MENU
klinika

"1 euro, afër Romës"

Një tjetër fshat italian, në treg të lirë!..

04.12.2020 - 17:17

        Ju prisni pak kohë, për një shtëpi që thuajse ju jepet falas dhe pastaj, ja tek ju shfaqen tri menjëherë.

Po, rikthehen shtëpitë italiane që kushtojnë 1 euro – dhe këtë herë bëhet fjalë për një numër të madh shtëpish në rajonin jugor të Molise. Castropignano, një fshat, me një kështjellë të shkatërruar, 140 milje në juglindje të Romës – është komuniteti i fundit i cili ofron ndërtesat e braktisura të banorëve të saj, sipas CNN.

Ai vijon në hapat e Salemit në Siliçi dhe Santo Stefano di Sessanios në Abruzzo, që në muajt e fundit, kanë ndërmarrë nisma të ngjashme për të nxitur ardhjen e banorëve të rinj.

Megjithatë, ndryshe nga skemat e mëparshme, që vënë në ankand ndërtesa të rrënuara, duke nisur nga 1 euro apo 1,20 dollarë, Castropignano po i bën gjërat ndryshe.

Këtu janë rreth 100 ndërtesa të braktisura, por në vend që t’ia shesë atij që do të japë ofertën më të mirë, kryebashkiaku Nicola Scapillati, dëshiron që t’u japë palëve të interesuara, shtëpinë e duhur për to. “Këtu, projekti funksionon pak më ndryshe”, thotë ai.

“Po ndjek dy rrugë paralele, duke shkuar si te blerësi i mundshëm edhe te pronari i vjetër, në të njëjtën kohë, hap pas hapi, në mënyrë që kërkesa të plotësojë ofertën”.

“Nuk dua që qyteti im të shkatërrohet nga shkelja e pronës, apo të kthehet në marrëveshjen e fundit të spekulimit imobilar”.

Një projekt i përshtatur

Në fakt, në vend që të kalojë nëpërmjet autoriteteve, bashkiaku Scapillati dëshiron që palët e interesuara t’i dërgojnë email atij drejtpërdrejt (nicola.scapillati[AT]me.com) me një plan të hollësishëm se si synojnë ta ristrukturojnë dhe çfarë duan të bëjnë me pronën – një shtëpi, një B&&B, një dyqan apo një punishte artizanale.

Ata duhet të rendisin edhe çdo kërkesë që mund të kenë, si hyrja për njerëzit në karrige me rrota. Fshati është i vogël dhe makinat nuk mund të kalojnë nëpër rrugicat e ngushta dhe shkallët”.

Sa më specifike të jetë kërkesa, më e lehtë do të jetë gjetja e banesës së duhur për të nënshkruar një kontratë më pronarin aktual. Bëhet fjalë për një projekt të përshtatur – shton ai. “Njerëzit duhet të dinë me saktësi se për çfarë po firmosin. Për ta bërë edhe më zyrtar projektin, Scapillati u ka dërguar njoftime ambasadave italiane jashtë vendit.

Por, cili është kurthi? Natyrisht, ka disa kushte. Blerësit duhet ta rinovojnë pronën brenda tre viteve dhe të bëjnë një parapagim prej 2 mijë eurosh (2.378 dollarë), që do t’u rikthehet në fund të punimeve.

Synimi, një fshat më i sigurt

Projekti nisi në tetor, kur autoritetet u thanë pronarëve të shtëpive të braktisura që nëse nuk do t’i ristrukturonin shtëpitë, qyteti do t’u merrte në pronësi pronat për arsye sigurie.

Deri më tani, shumë pronarë kanë pranuar t’i dorëzojnë pronat, të etur për t’i lëshuar shtëpitë që do t’u kushtonin para për t’i shkatërruar.

Scapilatti ka besim se të paktën 50, do t’u bashkohen atyre. Nëse nuk do ta bëjnë, këshilli i qytetit do t’ua shpronësojë shtëpitë atyre që nuk do t’u përgjigjen dhe do t’i nxjerrë në treg.

Ndërkohë, dhjetëra persona të interesuar nga Evropa e kanë kontaktuar, duke i kërkuar që t’i blejnë shtëpitë. Ai shpreson që, me ndihmën e tyre, vendi jo vetëm të rigjejë gëzimin, por do të bëhet edhe më i sigurt.

“Më dhemb, kur shikoj bukurinë e qendrës historike të dëmtuar nga shtëpitë e shkatërruara, duke u prishur ngadalë”, – thotë kreu i bashkisë.

“Është e trishtë dhe e rrezikshme. Nëse nuk rinovohen, këto ndërtesa janë një kërcënim. Mund të shemben, nga çasti në çast. Projekti, synon ta bëjë të sigurt fshatin”.