MENU
klinika

Gati për të përballuar dimrin

Ministrja Balluku prezanton planin e masave

09.12.2020 - 14:28

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thotë se qeveria ka gati të gjitha kapacitetet për të përballuar situatën e krijuar në rrugët e vendit si pasojë e reshjeve të dëborës gjatë sezonit të dimrit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur tashmë zbatimin e planit të masave për mirëmbajtjen dimërore të akseve rrugore, për të garantuar një qarkullim pa probleme dhe të sigurt të automjeteve në të gjitha segmentet rrugore në vend gjatë stinës së dimrit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi nga Kukësi se duhet bashkëpunim i bashkive me Autoritetin Rrugor Shqiptar për të qenë të koordinuar dhe për të ndërhyrë menjëherë në rastet kur do të jetë e nevojshme.

“Është shumë e rëndësishme dhe duhet theksuar që bashkëpunimi i Bashkisë me Autoritetin Rrugor Shqiptar është një pjesë shumë e rëndësishme, sidomos në zonat të cilat e kanë edhe problematikën e motit të përkeqësuar, siç është zona e Kukësit, Ersekës apo Korçës. Sigurisht ne bëjmë punën, i kemi të gjitha fuqitë edhe mundësitë për ta përballuar, por bashkëpunimi me Bashkinë është shumë i rëndësishëm pasi ARRSH-ja shpesh herë mund t’ju vijë dhe ju në ndihmë për gjithçka që keni nevojë”, tha Balluku.

Çfarë përfshin plani i masave?

Plani i masave përfshin angazhimin e afro 500 mjeteve, borëpastruese dhe mjetet të tjera të rënda, ndërsa janë rezervuar afro 5 mijë tonë kripë që do të hidhen në rrugë, për të eliminuar ngricat si dhe afro 1200 punonjës, të cilët janë në gatishmëri në të gjithë vendin.

Që prej datës 15 nëntor janë ngritur shtabet e emergjencës në drejtoritë rajonale dhe atë qendrore ku raportohet gjatë 24 orëve lidhur me problematikat dhe situatën në akset rrugore.