MENU
klinika

ANALIZA

Rreziqet e zhgënjimit nga vaksinat anti-Covid

05.12.2020 - 20:14

Nga Josh Michaud & Jen Kates, Foreign Affairs

Muajin nëntor solli disa nga lajmet më të mira gjatë pandemisë së Covid-19:prova të forta

se vaksinat e reja kundër koronavirusit që janë aktualisht në zhvillim e sipër do të funksionojnë. Dhe ky nuk ka qenë asnjëherë një përfundim i sigurt.

Por tani është pothuajse e sigurt se disa vaksina të ndryshme efektive, do të bëhen të disponueshme brenda muajve të ardhshëm. Megjithatë, zhvillimi i një vaksine, është vetëm hapi i parë në një rrugëtim të gjatë drejt dhënies fund të pandemisë.

Detyra akoma më të vështira i presin politikë-bërësit dhe punonjësit e shëndetësisë kur kompanitë farmaceutike t’u dërgojnë dozat e para. Për të eleminuar rrezikun e shpërthimeve epidemike në të ardhmen, aq sa 70 për qind e popullsisë së botës do të duhet të jetë imune ndaj koronavirusit, si përmes vaksinimit ashtu edhe përmes infektimit dhe shërimit.

Meqë vetëm rreth 10 për qind e popullsisë së botës është prekur deri më sot nga Covid-19 (me shumicën e rasteve,të fokusuar tek një numër relativisht i vogël vendesh), kjo krijon një sfidë goxha të madhe për përpjekjet globale të vaksinimit. Arritja e saj do të kërkojë një bashkëpunim global shumë të gjerë, një veprim që mund të jetë më i vështirë, dhe që do të zgjasë shumë më tepër sesa mund t`a marrin me mend shumica e njerëzve.

Sapo të bëhet e qartë se një vaksinë nuk do të thotë një çlirim i menjëhershëm nga kriza, ekziston rreziku që të krijohet një zhgënjim popullor, që mund tas thellojë mosbesimin ndaj vaksinave në pjesë të ndryshme të botës, duke e forcuar sfidën tashmë të tmerrshme të imunizimit të më shumë se gjysmës së popullsisë globale.

Prandaj, qeveritë duhet të shmangin zhgënjimet popullore, duke ua bërë të qartë qytetarëve atë çfarë na pret, dhe duke ulur pritshmëritë. Nga ana tjetër, duke vazhduar me vrull fushatat e vaksinimit për të shpëtuar sa më shumë jetë që është e mundur.

Disa vaksina mund të jenë në prag të aprovimit nga autoritet, por do të duhet të kalojë të paktën 1 vit derisa ato të jenë gjerësisht të disponueshme në pjesën më të madhe të botës. Vendet me të ardhura të larta, kanë porositur tashmë 9 miliardë dozat e para të vaksinave kandidate kryesorë, përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta me kompanitë farmaceutike.

Përmbushja e këtyre porosive, do të zërë pjesën më të madhe të kapacitetit global të prodhimit të vaksinave për 12 muajt e ardhshëm, dhe ndoshta më gjatë.

Rreth 80 për qind e dozave të vaksinës që presin të prodhojnë në vitin 2021 Pfizer dhe BioNTech, janë tashmë të rezervuara. Ashtu siç janë 100 për qind e dozave që parashikon të prodhojë Moderna.

Australia, Kanada, Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian, kanë porositur doza të mjaftueshme për të vaksinuar disa herë gjithë popullatën e tyre. Ka të ngjarë që në fund,këto vende të vendosin të heqin dorë nga dozat e tyre të tepërta, ose t’i dhurojnë ato. Por shumica nuk do t`a bëjnë këtë derisa popullatat e tyre të vaksinohen.

Vendet me të ardhura të ulëta, do ta shohin veten në fund të radhës, të detyruara të mbështeten tek mekanizmat e financuar nga donatorët. Mekanizmi më premtues në këtë kuadër është COVAX, një nismë shumëpalëshe e drejtuar nga Koalicioni për Nismën e Gatishmërisë Epidemike, Aleanca GAVI dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, që synon të sigurojë qasje të barabartë globale tek vaksinat kundër koronavirusit.

Me përjashtim të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, që kanë refuzuar të marrin pjesë, praktikisht çdo vend i zhvilluar në botë ka nënshkruar një marrëveshje me COVAX, për të mbështetur përpjekjet e zhvillimit të vaksinave, dhe shumë prej tyre kanë rënë dakord të ndihmojnë në financimin e shpërndarjes së vaksinave në 92 vendet me të ardhura të ulëta, pasi të autorizohet shpërndarja e tyre.

Por COVAX i duhen ende miliarda dollarë për të blerë vaksinat që nevojiten. Edhe nëse presidenti i zgjedhur Joe Biden, vendos të ketë një qasje ndryshe nga Trump duke e mbështetur COVAX, në skenarin më të mirë vetëm 20 për qind e popullsisë në vendet me të ardhura të ulëta do të kenë qasje tek vaksina, deri në fund të vitit të ardhshëm.

Edhe arritja e këtij pragu modest, ka të ngjarë të varet nga miratimi i vaksinës së AstraZeneca-Oxford, e cila përdor një teknologji më të thjeshte sesa vaksinat me bazë mRNA të Pfizer-BioNTech dhe Moderna, që janë më të vështira për tu transportuar dhe ruajtur.

