MENU
klinika

NBA

Lakers humbin derbin në startin e sezonit

23.12.2020 - 12:12

NBA ka startuar me 2 ndeshjet e para të sezonit të ri. Mbrëmje tërësisht për t’u harruar për Los Angeles Lakers. Kampionët në fuqi të NBA i kanë bërë një start tejet negativ sezonit të ri, pasi janë mposhtur në takimin hapës në derbin me Clippers, me shifrat e ngushta 116-109.

Të frymëzuar dhe nga ylli i saj, Paul George, i cili realizoi 33 pikë, 6 rebaund dhe 3 asiste, Clippers morën frenat e lojës që në periodën e parë, ku distanca shkoi në 20 pikë. Lakers u përpoqën të reagonin dhe në një farë mënyrë ia dolën në të dytën periodë me rezultatin që u ngushtua në vetëm 2 pikë.

Gjithsesi, Clippers u duk se kishte një marsh më shumë në këtë përballje, duke fituar edhe periodën e tretë me distancë të konsiderueshme, 33-24. Shpërthimi i LeBron James në fundin e takimit nuk i shërbeu Lakers për të shmangur humbjen. James kontribuoi me 22 pikë, 5 rebaund dhe 5 asiste në këtë përballje.

Në takimin tjetër, Brooklyn Nets mposhti thellë 125-99 Golden State, duke treguar edhe diferencat mes dy skuadrave në këtë start të sezonit. Plot 26 pikë diferencë, që tregon se Golden State ka probleme, ashtu si në sezonin e kaluar.