet e pandemisë!

17.12.2020 - 09:30

Rikthimi i masave kufizuese me ardhjen e vjeshtës ndikoi në ecurinë ekonomike. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha dje se rivendosja e pjesshme e kufizimeve u shoqërua me rikuperim më të ngadaltë të aktivitetit ekonomik.

“Të dhënat e disponuara për tremujorin e katërt janë ende paraprake. Megjithatë, përkeqësimi i situatës epidemiologjike dhe rivendosja e pjesshme e kufizimeve gjatë tremujorit të katërt sugjerojnë një rikuperim më të ngadaltë të aktivitetit ekonomik në këtë periudhë. Ky vlerësim mbështetet nga rënia e besimit të bizneseve dhe ilustron brishtësinë e zhvillimeve ekonomike në afatin e shkurtër”, tha Sejko.

Në konferencën e fundit për këtë vit, Guvernatori Sejko e cilësoi 2020 si një vit të vështirë si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe në atë ekonomik e social. “Pandemia Covid-19 ka shkaktuar tkurrje të fortë të aktivitetit ekonomik, rritje të papunësisë, vështirësi financiare për sektorin publik dhe privat, si dhe presione të dobëta inflacioniste.

Në këto rrethana, objektivi kryesor i politikave ekonomike ka qenë lehtësimi i barrës financiare për bizneset dhe familjet shqiptare, ruajtja e stabilitetit monetar dhe financiar në vend, si dhe krijimi i premisave për rimëkëmbjen e ekonomisë”. Miratimi i vaksinës kundër COVID-19 në SHBA dhe nisja e procesit të vaksinimit në popullatë janë shpresëdhënëse, vuri në dukje Guvernatori, si për një rimëkëmbje dhe rikthim në normalitetet në vitin që vjen, por përhapja e infeksionit vijon të paraqesë sfida serioze. “Lajmet e fundit mbi progresin e vaksinave japin shpresë për përfundimin e pandemisë dhe rikthimin e situatës në normalitet gjatë vitit 2021. Këto zhvillime rritin gjasat e rikuperimit gradual, por të vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm, por situata epidemiologjike vijon të paraqesë sfida serioze për ecurinë e ekonomisë në afatin e shkurtër”

MASAT

Por masat lehtësuese të marra nga Banka e Shqipërisë kanë krijuar tregje financiare të qeta dhe kushte monetare stimuluese për nxitjen e aktivitetit ekonomik.

Në veçanti, normat e interesit për familjet dhe bizneset kanë qëndruar në nivele të ulëta, kursi i këmbimit ka rezultuar i qëndrueshëm, ndërsa sektori bankar ka vijuar të kreditojë ekonominë. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare vjetore prej 6.7% gjatë vitit 2020, e mbështetur kryesisht nga zgjerimi i kredisë për biznese dhe rritja e kredisë në lekë. “Banka e Shqipërisë ndërmori një paketë të plotë masash për adresimin e situatës. Ne lehtësuam politikën tonë monetare dhe rritëm injektimet e likuiditetit, duke synuar funksionimin normal të tregut financiar, lehtësimin e kostos së borxhit, rritjen e kreditimit dhe nxitjen e konsumit dhe investimeve. Po ashtu, ne lehtësuam në mënyrë të përkohshme rregulloret e funksionimit të sektorit bankar, duke nxitur shtyrjen në kohë të pagesës së kësteve të kredisë dhe ristrukturimin e saj. Nga kjo lëvizje u vendos në moratorium mbi 40% e portofolit të kredisë bankare, duke lehtësuar barrën financiare mbi bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme. Gjithashtu, nga ristrukturimi i kredisë kanë përfituar mbi 25 mijë klientë bankarë, duke rritur qëndrueshmërinë e planbizneseve të tyre afatgjata. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se këto masa kanë rezultuar të suksesshme. Stabiliteti monetar dhe ai financiar i vendit kanë rezultuar të paprekur, ndërsa bizneset dhe familjet kanë vijuar të gjejnë mbështetje me kredi nga sektori bankar, duke shmangur falimentimet në masë dhe duke zbutur rritjen e papunësisë”, shtoi më tej Guvernatori Sejko.

VENDIMET

Në mbledhjen e djeshme, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 0.5%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi: Miratimin e rregullores “Mbi procedurat e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm të këmbimeve valutore”. Kjo rregullore sjell në version të përmirësuar procedurat e ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm të këmbimeve valutore. Ky version vjen si rezultat i nevojës për përmirësim të praktikave të punës të ndjekura, konsultimeve me bankat tregtare dhe asistencës teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Po ashtu, u miratua edhe rregullorja “Mbi kërkesën minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimet e pranuara”.