MENU
klinika

Ja çfarë po ndodh

Bastiset selia e PS-së në Shkodër, protestuesit djegin orenditë

12.12.2020 - 12:27

Po përshkallëzohen sulmet e protestuesve ndaj selisë së PS-së në Shkodër. Pasi thyen derën dhe dritaret ata kanë hyrë brenda godinës duke nxjerrë orenditë dhe duke u vendosur flakën.

Është përshkallëzuar tubimi për vrasjen e Klodian Rashës në Shkodër, ku protestuesit kanë sulmuar me gurë dhe sende të forta selinë e Partisë Socialiste.

Selia e Partisë Socialiste ishte “stacioni” i fundit i tubimit, që nisi nga lagjja “Luigj Gurakuqi” dhe vijoi para Prefekturës së qytetit.

Më herët protestuesit qëlluan me hurma makinën e policisë në qendër të qytetit, teksa mjeti është larguar për t’iu shmangur.

Nis nga Shkodra protesta për vrasjen e Klodian Rashës, qytetarët marshojnë në rrugët kryesore të qytetit  

Ka nisur rreth orës 11:15 në qytetin e Shkodrës protesta për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, që ka hyrë sot në ditën e katërt të saj. Ndërsa protestuesit marshojnë në pedonalen e qytetit thërrasin vazhdimisht “Rama ik”, “Polici e krimit!”, ndërsa bëjnë thirrje për te vendosur drejtësi për Klodianin.

“Edvini e don popullin e vet, prandaj e vjedh, prandaj e vret”, është mbishkrimi ironik në pankartat e disa protestuesve.

Edhe sot kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e Drejtorit të Policisë Ardi Veliu, ndërkohë që nuk mungojnë as thirrjet për rrëzimin e qeverisë. Tubimi ka nisur nga lagjja “Luigj Gurakuqi” dhe po vijon drejt Prefekturës së Shkodër, ndërsa do të mbyllet në fund para selisë së PS-së.

Një tjetër protestë pritet të zhvillohet sot edhe në Tiranë, ku si zakonisht demonstruesit do të përqendrohen para Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Policisë dhe në rrugët e ish-Bllokut.

Kujtojmë që edhe dje pati përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, ku qytetarët qëlluan me gurë dhe shkatërruan objekte të ndryshme, ndërsa “blutë” u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Qytetarët marshojnë në rrugët kryesore të qytetit

Nis në Shkodër protesta për vrasjen e Klodian Rashës