MENU
klinika

‘BIDENOMIX’

Plani ekonomik i Joe Biden

27.12.2020 - 17:47

Presidenti i zgjedhur, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden duket se do të trashëgojë një ekonomi e cila ndodhet nën kërcënimin e pandemisë së Covid-19. Megjithatë, përkundër pengesave, presidenti Biden, do të ndjekë një ndryshim drastik në politikën ekonomike të Amerikës. Ai është zotuar të kthejë vëmendjen ndaj shpenzimeve të brendshme dhe zhvillimit ekonomik në favor të investimeve të mëdha në arsim, infrastrukturë dhe energji të pastër, ndryshe nga administrata e presidentit Trump.

Ndër të tjera në planin e tij ekonomik, ai ka në fokus vendosjen e rregullave më të rrepta për të frenuar kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe për të luftuar ndryshimin e klimës, edhe pse ndryshimi më i madh parashikohet të jetë ai i rritjes së taksave për individët dhe korporatat e pasura, duke përmbysur kështu sistemin taksial të administratës Trump.

Biden tashmë po e dallon veten nga Trump në qasjen e tij ndaj pandemisë, të cilën ekonomistët në përgjithësi e shohin si kërcënimin më të madh për rimëkëmbjen. Pikëpamja tij, pasqyron paralajmërimin e shumicës së ekonomistëve më të njohur; që deklarojnë se ekonomia nuk mund të rimëkëmbet plotësisht përsa kohë virusi ende ndodhet mes nesh.

‘’Gjithçka fillon duke marrë nën kontroll pandeminë e Covid-19, sepse vetëm atëherë, kur të mund të mposhtim këtë virus, do të mund të kemi mundësinë që të rihapim bizneset tona në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme.’’

Ndërkaq, rritja e shifrave pozitive me Covid-19, nga ana tjetër, mund të intensifikojë thirrjet për më shumë shpenzime stimuluese. Shumica e ekonomistëve, së bashku me Kryetarin e Rezervës Federale Jerome Powell, po paralajmërojnë se ekonomia ka nevojë për më shumë ndihmë shpëtimi nga Kongresi.

Paketa e ndihmës prej 2 trilion dollarësh që Kongresi miratoi në mars është kredituar gjerësisht për nxitjen e një reagimi të mprehtë ekonomik këtë verë sa i takon përballimit të pandemisë. Por ky stimul është shteruar kryesisht; dhe pa një ndihmë shtesë, vështirësitë për afro 10 milion amerikanë të papunë dhe mijëra biznese të vogla që luftojnë përditë me pandeminë, do të thellohen, duke shkaktuar kështu dhe një dëmtim edhe më të madh të ekonomisë.

Një paketë prej 1 trilion dollarë deri në 1.5 trilionë dollarë do të çonte deri në 4.5% të rritjes ekonomike vitin e ardhshëm, sipas ‘Capital Economics’. Kjo do të ishte e mjaftueshme për ta kthyer ekonominë në nivelin e saj para-pandemik deri në fund të vitit 2021.

Ndryshe nga Trump, Biden i konsideron rritjet e mëdha të shpenzimeve për programet sociale, arsimore dhe të zhvillimit si kritike për një rritje ekonomike afatgjatë. Presidenti i zgjedhur ka propozuar gati 5.4 trilion dollarë në shpenzime të reja gjatë dekadës së ardhshme, sipas Modelit të Buxhetit Penn Wharton të Universitetit të Pensilvanisë. Kjo përfshin 1.9 trilionë dollarë në arsim dhe 1.6 trilionë dollarë në infrastrukturën e re – rrugët, urat, autostradat dhe strukturat e tjera publike, kërkimin dhe zhvillimin.

Ndër të tjera, në planin e tij ekonomik, Biden ka deklaruar se ai do të mbledhë 3.4 trilion dollarë të ardhura shtesë nga taksat gjatë një dekade; kjo si pasojë e strategjisë së tij, e cila propozon rritjen e taksës së të ardhurave të korporatave në 28% nga 21% si dhe do të rrisë të ardhurat dhe taksat e pagave për njerëzit që bëjnë 400,000 dollarë në vit ose më shumë, njerëz të cilët përbëjnë rreth 2% të popullsisë.