AstraZeneca, ka nënshkruar tashmë marrëveshje me prodhuesit në vende si Brazili dhe India, dhe pret të prodhojë deri në 3 miliardë doza -të mjaftueshme për 1.5 miliard njerëz – deri në fundin e vitit 2021, teksa gjysma e kësaj shume është rezervuar për shpërndarje në të gjithë botën.

Mungesat e vaksinave në botën në zhvillim, mund të kompensohen disi nëse kompanitë e tjera farmaceutike, bien dakord të shesin vaksinën pranë vlerës së kostos, dhe të zgjerojnë kapacitetin e prodhimit përmes transferimit të teknologjisë tek prodhuesit në vendet në zhvillim.

Gjithashtu edhe Kina mund të mbulojë disa nga mungesat, përmes eksportit të vaksinave të saj, sikurse ka thënë se ka ndërmend të bëjë. Por testet e vaksinave kinezë janë ende në vazhdim, dhe të dhënat e plota mbi sigurinë dhe efikasitetin e tyre nuk janë bërë ende publike.

Edhe në skenarët më të mirë të prodhimit dhe eksportit, kërkesa ndërkombëtare për vaksina ka të ngjarë që ta tejkalojë furnizimin të paktën deri në vitin 2022. Për më tepër, plotësimi i kërkesës nga vendet e varfra është vetëm gjysma e betejës. Këto vende duhet të identifikojnë marrësit e vaksinave, t’i shpërndajnë dozat gjerësisht dhe në mënyrë të barabartë, dhe të adresojnë çdo hezitim rreth vaksinimit në mesin e popullatës.

Studimi ynë mbi shpërndarjen e vaksinave në Shtetet e Bashkuara, sugjeron se të gjitha këto operacione do të shoqërohen me vështirësi edhe në vendin më të pasur në botë. Dhe padyshim, që ato do të jenë edhe më komplekse në vendet në zhvillim.

Ndër vendimet më të vështira që do të duhet të marrin vendet në fazën fillestare të shpërndarjes, është se kush do vaksinohen të parët. Ndërsa një pjesë e përgjigjes për këtë pyetje, do të varet nga tiparet specifike të vaksinës, ekspertët bien në përgjithësi dakord se prioritet duhet të kenë segmentet më të rrezikuara të popullatës – kryesisht punonjësit e sistemit shëndetësor, të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje kronike, të cilat i vendosin në rrezik për jetën në rastet e Covid-it më simptoma të rënda.

Megjithatë, përkthimi i këtij udhëzimi në politika të zbatueshme, nuk do të jetë domosdoshmërisht i drejtpërdrejtë. Vetëm përshkrimi i këtyre kategorive dhe hartimi i programeve bazuar në to, kërkon kohë dhe burime, sidomos në vendet që nuk mbajnë shënime të hollësishme mbi demografinë,apo gjendjen shëndetësore të qytetarëve.

Një vështirësi tjetër, do të jetë sigurimi i qasjes së barabartë në të gjitha rajonet gjeografike, nivelet e të ardhurave dhe shtresat sociale. Popullatat e pasura, urbane dhe me lidhje politike,ka të ngjarë t`a kenë më të lehtë të vaksinohen sesa ato të varfra, rurale dhe të lëna pas dore.

Dhe korrigjimi i këtij çekuilibri, do të kërkojë kohë dhe burime shtesë. Pengesa e fundit, do të jetë bindja e të gjithë njerëzve që të vaksinohen. Në një studim të fundit mbi gatishmërinë e vaksinimin në 19 vende të botës, vetëm 71 për qind e të pyeturve në përgjithësi thanë se do të kishin shumë ose disi gjasa që të vaksinoheshin.

Gatishmëria më e madhe ishte në Kinë (90 për qind) dhe më e ulëta në Rusi (55 përqind). Një sondazh tjetër mbi 15 vende, raportoi nivele të ngjashme të pranimit të vaksinave, me popullatat evropiane dhe ato të Amerikës së Veriut që mbeten pas atyre aziatike dhe të Amerikës Latine.

Siguria e vaksinave ka qenë shpesh një shqetësim i publikut, sidomos ato vaksinat e reja dhe të panjohura. Por propaganda dhe dezinformimi kundër vaksinave, shpesh i shpërndarë me shpejtësi përmes mediave sociale, e ka shtuar vështirësinë në krijimin e besimit në vende të tilla si Shtetet e Bashkuara, ku zhvillimi i vaksinave është politizuar shumë.

Të gjitha këto pengesa, do të pengojnë përpjekjet globale për të imunizuar në nivelin e duhur popullsinë e botës,në mënyrë që të zhduket pandemia e koronavirusit. Për pasojë, rreziku i shpërthimeve epidemike do të vazhdojë edhe shumë kohë pasi të shpërndahet gjenerata e parë e vaksinave.

Ndaj masat e distancimit social, kontrollet e kufijve, dhe ndërhyrjeve të tjera të shëndetit publik, do të duhet të qëndrojnë në fuqi edhe për shumë muaj. Kjo gjë ka të ngjarë të sjellë zhgënjimin e popullsisë, sidomos pasi pabarazitë shëndetësore midis dhe brenda vendeve, do të bëhen më të dukshme me kalimin e kohës.

Zhgënjime të tilla, mund ta shtojnë skepticizmin ndaj vaksinave dhe të nxisin një dezinformim akoma më të rrezikshëm, duke shtuar kësisoj sfidat e programeve globale të imunizimit. Për këtë arsye, qeveritë duhet të jenë të kujdesshme duke bërë të qartë pritshmëritë reale rreth vaksinimeve, dhe për t’i kalibruar me kujdes mesazhet e tyre publike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN