Nga Eljon Kollçaku
Portretizimi i dhunës në familje nga media mbetet një pikë diskutimi dhe që nxit debat sapo të hapet.
Ndonëse në mediat shqiptare, raste të ndryshme të dhunës në familje janë ekranizuar e mediatizuar, efekti i tyre mbetet për t’u diskutuar, si dhe mënyra e trajtimit dhe raportimit të këtyre rasteve.
“Vetëm para ditë më parë, një lajm tjetër kishte titullin “krim pasioni” ndërsa fliste për vrasjen e një çifti nga një person që sipas media kishte vrarë nga xhelozia. Për fat të keq shumë njerëz, dhe rrjedhimish dhe shumë gazetarë vazhdojnë ta romantizojnë dhunën nën titujt “krim pasioni,” “Romeo dhe Zhuljeta”, “”motive të dobëta, “u zunë për një femër”. Të gjitha këto raportime apo përshkrime tërësisht të gabuara në fakt nuk bëjnë gjë tjetër vese e justifikojnë dhunën, e legjitimojnë atë duke mënjanuar analizën e fenomenit, dhe në mënyrë shpesh të hapur e shpesh më subtile, duke ia lënë fajin viktimës, vajzës apo gruas”- thotë feministja dhe sociologia, Ermira Danaj.
Ndërkohë, gazetarja Evis Nasto, thotë se media shqiptare ka nevojë të fokusohet më shumë tek dhunuesi dhe jo tek e dhunuara.
Detajet e shumta që raportohen për të dhe që shpesh çojnë drejt identifikimit të gruas sjellin pasoja jo vetëm tek ajo por edhe tek fëmijet e saj.
“Po ashtu, besoj se kur raportojmë për dhunuesin apo të dhunuarën duhet të shmangim komentet e familjarëve apo te fqinjëve që shpeshherë sjellin deformime apo keq-orientime të motiveve që mund të kenë çuar në degradimin e marrëdhënies bashkëshortore. Mendoj se motivet jane të vlefshme per qëllime studimore por kur i mëshohet shumë motiveve, veçanërrisht me ngjyresa seksiste, duket gati sikur kemi përligjur duke e dhunuar apo vrarë dy herë viktimën.
Policia e Shtetit deklaron për Portën Vendore se gjatë muajit mars 2020 gjatë muajit mars 2020 janë evidentuar gjithsej nga ana e policisë 249 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare. “Nga këto: Janë trajtuar me kërkesë–padi ‘Për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes 141 raste, ndërsa 90 raste janë proceduar penalisht dhe janë arrestuar 33 autorë. Kurse gjatë muajit mars 2019 janë evidentuar gjithsej nga ana e policisë 390 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare. Nga këto: Janë trajtuar me kërkesë–padi ‘Për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes 247 raste, ndërsa 104 raste janë proceduar penalisht dhe janë arrestuar 41 autorë”, kishte deklaruar Policia e Shtetit.
Psikiatri Neli Demi, mendon se publikimi i rasteve te dhunës ne media është një gjë e nevojshme dhe e dobishme për shumë arsye. “Problemi është qe jo rrallë ndodh që rastet e dhunës në familje mund të përcillen në menyre stigmatizuese dhe te një-anshme. Koncepti që një bashkëshort që sulmon fizikisht gruan e tij është diçka më ndryshe nga rastet kur një njeri sulmon një njeri tjetër në rruge apo në një park apo në një lokal është një fyerje për ndërgjegjen tonë kolektive. Këto raste nuk kanë asnjë ndryshim nga njëri-tjetri. Dhuna është dhunë!”- thotë Demi. Ai shton gjithashtu, se shpesh përcillen në mënyra të qarta ose më pak te qarta mesazhe stigmatizuese dhe relativizuese të ndikuara nga normat gjinore mbizotëruese në një shoqëri të caktuar. “Ato njihen me njëri-tjetrin, ndoshta ajo e meriton atë qe i ka ndodhur. Ato kanë një histori me njëri-tjetrin. Ajo ka zgjedhur të jetë me të. Ndoshta ajo e do atë akoma”.
Dhe, shpesh fajësohet viktima që nuk reagon, nuk largohet, nuk denoncon. Këto tendenca jo vetëm qe nuk ndihmojnë në një portretizim objektiv dhe sensiblizim të shoqërisë, por kontribuojnë në “betonizimin” e një mentaliteti patriakal dhe justifikim të dhunës. Për më tepër një qasje e tillë ri-traumatizon viktimën dhe dekurajon personat e tjerë nën një dhunë në familje për të denoncuar e për të kërkuar ndihmë.
Ekranizimi i dhunës familjare
Një nga ato raste që ka lënë gjurmë dhe është diskutuar shumë është rasti i Lindita Hoxhës, i trajtuar në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” nën drejtimin e autores Evis Ahmeti.
Lindita Hoxha është nëna e tre fëmijëve e cila aty rrëfei jetesën e vështirë dhe dhunën që bashkëshorti ka ushtruar për vite me radhë, duke lënë pasoja shëndetësore. Lindita kishte thënë se me bashkëshortin ishte njohur me dashuri fillimisht, por pasi mbeti shtatzënë filluan konfliktet dhe torturat në jetën e saj. Pasi bashkëshorti i saj bëhet vartës i alkoolit, ai nuk kontrollon më veprimet e tij, por ushtron dhunë ndaj nënës së tre fëmijëve. Në kohën që emisioni u realizua, bashëshorti i 39 vjeçares ndodhej prapa hekurave, por ajo deklaronte se ai sërish e kërcënonte bashkëshorten përmes mesazheve të ndryshme që dërgonte në adresë të saj. E pambrojtur dhe me një gjendje të rënduar psikologjike nënë e tre fëmijëve kërkon ndihmë nga shteti. Mirëpo, si u pa portretizimi i këtij rasti nga ekspertët që vijnë nga fushat përkatëse?
Gazetarja Evis Nasto, thotë se çështjet e raportimit të dhunës ndaj grave mbeten gjithnjë “Thembra e Akilit” në median shqiptare për shkak jo vetëm të mungesës së profesionalizmit në raportimin e ngjarjes por njëherësh edhe në shkeljen e parimit etik nga ana e gazetarit.
“Emisioni në fjalë është një format i mirë në aspektin konceptual por shpeshherë menyra sesi trajtohen rastet e grave te dhunuara lë për të dëshiruar. Më konkretisht duke iu referuar rastit të Linditës, i transmetuar në 10 nëntor 2019 vërej pikë së pari mungesë kujdesi në mbrojtjen e identitetit të gruas së dhunuar. Qëndrimi i saj me kurriz nuk shmang detaje nga rrëfimi i saj (emri i bashkëshortit, emri i familjarëve, qyteti ku banon, vlen per t’u nënvizuar që është një qytet i vogël ku njerëzit mund ta identifikojnë lehtësisht me këto të dhëna) apo qoftë edhe ngjyresa e zërit e cila nuk është ndryshuar sikurse ndodh rëndom në kësilloj rastesh”- shton gazetarja Nasto.
Sociologia dhe feministja, Ermira Danaj, thotë se element tjetër në lidhje me mediat dhe dhunën është prezantimi i rasteve të dhunës në emisione të posaçme, që mbase, mund të nisen dhe nga mendimi i mirë për të ndihmuar. Ajo shton se dhe këto emisione shpesh e përforcojnë dhunimin e viktimës duke i dhënë më shumë kohë televizive dhunuesit apo familjes së tij, apo “arsyeve” sepse dhunuesi ka rrahur apo vrarë një grua. Dhe ajo që është tërësisht e pafalshme janë rastet kur përpiqen të pajtojnë një viktimë të dhunës me dhunuesin e saj në emër të gjoja “dashurisë”. “Vetëm dashuri që nuk ka në këto raste, është thjesht një marrdhënie patriarkale e pastër e cila justifikon rrahjen, kontrollin, dhunën ekonomike dhe emocionale të një gruaje. Dhe të gjitha këto lloje dhune dënohen sipas kodit penal shqiptar. Pra, nuk ka asnjë ambiguitet në këtë rast”- shton më tej Danaj.