Megjithatë Biden mund të jetë presidenti i parë që nga George H.W. Bush, i cili nuk do të kontrollojë Dhomën dhe Senatin nëpërmjet partisë së tij të paktën përgjatë dy viteve të tij të para në detyrë. Nëse kjo bëhet e vërtetë, do të varet nga rezultati i dy zgjedhjeve të Senatit në Gjeorgji në Janar. Por skenari më i mundshëm, parashikon që Biden të përballet me një Senat të Komitetit Kombëtar Republikan, të cilët nuk do të bien dakord me planin e tij për rritjen e taksave duke ndryshuar shumë nga paketa e re stimuluese ekonomike që pretendon të realizojë presidenti Biden.

Një fokus të veçantë në planin e tij ekonomik, zë padiskutim dhe shpenzimet sa i takon ndryshimeve klimatike. Propozimet e shpenzimeve të Biden në këtë sektor, përfshijnë 2 trilion dollarë për katër vjet. Ai dëshiron të shpenzojë para për të rikonstruktuar shtëpitë dhe ndërtesat për t’i bërë ato më efikase në energji dhe për të ndërtuar një infrastrukturë për automjetet elektrike.

Biden gjithashtu planifikon të ribashkohet me Marrëveshjen e Parisit në emër të kombit dhe ka thënë se ai do të nënshkruajë urdhra ekzekutivë për të luftuar ndryshimin e klimës. Ai synon të ndalojë emetimet e dëmshme klimatike nga termocentralet deri në vitin 2035. Presidenti i zgjedhur gjithashtu mund të kthejë disa nga urdhërat ekzekutivë të Trump duke vendosur standarde më të ashpra të çmimit të karburantit, duke imponuar impiantet e qymyrit për të zvogëluar emetimet ose rivendosjen e kërkesave që forcojnë industrinë e naftës dhe gazit si dhe zvogëlimin e kimikateve toksike.

Sa i përket sektorit të tregtisë, Biden do të kërkojë një përballje me Kinën si dhe do të kërkojë të ndërtojë aleanca me Evropën dhe Japoninë për t’u përballur me subvencionet e qeverisë së Kinës, shkeljet e të drejtave të pronës intelektuale dhe kufizimet e tregut, midis shqetësimeve të tjera tregtare.

Për të ruajtur ato aleanca, Biden është e sigurt se do të heqë dorë nga taktikat e paraardhësit të tij, duke kërcënuar me tarifa shtesë për importet e makinave nga Evropa, ose duke vendosur tarifa për importet e çelikut nga Kanadaja dhe Meksika. Megjithatë, Demokratët në Kongres janë dyshues ndaj Kinës dhe tensionet tregtare do të vazhdojnë me siguri.

Në shumë zona, Biden mund të veprojë përmes urdhrave ekzekutivë ose rregulloreve. Ai gjithashtu mund të ndryshojë shumë nga qasja e administratës ndaj imigracionit të ligjshëm, i cili ka ulur numrin vjetor të ardhjeve të reja në rreth 600,000 nga 1 milion. Shumica e ekonomistëve thonë se efektet e politikave të Biden do të ishin të papërfillshme në periudhën afatshkurtër, por do të zgjeronin prodhimin ekonomik afatgjatë të vendit duke përshpejtuar rritjen e popullsisë.

Presidenti i zgjedhur, e ka quajtur vizionin e tij për të ardhmen e vendeve të punës në SHBA si “Made in All of America”. Ai dëshiron të forcojë prodhimin vendas, si dhe sindikatat e sektorit publik dhe privat; ku disa nga prioritetet e tij do të jetë rritja e pagës minimale federale në 15 dollarë në orë si dhe krijimi i të paktën 5 milion vendeve të reja të punës në prodhim dhe inovacion.

Investimi i 700 miliardë dollarëve në prodhim dhe teknologji, me 400 miliardë dollarë për blerjen e mallrave dhe shërbimeve me bazë në Sh.B.A dhe 300 miliardë dollarë për Kërkimin dhe Zhvillimin.

Mbrojtja e Aktit të Kujdesit Shëndetësor të Përballueshëm është një nga përparësitë kryesore të Biden kur bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor. Planet e tij për sigurimin shëndetësor përfshijnë një opsion të sigurimit shëndetësor publik, të drejtuar nga qeveria, si ‘Medicare’. Tani për tani, programet federale si ‘Medicare’ janë në dispozicion vetëm për grupe të caktuara individësh, si ata që kanë një moshë mbi 65 vjeç.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


The Economist/ "Siguria ekonomike është siguri kombëtare"

Si do e ndryshojë Joe Biden politikën tregtare të Amerikës?

Nga The Economist/ Çfarë ka bërë Donald Trump?

SHBA e pavarur nga importuesit e naftës?