Të gjitha kanalet televizive greke kanë heshtur prej orës 6 të pasdites të së martës, pas një greve 24 orëshe që kanë filluar sindikatat që përfaqësojnë gazetarët dhe punonjësit e tjerë në kanalet televizive publike dhe private, si dhe agjencia shtetërore e lajmeve, për të protestuar ndaj ndryshimeve që sjell projektligji i ri i qeverisë Mitsotakis në marrëdhëniet dhe kontratat e tyre të punës.
Në një deklaratë të përbashkët, unionet e gazetareve në të gjithë vendin si dhe të punonjësve në këto media, theksojnë se projektligji i ri përmban dispozita të cilat shfuqizojnë thelbin e marrëdhënieve të punës dhe të drejtave dhe çojnë në shkurtime të vendeve të punës dhe largime masive ,ndaj kanë bërë thirrje për anulimin e tij.
Projektligji i ri, që mban emrin e zëdhënësit të qeverisë Stelios Petsas, në thelb shfuqizon ligjin e qeverisë Tsipras, sipas të cilit një kanal me licensë kombëtare duhet të ketë të paktën 400 gazetare dhe punonjës, me kontrata të rregullta pune.
Në një prej predispozitave të reja ky numër tashmë shkon në 280, ndërsa për 120 vendet e tjera të punës mund të merren gazetarë apo teknikë me orar minimal apo që punojnë në kompani te tjera.
“Z. Petsas përpiqet në një mënyrë të njëanshme dhe autoritare, pa asnjë dialog, të krijoje një status te ri dhe të shkatërrojë më shume kushtet e punës së gazetarëve në një kohë kaq të vështirë për veprën e tyre , për shkak të pandemisë që ka pllakosur vendin dhe mbare boten , duke e mbytur informimin publik.
Pa respekt, për një sektor të prekur thellë nga kriza 10-vjeçare dhe që vazhdon te vuajë nga pandemia, projekt-ligji Petsas promovon fleksibilitetin e marrëdhënieve të punës, duke e kthyer mjedisin tashmë të pasigurt në këtë sektor, në një fushë të minuar të kushteve të punës për Mjetet e Komunikimit Masiv” – thuhet midis të tjerash në deklaratën e unioneve të gazetarëve.
Sindikatat theksojnë se ky projektligj është një “dhuratë” tjetër e qeverisë për pronarët e stacioneve TV, e cila sjell një goditje të re shumë të fortë për punonjësit pasi hap rrugën për pushime te reja nga puna dhe shkakton tkurrje të mëtejshme ne skemën e sigurimeve dhe pensioneve të gazetarëve.
Greva mbështetet nga shumica e partive opozitare.