MENU
klinika

“Lotët e nënës s’ia than më kurrë”

Klea Huta reagon e tmerruar për vrasjen e 25-vjeçarit

09.12.2020 - 11:32

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme pas mesnatës në Tiranë, ku 25 vjeçari Klodian Rasha është qëlluar nga një efektiv policie pa kryer asnjë krim.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45 në rrugën “Dritan Hoxha”, teksa vetë Policia ka dhënë versione të ndryshme për ngjarjen.

Fillimisht ka pranuar se nuk kishte armë, deklaratë që e rrëzoi vetë pak më vonë, si justifikimi më i mirë që mund të gjente për të dalë nga ky batak. Burime konfidenciale bëjnë me dije për iconstyle.al se i riu nuk ka patur armë me vete dhe është qëlluar pas shpine.

Për këtë ngjarje të rëndë kanë reaguar personazhe të njohur të showbiz-it, mes tyre edhe moderatorja Klea Huta.

E tmerruar nga kjo ngjarje, ajo ka shkruar një status të gjatë në InstaStory ku shpreh revoltën për këtë veprim të kobshëm.

“Vetëm para pak orësh mora lajmin e kobshëm të vrasjes së 25-vjeçarit. Cfarë po të ndodh o vendi im? Si vritet një fëmijë nëne me plumb në zemër në mes të natës nga një polic i shtetit? Siii? As që dua t’ia di për shkakun. ai mund të ishte babai, burri, vëllai, kushëriri im, shok e mik, mund të isha unë por mbi të gjitha është jetë njeriu që ti policia e shtetit tim e vrave e ja preve jetën e ëndrrat në mes. Drejtësia të bëjë detyrën dhe pse jetën nuk ia kthen më mbrapsht atij e lotët e nënës s’i than dot kurrë më. Nuk mund ta besoj që kjo ndodhi në vendin tim. Jam e tmerruar.”- janë fjalët e Kleas.

Policia e Shtetit në muajt e fundit është vënë nën kritikën e mediave dhe opinionit publik për veprimet e saj të pajustifikueshme që jo vetë nuk janë njerëzore jo bien edhe në kundërshtim me ligjin.

Por kur janë rastet që parashikon ligji se kur një punonjës policie mund të qëllojë me armë zjarri në drejtim të një qytetari?

Sipas nenit 135, punonjësi i policisë, mund ta përdorë armën e tij vetëm atëherë kur është e domosdoshme dhe kur personi përballë ka rrezikshmëri të lartë për jetën e efektivit dhe shëndetin e personave të tjerë.

Madje në nenin 7, thuhet se, polici nuk duhet të përdorë armën në momentin kur personi tenton të largohet, pasi kjo tregon që ai ka hequr dorë nga veprimi që kishte nisur të bënte.

Neni 135

Punonjësit e Policisë së Shtetit dhe subjektet e tjera mund ta përdorin armën e zjarrit të shërbimit, në ushtrim të detyrave të tyre dhe në përputhje me dispozitat e këtij ligji, vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme dhe vetëm si mjet i fundit për të parandaluar ose neutralizuar veprimet e dhunshme të rrezikshme të personit me rrezikshmëri të lartë për jetën dhe shëndetin e tij dhe personave të tretë, kur mjetet e tjera të përdorimit të forcës nuk kanë dhënë rezultat ose nuk arrijnë objektivat e ligjshëm të detyrave funksionale.
Shmangia e një rreziku nëpërmjet përdorimit të armëve të zjarrit nga subjektet që u njihet kjo e drejtë, bëhet për të mbrojtur jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tyre ose të një tjetri nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit, me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me rrezikshmërinë e sulmit, si dhe kur u kërkohet për të përballuar një rrezik real dhe të çastit, që kërcënon atë ose një person tjetër apo pasurinë e tyre nga një dëmtim i rëndë, me kusht që të mos jetë i provokuar prej tij dhe dëmi i shkaktuar të mos jetë më i madh se dëmi i zmbrapsur.

Neni 58

Përgjegjësia e punonjësit të policisë Punonjësi i policisë që mban armë zjarri, përgjigjet për marrjen e masave që kanë të bëjnë me shmangien e:

a) dëmtimeve të armës, humbjes dhe përdorimit të saj nga persona të tjerë;
b) modifikimit të armës dhe të municioneve;
c) qitjeve aksidentale;
ç) demonstrimeve të panevojshme dhe kërcënuese.

Neni 59

Rregullat për mbajtjen dhe përdorimin e armës

Mbajtja e armës në situatat e punës, bën të detyrueshëm zbatimin e rregullave të mëposhtme:
a) pistoleta të mbahet në brez, në anën e djathtë ose të majtë sipas lehtësisë së përdorimit, e futur në këllëf, e siguruar që të mos dalë në mënyrë të pavullnetshme, pa fishekë në folenë e fishekut dhe në siguresë;
b) arma e gjatë e zjarrit dhe speciale mbahet gjithmonë në krah, sipas mënyrës së rekomanduar në instruktazh/manualin përkatës, pa fishekë në folenë e fishekut, në siguresë.
Në situatat e punës, kur punonjësi i policisë nuk është i veshur me uniformën e policisë, ai detyrohet të tregojë kujdes maksimal për shmangien e ekspozimit të armës individuale.
Punonjësit të policisë i ndalohet hyrja me armë zjarri në objekte kulti, në mjedise paraburgimi, në zyra e përfaqësi diplomatike, në zyrat e administratës së lartë shtetërore.
Përgjegjësitë për zbatimin e rregullave të mbajtjes dhe përdorimit të armëve të zjarrit klasifikohen:
a) përgjegjësi individuale, e cila nënkupton përgjegjësinë administrative individuale, në rastet kur punonjësi i policisë ka përdorur armën në kundërshtim me rregullat;
b) përgjegjësi e urdhërdhënësit, e cila nënkupton përgjegjësinë administrative të urdhërdhënësit, në rastet kur keqpërdoren apo kapërcehen kompetencat prej tij.

Përse nuk mban përgjegjësi politike ministri Lleshaj për vrasjen e kryer nga polici i tij? Pse nuk është në burg shefi i komisariatit? SHÇBA, e cila varet direkt nga ministri Sandër Lleshaj, me deklaratat e saj për vrasjen e të riut Klodian Rasha, po kryen veprën penale  “veprime që fshehin të vërtetën”.

Është fakt flagrant i krimit policor: Është përdorur arma ndaj një shkelësi që dënohet maksimumi me gjobë 10 mijë lekë! Policia e dënoi me vdekje!

Policia me këtë rast ekstrem është vënë në armiqësi të drejtpërdrejtë me qytetarin që është dhe punëdhënësi i tyre i drejtpërdrejtë. Ky veprim është i pafalshëm dhe padyshim duhet reagim i madh publik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN