MENU
klinika

Në qytetin e ndarë etnikisht

Mostari mban zgjedhjet e para lokale pas 12 vjetësh

20.12.2020 - 14:37

Në qytetin e ndarë etnikisht të Mostarit, në Bosnjë e Hercegovinë, po mbahen zgjedhjet e para lokale pas 12 vjetësh. Zgjedhjet po mbahen teksa vendi po përballet me rritjen e rasteve të reja me koronavirus, ku ka shqetësime se kjo gjë do të bëjë që votuesit të mos dalin në zgjedhje.

Tridhjetepesë këshilltarë të qytetit do të zgjidhen sipas rregullave të reja zgjedhore të qytetit të Mostarit. Këta këshilltarë të qytetit më pas do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e ri të qytetit.

Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Rezultatet paraprake pritet të dalin rreth mesnatës.

Numri i rasteve të reja me koronavirus dhe vdekjeve nga ky virus në Bosnjë e Hercegovinë është rritur ndjeshëm në javët e fundit dhe autoritetet shëndetësore deri më tani kanë raportuar për 105,000 raste dhe mbi 3,600 të vdekur.

Në hyrje të një qendre votimi në Mostar, janë vendosur edhe rregullat kundër pandemisë që duhet të respektojnë votuesit.

Me qëllim që të shmangin rrezikun e infektimit, votuesit në qendrat e votimit u kërkohet që të mbajnë distancë fizike, të vendosin maska dhe të lajnë duart. Atyre po ashtu u matet temperatura dhe qendrat e votimit vazhdimisht dezinfektohen.

Zgjedhjet lokale në mbarë vendin u mbajtën më 15 nëntor, ku partitë opozitare fituan dy nga qytetet më të mëdha në Bosnjë e Hercegovinë.

Rezultatet zgjedhore ishin goditje për nacionalistët në pushtet në mes të një vale të pakënaqësive të mëdha lidhur me menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.

Zgjedhjet lokale në Mostar vijnë pasi partitë kryesore boshnjake dhe kroate, në qershor arritën një marrëveshje për statutin e ri të qytetit.

Marrëveshja u nënshkrua nga Bakir Izetbegoviq dhe Dragan Çoviq, liderë të Partisë për Veprim Demokratik (SDA) dhe Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ). Marrëveshja u arrit pas negociatave të gjata.

Mostari nuk ka mbajtur zgjedhje lokale që prej vitit 2008, pasi autoritetet dështuan që të zbatonin një vendim të vitit 2010 të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, ku thuhej se struktura e ndarjes së pushtetit të qytetit ishte jokushtetuese dhe duhej të bëheshin reforma.

Lubo Besiq nga HDZ ka qenë kryetar i Mostarit, pa mandat, pasi mandati i skadoi më 2013.
Tetorin e kaluar, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dënoi Bosnjën për dështimin që të ndryshoi Ligjin e zgjedhjeve dhe të lejojë që zgjedhjet lokale të mbaheshin në Mostar.

Një qytetar duke votuar në zgjedhjet lokale në Mostar. 20 dhjetor, 2020.

Mostari ka një popullsi prej mbi 100,000 banorësh. Në perëndim të qytetit jetojnë kryesisht kroatët e Bosnjës, ndërkaq në lindje myslimanët bosnjakë.

Boshnjakët dhe kroatët e Bosnjës u bën bashkë kundër serbëve etnikë gjatë luftës së Bosnjës më 1992-95. Por, dy komunitetet po ashtu kanë zhvilluar beteja të ashpra në Mostar dhe në pjesë të tjera.

Qyteti i Mostarit reflekton situatën e tensionuar në mbarë vendin pas Marrëveshjes së Dejtonit të arritur më 1995, e cila e la Bosnjën të ndarë në dy rajone autonome – Federatën kroate boshnjake dhe Republikën Srpska të banuar me serbë etnikë – që bashkohen me një qeveri të dobët qendrore në Sarajevë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Qëndrimet e anëtarëve të presidentit

Njohja e Kosovës/ Bosnje-Hercegovina ende e pavendosur


Çfarë shkruajti shtypi gjerman?

DW: Ballkani drejt pasigurisë pa Merkelin?

Von der Leyen njofton vizitën në Ballkan

“Do përçoj angazhimin tonë për anëtarësimin në BE”

Kthehen punëtorët ditor: Ne shkojmë për bukën e gojës, këto kërkojnë test 23 €

Masat e reja anti-kovid në Mal të Zi krijojnë probleme

"I kam thënë kryeministrit disa herë..."

BIRN: Abazoviç kërcënon të rrëzojë qeverinë