MENU
klinika

Gjobitet Shkumbini

Komisioni i Disiplinës jep dënime të ashpra

02.12.2020 - 17:44

Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit është mbledhur ditën e sotme dhe ka marrë në shqyrtim të gjitha ndeshjet e zhvilluar gjatë javës së shkuar, ku më së shumti është angazhuar me Inferioren, Kategorinë e Parë dhe të Dytë, por edhe në futbollin e moshave.

Kështu, janë ndëshkuar zyrtar dhe lojtarë të skuadrës së Turbinës, por edhe Aliaj i Flamurtarit e Magani i Egnatias. Dënime që shkojnë nga 2 deri në 8 ndeshje pezullim. Ndërkohë që Shkumbini ka marrë si ndëshkim 100.000 lekë të reja gjobë.

VENDIMET E DISIPLINËS

1.Zyrtari i KF Turbina, Bledar Malaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të Nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

2.Lojtari i KF Turbina, Dorjan Bajrami, për pështyrje ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/f të KDS dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

3.Lojtari i Flamurtari FC, Denis Aliaj, për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/b të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

4.Lojtari i FK Egnatia, Endrien Magani, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

5.Shënkolli, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive duke lejuar praninë në stadium të personave të pa autorizuar, në bazë të Neneve 63 dhe 64/1 të KDS dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) Lekë. Në zbatim të Nenit 116/1/b të KDS, gjoba të aplikohet në masën 20%.

6.Lojtari i Shënkolli, Kristjan Marku, për goditje me grusht ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/e të KDS dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

7.Lojtari i KF Sopoti, Orgest Tanushi, për sjellje josportive dhe pështymjen ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/d/f të KDS dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.

8.Në bazë të Nenit 10/f të KDS, urdhërohet riluajtja e ndeshjes midis Labëria FC dhe FK Këlcyra, e vlefshme për javën e katërt Grupi B të Kampionat Kombëtar të Kategorisë së Dytë. Urdhërohet Sektori i Garave pranë FSHF për zbatimin e këtij vendimi.

9.KF Shkumbini, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive në bazë të Nenit 64/1 të KDS të dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) Lekë. Në zbatim të Nenit 116/1/b të KDS, gjoba të aplikohet në masën 20%.

10.Lojtari i FK Apolonia U19, Rubin Zijaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

11.Lojtari i KF Vllaznia U15, Rijad Fangaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

12.Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Erzeni, Xhino Ngjela, duke pezulluar zbatimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të nenit 32/2/4/5 të KDS, lojtari vendoset në provë për një afat 6 (gjashtë) mujor dhe në rast të përsëritjes të shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës, dënimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.