Shqipëria mori për herë të parë një medalje Europiane në gjimnastikë, në kalin me doreza, por në podiumin e kampionatit të mbajtur në Turqi u ngjit sportisti rus Matvei Petrov, i cili garoi me flamurin kuqezi.
Por si arriti Matvei të përfaqësonte vendin tonë në arenën ndërkombëtare. TV Klan bisedoi me të dhe trajnerin Alon Hasa, të cilët janë pjesë e një klubi në Pragë.
“Unë kisha ndaluar me gjimnastikën dhe Aloni më tha, nëse do të përfaqësoj Shqipërinë dhe unë pranova me kënaqësi. Tani është një sukses i madh për mua, është e pabesueshme” – u shpreh Petrov.
Trajneri tregon se synimi shkon deri te përfaqësimi në Lojërat Olimpike: “Kemi bërë një kërkesë që i jep mundësinë të marrë pjesë në Lojërat Olimpike 2020, por nëse nuk ai del Tokyo do të stërvitemi për Paris 2024.”
Matvei kërkon të japë ende për Shqipërinë, por edhe të frymëzojë të tjerë: “Tani unë jam shqiptar. Ne kemi mundësinë që të arrijmë një sukses akoma më të madh dhe unë do të bëj më të mirën. Shpresoj që shembulli im të ndryshojë diçka në Shqipëri, që fëmijët të afrohen me gjimnastikën dhe ky sport të rilindë sërish.”
Gjimnastika shqiptare vuan vitet e fundit mungesën e investimeve dhe rezultatet jashtë vendit kanë qenë të dobëta.