Grupi hetimor i ngritur nga autoritetet italiane për zbardhjen e vrasjes makabre të çiftit nga Vlora, Shpëtim e Teuta Pasho, është rikthyer në banesën ku kanë jetuar Elona Kaleshi dhe Taulant Pasho, para se të ndodhte krimi.
Dyshimet e autoriteteve italiane janë që krimi mund të ketë ndodhur edhe në apartamentin që ndodhet në lagjen Fiorentine të Novolit, në rrugën “Felice Fontana”, ku jetonte Elona Kalesha dhe ish-partneri i saj Taulant Pasho. Elona Kalesha, nga Durrësi, tashmë është e arrestuar si e dyshuara kryesore e kësaj vrasjeje.
Mediat italiane shkruajnë që data 1 nëntor e vitit 2015 është dhe nata e fundit e jetës për çiftin Teuta dhe Shpëtim Pasho, të cilët u masakruan dhe u prenë në copa duke i futur më pas në katër valixhe. Sipas hetuesve, 36-vjeçarja e arrestuar duket se e kishte të planifikuar vrasjen e prindërve të ish-të dashurit të saj për shkak të shumës së parave që ata mbanin me vete.
HETIMET ZBULOJNË KONFLIKTIN
Hetimet e kryera deri më tani kanë nxjerrë në pah edhe një konflikt mes palëve, nusevjehërr. E ndjera Teuta Pasho dhe Elona Kalesha thuhet se nuk kishin marrëdhënie shumë të mira bashkë. Sipas informacioneve mësohet se Teuta, nëna e Taulantit, nuk ishte dakord me këtë marrëdhënie.
Pasi djali i saj, Taulanti, të dilte nga burgu, do t’i kërkonte djalit që të zgjidhte mes tyre: “Ose atë, ose ne”. Por kjo është një përballje që nuk ka ndodhur kurrë dhe se gjurmët e fundit të çiftit janë një ditë para se djali i tyre i dënuar për drogë të dilte nga burgu.
Vrasja dyshohet se ka ndodhur në momentin që çifti ka qenë në gjumë dhe copëtimi i trupave të tyre mund të ketë ndodhur në ditët në vijim. Dëshmitarët, banorë të pallatit, kanë konfirmuar se nga apartamenti vinte një aromë shumë e keqe gjaku dhe e një lloj substance ngjitëse. Ndërkohë, Elona Kalesha pritet të dalë para autoriteteve gjyqësore ku do të njihet me masën e saj paraprake të sigurisë.
Prokuroria, sipas mediave italiane, mësohet se ka kërkuar masën “Arrest në burg”. Dyshimet e para për vrasjen e çiftit nga ish-e dashura e djalit kanë qenë nga vajza e familjes, Vittoria, e cila është shprehur se ajo ka qenë dhe kontakti i fundit me prindërit e saj.
SHTËPIA E KRIMIT
Shtëpia e dyshuar ku ka ndodhur krimi i rëndë është një ndërtesë në katin e parë, me një ballkon të vogël. Pikërisht aty dyshohet të jetë vrarë Shpëtim dhe Teuta Pasho. Bashkëshortët shqiptarë jetuan për një periudhë të shkurtër aty duke marrë me qira një apartament, ndërsa prisnin që djali i tyre, Taulanti, të dilte nga burgu. Tani apartamenti është i bllokuar nga karabinierët, së bashku me garazhin përkatës.