Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për zgjerimin e Greqisë me 12 milje në det, deklaroi se duket se gjithçka është stuhi në gotë.
Nazarko u shpreh se sipas deklaratës së Ramës se “nuk shitet deti në shekullin XXI”, rezulton se edhe më 2009 nuk ka pasur tradhti me çështjen detare.
“Nuk ka asnjë referencë për zgjerim të Greqisë me 12 milje. Duhet të ketë diskutim dhe transparencë. Çështja e 12 miljeve zgjerim është një stuhi në gotë. Kjo është çështje deti. As në 2009 nuk u shit deti.
Nuk ka arsye për shqetësim. Rama ka bërë deklaratë autogol. Kjo sepse ai tha në shekullin e 21 nuk shitet deti, i bie që edhe më 2009 nuk ka pasur kurrfarë shitje. Për çështjen e detit, Greqia po “ushqen” popullin e vet për Krishtlindje”, tha Nazarko.
Mentor Nazarko thekson se Shqipëria në këtë proces është e shantazhueshme, duke shtuar se kjo ndodh për shkak se vendi ynë dëshiron integrimin në BE.
“Shkuarja në gjykatë ndërkombëtare është zgjidhja më e drejtë. Kjo sepse ne nuk kemi ekspertë apo institute që të kenë shumë vjet eksperiencë. Shqipëria është edhe e shantazhueshme, sepse do që të hyjë në BE.
Nëse Gjykata e Hagës është më e mira, kjo ha diskutim. Ky debat ka rëndësi që Shqipëria të përgatitet, që cili do jetë ai dokument i përbashkët që do të shkojë në gjykatë ndërkombëtare”, deklaroi Nazarko.
Më tej, Nazarko foli edhe për situatën në Kosovë, duke thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendime absurde.
“Vendimi i GJK të Kosovës ishte absurd. Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime, duke hequr edhe vullnetin popullor. Kriza në Kosovë nuk ka garanci se do të zgjidhet, kjo sepse nëse duhet që të mos ketë krizë, duhet që një parti të marrë së paku 80 deputetë.
Pa folur për faktin se Kosova ndodhet përballë problemeve edhe të tjera si Gjykata Speciale etj. Hyrja në zgjedhje kur Kosova është në emergjenca, e dobëson unitetin kosovar dhe pse jo unitetin mes Kosovës e faktorit shqiptar. Vendimi është i paqartë, sa nuk kuptohet nëse ka të drejtë zoti Kurti ka apo jo të drejtë të kandidojë për deputetë a kryeministër”, përmbylli Nazarko.