Ka nisur rreth orës 11:15 në qytetin e Shkodrës protesta për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, që ka hyrë sot në ditën e katërt të saj. Ndërsa protestuesit marshojnë në pedonalen e qytetit thërrasin vazhdimisht “Rama ik”, “Polici e krimit!”, ndërsa bëjnë thirrje për te vendosur drejtësi për Klodianin.
“Edvini e don popullin e vet, prandaj e vjedh, prandaj e vret”, është mbishkrimi ironik në pankartat e disa protestuesve.
Edhe sot kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e Drejtorit të Policisë Ardi Veliu, ndërkohë që nuk mungojnë as thirrjet për rrëzimin e qeverisë. Tubimi ka nisur nga lagjja “Luigj Gurakuqi” dhe po vijon drejt Prefekturës së Shkodër, ndërsa do të mbyllet në fund para selisë së PS-së.
Një tjetër protestë pritet të zhvillohet sot edhe në Tiranë, ku si zakonisht demonstruesit do të përqendrohen para Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Policisë dhe në rrugët e ish-Bllokut.
Kujtojmë që edhe dje pati përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, ku qytetarët qëlluan me gurë dhe shkatërruan objekte të ndryshme, ndërsa “blutë” u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.