MENU
klinika

Pas bllokimit të integrimit

Kryeministri maqedonas, kritika të ashpra për Bullgarinë

09.12.2020 - 19:31

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Bullgarisë, e cila sërish ka bllokuar kornizën negociuese mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.

Kryeministri Zaev në një fjalim para qytetarëve, kritikoi Sofjen për politikë irracionale dhe fyese ndaj maqedonasve me mohimin e identitetit dhe të gjuhës maqedonase.

“Kjo nuk është mënyra evropiane. Fatkeqësisht, Bullgaria nuk ka vepruar si shtet evropian. Bullgaria e lejoi veten të bënte një gjest që nuk dëshmon as miqësi dhe as vëllazëri”, tha Zaev.

Kryeministri maqedonas tha se Bullgaria me këtë veprim ka bërë gabim gjeostrategjik duke bllokuar procesin e zgjerimit të BE-së.

“Fatkeqësisht, procesi i zgjerimit si një qëllim strategjik i BE-së është bllokuar nga Republika e Bullgarisë, nga pozicioni i një vendi anëtar. Ky është një gabim i papërgjegjshëm dhe i rëndë gjeostrategjik”, ka theksuar kryeministri maqedonas.

Ai tha se qeveria që ai drejton nuk heq dorë nga agjenda evropiane, por se tani vëmendja do të përqendrohet në zbatimin e reformave, duke i bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë pjesë në evropianizimin e vendit.

Por paraprakisht, Ministria bullgare e Punëve të Jashtme ka rikujtuar Maqedoninë e Veriut se me “histori totalitare të trashëguar është e vështirë të gjesh mbështetje nga Bullgaria”.

Në mes të nëntorit, Bullgaria njoftoi për vendosjen e vetos për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Që korniza negociuese të kalojë, duhet votë unanime nga të gjithë anëtarët e BE-së.