MENU
klinika

Pas arritjes së marrëveshjes!

Mbretëria e Bashkuar drejt largimit historik nga BE

31.12.2020 - 16:51

Mbretëria e Bashkuar po përgatitet për një shkëputje historike nga Bashkimi Evropian që do të rivendosë marrëdhëniet midis tyre për brezat që do të vijnë.

Më shumë se katër vjet pasi një pjesë e Britanikëve votuan pro largimit nga BE, MB do të largohet nga tregu i vetëm i bllokut dhe bashkimi doganor në 23:00 GMT më, 31 Dhjetor. Ndërsa fillon viti i ri, të dy palët duhet të respektojnë kushtet e një marrëveshje të lidhur kohët e fundit, e cila vendos kufij në marrëdhëniet e tyre tregtare dhe të sigurisë.

Të Mërkurën, Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar miratoi me shpejtësi marrëveshjen, që do të thotë se ajo ka kaluar tani në ligjin e MB.

Me pak fjalë, Brexit shënon ndryshimin më të rëndësishëm në historinë e fundit të vendit dhe do të ndryshojë dekadat e integrimit më të afërt ekonomik, kulturor dhe social me BE, partneri i saj më i madh tregtar.

“Historikisht është me të vërtetë domethënëse – është shembulli i parë i madh i ndërtimit të barrierave në tregti dhe në bashkëpunim që kemi parë në periudhën moderne,” i tha Al Jazeera Simon Usherëood, një profesor i politikës në Universitetin e Surrey.

Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit me 1,240 faqe u ndërmjetësua përfundimisht një javë më parë, pas muajsh negociatash të ndara në të ashtuquajturën periudhë tranzicioni, e cila filloi pas largimit zyrtar të MB nga BE në janar.

Pasi u arrit marrëveshja, nga të dy palët u ndie një ndjenjë lehtësimi.

Ajo siguron që mallrat të mund të vazhdojnë të kalojnë midis MB dhe BE pa tarifa ose kuota nga fillimi i 2021, duke zbutur tregtinë me vlerë qindra miliarda paund – dhe euro – në vit.

Akoma, largimi i afërt i Londrës nga orbita e Brukselit do të sjellë një sërë rregullash të reja dhe burokraci për bizneset.

Se si britanikët dhe evropianët jetojnë, punojnë dhe udhëtojnë midis vendit dhe kontinentit gjithashtu do të ndryshojë, me rregullore të reja për vizat. Pas arritjes së marrëveshjes, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson foli për një “komb të sapo shpallur të pavarur”.

Ai fitoi me bindje të madhe në zgjedhjet e Dhjetorit 2019 në një premtim për të “realizuar Brexit”, pasi çështja përfundoi në mënyrë efektive karrierën politike të dy paraardhësve të tij – Theresa May dhe David Cameron.

Johnson e ka përshëndetur marrëveshjen e BE si një triumf, duke pretenduar se ai ka arritur atë që ka vendosur të arrijë.

Mbretëria e Bashkuar, tha ai, ka marrë përsëri kontrollin e ligjeve të saj, kufijve dhe ujërave të peshkimit nën këtë pakt.

Ai gjithashtu theksoi se MB do të jetë “miku dhe aleati më i mirë që BE mund të ketë” duke u referuar në marrëdhëniet e tyre të reja. Por kundërshtarët e Brexit thonë se ndarja kërcënon të shkatërrojë Mbretërinë e Bashkuar, të dëmtojë ekonominë në një periudhë afatgjatë dhe të zvogëlojë pozitën e saj globale.

Prodhimi ekonomik kombëtar do të tkurret me 4 përqind gjatë 15 viteve të ardhshme si rezultat i largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga tregu i vetëm i BE-së dhe bashkimi doganor, sipas mbikëqyrësit financiar të Mbretërisë së Bashkuar, Zyra për Përgjegjësinë e Buxhetit (OBR).

Ekonomitë e BE parashikohet gjithashtu të marrin një goditje, megjithëse ndikimi i Brexit do të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme në të gjithë bllokun.

Irlanda, Belgjika dhe Hollanda pritet të preken më shumë, pasi ato bëjnë më shumë tregti me Mbretërinë e Bashkuar.

Analistët thanë se edhe me marrëveshjen e rënë dakord tregtare, Brexit do të rezultonte në mënyrë efektive me humbje për të dy palët.

“Është një goditje ekonomike … dhe ndryshimi më i madh në marrëdhëniet tregtare në historinë moderne,” i tha Al Jazeera David Henig, drejtor i Projektit të Politikës Tregtare të MB në Qendrën Evropiane për Ekonomi Politike Ndërkombëtare.

“Ka 660 miliardë paund [afërsisht 898 miliardë dollarë] tregti që nesër është nën rregulla të reja, më kufizuese”, tha ai. “Sa ndikim do të ketë Brëxit në ekonomi, thjesht nuk e dime, jemi drejt një të panjohure.”

Henig dhe Usheruood gjithashtu presin rënie të vazhdueshme politike vitin e ardhshëm dhe më gjerë, duke përmendur pikat e mundshme: përçarje që shoqëron zbatimin e marrëveshjes tregtare, protokollin e marrëveshjes për Irlandën e Veriut dhe pasojat e saj për Skocinë, ku partia nacionaliste në pushtet po bën presion për një referendum të dytë për pavarësinë.

Do të ketë gjithashtu konflikt të mëtejshëm midis Londrës dhe Brukselit, me shumë aspekte të marrëdhënies së përgjithshme të së ardhmes mes tyre akoma për t’u përpunuar.

“Nëse supozoni se fundi i Brexit është kur ka një marrëdhënie të re, të qëndrueshme me BE-në, atëherë ne nuk jemi ende në atë pikë,” tha Usheruood.

Përkthyer dhe përshtatur nga Aljazeera/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


E nëse nuk ka më kë të fajësojë?!

Rreziku më i madh për Boris Johnson në 2021