MENU
klinika

Kinemaja në shtëpi

Për të guximshmit: 10 filmat më të bukur, por të tmerrshëm

11.12.2020 - 11:02

        Koronavirusi ose pandemia që gjunjëzoi botën, nuk mund të nënvlerësohet. Teksa sëmundja vazhdon të përhapet, kinemaja i ka “paraprirë” me kohë situatës…  Hollivudi ka prodhuar shumë filma, me subjekt epidemi të tilla të rënda. Po veçojmë këtu, 10 filmat më interesantë, që ua rekomandojmë, pse jo… këtë fundjavë! Shijojini!

“Infektimi” (2011)

Që nga shpërthimi i epidemisë së covid-19, ky film është bërë shumë popullor, për shkak të ngjashmërive të jashtëzakonshme që përmban narrativa e tij. Realizmi i atribuohet kryesisht epidemisë së dikurshme dhe epidemive të gripit të derrit, mbi të cilat bazohet skenari cilësor nga Skot Bërns. Me praninë e një kasti të njohur aktorësh, filmi trajton me realizëm të thellë pasojat katastrofike të një pandemie dalë jashtë kontrollit, në epokën moderne.

“28 ditë më pas” (2002)

Filmi trajton historinë e një grupi të mbijetuarish, të cilët, përballen me peizazhin postapokaliptik në Angli, pas lëshimit aksidental të një virusi që shkakton sëmundjen e tërbimit. Mesazhi që përcjell “28 ditë më pas“, analizon thellë pasojat e dëmshme që sjell kolapsi social dhe që shoqërohet me shumë ngjarje katastrofike, ku mbijetojnë vetëm më të fortët.

“Verbëria” (2008)

Bazohet në romanin e vitit 1995, me të njëjtin titull, shkruar nga shkrimtari portugez, Hoze Saramago. Filmi merret me një epidemi imagjinare, të quajtur “sëmundja e bardhë”, që i lë të infektuarit me pasoja, duke u dëmtuar shikimin, pa ndonjë shpjegim të arsyeshëm. Filmi nxjer në pah anën më të errët të njerëzimit.

“Panik në rrugë” (1950)

Ky film, është nga të parët që ka eksploruar temën e shpërthimit të pandemive dhe pasojave që sjellin ato. Përgjatë filmit, trajtohen përpjekjet mbinjerëzore të një grupi zyrtarësh të lartë, për të parandaluar një epidemi të quajtur “murtaja pneumonike”. Filmi ndërthur aspekte njerëzore, duke luajtur me elementet e humorit dhe dramës.

“12 majmunët” (1995)

Me kalimin e kohës, pasojat e një epidemie mund të kenë efekt shkatërrues mbi njerëzim. Ky është mesazhi thelbësor, që përcjell filmi “12 majmunët”, duke e bërë atë, shumë origjinal. Filmi i vendos ngjarjet, po ashtu në një botë postapokaliptike, ku pjesa e madhe e njerëzimit ishte shfarosur nga një virus vdekjeprurës.

“Virusi Andromeda” (1971)

Narrativa e filmit, përshkruan disa ditë nga jeta e një grupi shkencëtarësh, të cilët përpiqen të mbajnë nën kontroll një virus vdekjeprurës, me origjinë jashtëtokësore. Ky film, pati një ndikim të madh në kinematografi, me filmat që pasuan dhe serialet televizive. Koncepti i luftës biologjike, ishte një fushë e paeksploruar në vitet 1970, ndaj filmi solli koncepte të reja.

“Përhapja” (1995)

Në shumë aspekte, ky film mund të konsiderohet si një antitezë e filmit “Infektimi”. Ai bazohet në librin e Riçard Preston, “Vatra e nxehtë”, që flet mbi origjinën e etheve hemorragjike të Afrikës Qendrore. Është një film që përmban të gjitha stereotipet, klishet dhe pasaktësitë shkencore që do të prisnit nga një katastrofë epidemike e viteve 1990.

“Të marrët” (2010)

Adrenalina përshkon gjatë gjithë kohës shikuesin e filmin “Të marrët”. Gjithçka përqendrohet në një qytezë të vogël, ku popullata është prekur befas nga virusi i tërbimit, i lëshuar padashur nga një avion ushtarak. Filmi është plot tension, ankth, veprime emocionale dhe me një subjekt tejet tërheqës të një çifti të zënë në kurth, në mesin e rrethanave të jashtëzakonshme. Ky film, përmbush të gjitha pritshmërite e adhuruesve të filmave horror.

“Kryqëzimi i Kasandrës” (1976)

Një film i studiuar mirë, që të mbërthen menjëherë para ekranit. Subjekti i ti, sillet rreth një terroristi në arrati, që gjendet befas në një tren të linjës transevropiane, pasagjerët e të cilit, nuk janë të vetëdijshëm për patogjenin vdekjeprurës që ai mbart. Në pamundësi për ta përballuar situatën, autoritetet lejojnë që treni bashkë më pasagjerët, të aksidentohen në urën e lartë të kryqëzimit “Kasandra”.

[REC] (2007)

Ngjarjet në këtë film, zënë fill me një telefonatë shqetësuese dhe aspak të zakontë, që nis të hetohet nga një gazetar dhe një grup zjarrëfikësish. Filmi e mban shikuesin në ankth, prej fillimit deri në fund, duke i shkaktuar ndjenjën e klastrofobisë dhe frikës. Nëse e keni zemrën të fortë, ky është filmi që bën për ju… Në të kundërt, më mirë jo…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Komedia e zezë premierë botërore

“Cirku fluturues” konkurron në Estoni