MENU
klinika

Portierët danezë

Kasper Schmeichel barazon rekordin e të atit

29.12.2020 - 13:07

Kasper Schmeichel bëri paraqitjen e tij të 398-të për Leicester City, duke barazuar rekordin e një tjetër portieri danez për një klub anglez. Por ai nuk barazoi rekordin e një ish-portieri dosido, po babain e tij, Peter Schmeichel, me plot 398 ndeshje për Manchester United.

Rekordi mbetet brenda familjes Schmeichel. Bëmë baba të të ngjaj, thuhet në kësi rastesh. Natyrisht, Kasper do ta thyejë dhe do ta thellojë këtë rekord, pasi në moshën 34 vjeçare ai vijon të jetë portier titullar i Leicester City.

Edhe në sfidën e fundit, që Leiceter barazoi 1-1 në transfertë me Crystal Palace, Schmeichel ishte në katërkëndorin e portës. Kulmi i tij është viti 2016, kur për herë të parë në historinë e futbollit anglez Leicester City u shpall kampion.

Në këtë drejtim i ati Peter ia kalon, pasi ka fituar 5 tituj me Manchester United dhe 5 kupa në Angli, pa harruar triumfin e vitit 1999 në Champions League. Edhe sa i përket kombëtares daneze, Kasper mbetet shumë prapa me të atin.

Peter u aktivizua në 129 ndeshje, ndërsa i biri ende është në numrin 60. Megjithatë, nëse Kasper do të vijojë karrierën deri në moshën 40 vjeç dhe do të jetë në formë, mund ta arrijë.