Psikiatri Neli Demi thotë se emisioni në fjale me gjithë dëshirën e mirë në thelb të tij, krijon përshtypjen e nje menaxhimi joprofesional të rastit. Nga njëra anë qasja morale dhe ligjore e profesionistëve të ftuar në studio është në përkrahje të viktimës por mënyra e ndërtimit të emisionit dhe ndërhyrjet e tyre kaotike, më shume jep një pershtypje protagonizmit të tyre sesa një kujdes për të sjellë historinë personale të personit të dhunuar në një menyrë qe do t’i shërbente jo vetëm sensibilizimit të rastit por edhe sigurimit dhe qetësimit të viktimës. “Në përshtypjen time, në kete rast vihet re një hiper-reagim emocional i profesionistëve në favor të “spektaklit” dhe jo domosdoshmërisht i kujdesshëm për viktimën dhe pasojat që ky hiper-reagim sjell te personi i dhunuar. Fatkeqësisht, dhe besoj se pa dashje, në momente të caktuara kishte edhe doza jo shumë te dukshme fajësimi duke sjellë nje diskutim të panevojshëm mbi mënyrën sesi duhen zgjedhur partnerët. Pra: “edhe ti ke faj se ti e ke zgjedhur atë”- shton më tutje Demi.
Gazetarja Evis Nasto parashton dhe një tjeter aspekt, që është edhe mënyra sesi drejtuesja e emisionit e pyet gruan e dhunuar. “Nuk me dukesh mirë, je dobësuar, je zbehur…etj etj”. Qëllimi është qe ajo ta nxis rrëfimin e zonjës Lindita (viktimës së dhunës se bashkëshortit), drejt detajeve më konkrete të formës së dhunës së cilës ajo i është nënshtruar dhe pasojat fizike qe i ka lënë kjo dhunë. “Mendoj se kjo formë jo vetëm që nuk tingëllon etike, por nga ana tjetër ka tendencën ta kompleksojë gruan e cila duke u perfshirë në këtë rrëfim delikat është njësoj sikurse të përjetojë dhe njëherë traumën që ka kaluar. Mendoj se një pyetje e hapur e tipit: “Çfarë shqetësimesh shëndetësore ke pasur gjatë marrëdhënies së vështirë me bashkëshortin tuaj të dhunshëm?” mund të tingëllojë më profesionale sesa një pyetje me konstatim brenda sikurse ajo që bëri drejtuesja e emisionit”- shton në lidhje me emisionin, gazetarja Evis Nasto.
Megjithatë, duke iu referuar rastit në fjalë, ajo që është e rëndësishme është arsyeja se pse një grua, viktimë e dhunës, detyrohet të shohë tek media mbështetjen e vetme.
Ky nuk është rasti i vetëm kur media shërben si mjeti i fundit për të zgjidhur një problem. “Kjo është absolutisht problematike, duke menduar që në Shqipëri ka ligje të posaçme për mbrojtjen nga dhuna si dhe zyra të posaçme, madje dhe brenda forcave të policisë. Dhe këtu jemi përsëri tek hendeku i madh mes ekzistencës së ligjeve dhe zbatimit të tyre. Nuk është vetëm ky rast, por ka pasur dhe ka shumë raste të tjera në të cilat viktima është e detyruar të banojë me dhunuesin edhe pasi ka marrë urdhër mbrojtjeje nga gjykata. Pavarësisht gatishmërisë së medias për të paraqitur një rast të tillë, pyetja është po rastet e tjera, do të duhet që të gjithë të shkojnë në një media të caktuar?”- shtron si pyetje sociologia dhe feministja, Ermira Danaj. Ajo e përmbyll se do të ishte më mirë që mediat të bënin investigime të mirëfillta dhe të thella duke analizuar kuadrin ligjor, institucionet përkatëse, gjendjen e tyre, kapacitetin e strehëzave, përgatitjen dhe gatishmërinë e policisë për të reaguar në këto raste, përgatitjen dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor, përgatitje së spitaleve për rastet e përdhunimit, gatishmërinë e strukturave të tjera, etj.
Në këtë mënyrë do të mund t’i ofronin ndihmë mbase shumë më tepër grave dhe vajzave që kanë apo mund të kenë nevojë.
Ne nuk kemi nevojë për të ditur detajet si u vra një grua, as të dëgjojmë bashkëqytetarë/et apo bashkëfshatarë/et që përgësojnë babain vrasës së ka ruajtur nderin, as për xhelozinë e ndonjë dhunuesi.
Të tilla informacione, i dëgjojmë, mbase dhe shokohemi, dhe pas 5 sekondash kemi parë lajmin tjetër, dhe me kaq e kemi mbyllur këtë çështje. Ne kemi nevojë të informohemi në mënyrë të thelluar së pari mbi shkaqet e dhunës ndaj grave. Por, ky problem do të vazhdojë të mbetet derisa nuk merren në konsideratë të gjithë elementët që u parashtruan në gjithë artikullin.