MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Loja e shëmtuar europiane me vaksinat dhe ballkanasit e varfër

29.12.2020 - 19:52

Lajmet e orëve të fundit konfirmojnë atë që shumëkush në lagjet e varfëra të kontinentit evropian, kishte parashikuar me cinizëm dhe frikë: edhe vaksinat, ashtu siç ndodh me çdo aspekt tjetër të shëndetit publik, po rezultojnë të jenë një lojë të pasurish! Diçka e ngjashme me operacionet e shtrenjta të zemrës, tumoreve, apo bisturitë milionëshe të plastikës që heqin rrudhat dhe ulin vitet. Bashkimi Evropian premtoi se 27 dhjetori do të ishte dita evropiane e vaksinës dhe ashtu ndodhi: të pasurit e kontinentit mundën të vaksinohen. Qoftë edhe simbolikisht, me pak mijëra doza, por gjithsesi të mjaftueshme për të bërë lajm dhe për të ndezur shpresat e 440 milion banorëve të klubit të pasur evropian.

Pjesa tjetër, ato pak vende që kanë mbetur jashtë “zonës së gjelbër” ku gëlon soliderateti dhe ngrihen lart virtytet më fisnike të racës tonë, duhet edhe një herë të ngushëllohen me premtime, para të ofruara në letër dhe në minutën e fundit dhe…fjalë boshe që i merr era. Megjithëse në Bruksel e dinë se kjo emergjencë dimërore e Covid 19 ka krijuar një situatë të habitshme ku ka para por s’ka doza vaksine, mesazhet drejt Ballkanit Perëndimor, një grushti vendesh që kanë banorë sa një e treta e Italisë, janë plot entusiazëm dhe oferta financiare. Asnjë plan konkret i afërt për vaksina, asnjë solidaritet i konkretizuar me ndonjë gjest sado të vogël donacioni, megjithëse miliona doza të Pfizer po vërshojnë këto orë drejt vendeve të BE.

Pas 200 milion dozave të prenotuara prej kohësh, Bashkimi Evropian njoftoi se ka përfunduar marrëveshjen me Pfizer edhe për 100 milion doza të tjera. Një stok gjigand vaksinash, që do të shpërndahet nëpër shtete ku tashmë kanë nisur fushatat më ambicioze të vaksinimit publik që mbahen mend.

Bëni si them unë por mos bëni si bëj unë. Është lajm i orëve të fundit që Gjermania, megjithëse pjesë e BE, ka negociuar paralelisht me kompaninë Moderna për të blerë 50 milionë doza shtesë vaksine. Shtetet e pasura të Perëndimit po tregojnë gjithçka këto orë, përveç solidaritet me fqinjët, të varfërit dhe të vegjëlit. Çfarë etike ka, fjala vjen, që një shtet si Kanadaja të porosisë vaksina sa për t’i vaksinuar pesë herë banorët e saj?!

Sezoni dimëror dhe kurba në ngritje e infektimeve kudo në hemisferën veriore, e bën urgjent vaksinimin në këtë moment. Jo më vonë! Është e pritshme që në pranverë prodhimi global i vaksinave do të bëjë të mundur që ato të gjenden shumë më lehtë se sot. Por është gjithashtu e vërtetë që në atë periudhë, me shumë gjasë, shumë vende do të kenë numra të tillë infektimesh, që do ta bëjnë shumë relative peshën e vaksinave. Do të na “vaksinojë” Covidi, jo shkenca!

Nëse Brukseli dhe shtetet e tjera të pasura do të aplikojnë politika individualiste dhe peshën e më të fortit, përballë vlerave të solidaritetit me pjesën tjetër të kontinentit, atëhere është mirë që burokratët e BE, apo ata gjermanë, francezë e britanikë të “rrudhin gojën” e të mos hedhin premtime boshe. Nëse Ballkani Perëndimor është vërtet rajoni që shumëkush në Bruksel na thotë se është, tregojeni! Ndryshe, na bëni një favor të vogël në këto kohë të zymta: na i kurseni fjalët e bukura! Ose pastaj, mos u acaroni nga miklimet dhe joshjet e rusëve apo kinezëve ndaj të tretëve, që po shetisin nëpër botë me vaksinat e tyre në xhep!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Kur vihen afatet, kushtet shkelen”

Minxhozi: Sfida që ka përpara Gjykata Kushtetuese